Përtej trendëve të muzikës në botë, kulturat e vendeve janë ato që krijojnë diversitetin dhe e bëjnë atë rrëfim më unik. I tillë ka qenë koncerti i së enjtes mbrëma në “Peja Jazz” ku janë zbuluar meloditë e instrumentit të veçantë tradicional hungarez – cimbalom. Miklós Lukács dhe Káláman Balogh kanë shkrirë traditën muzikore të vendit me atë klasike me ritmet bashkëkohore në frymë të xhazit.
Krijuesit e interpretuesit hungarezë kanë sjellë stile muzikore të ndryshme në natën e dytë të festivalit që programin ia dedikon muzikës xhaz. Mbrëmje krejt e veçantë muzikore ka qenë jo veç për festivalin, por edhe në gjurmimin e tingujve të instrumentit e njohjen e rrënjëve muzikore të instrumentit tradicional jo fort të njohur në Kosovë. Ka qenë hera e parë që në një koncert në vend është luajtur në cimbalom. Dy të tillë kanë qenë të enjten në skenën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, aty ku po zbërthehet programi i edicionit të pestë të festivalit.
Dyshja “Cimbalomduó” ka zbërthyer mjeshtërinë e vet në instrumentin që falë saj po ringjallet në skenën muzikore. Është e veçantë mënyra se si natyra e cimbalomit transformohet. Nga klasikja shkon në xhaz, në tradicionale e deri në bashkëkohore. Transformohet edhe tingulli. Instrumenti me 125 harqe shpesh duket se tingëllon si piano, perkusione, kitarë e harpë.
Është bërë e ditur se cimbalomi origjinal erdhi nga India dhe se fillimisht luhej në formë orientale. Në këtë zonë ende luhet ashtu dhe ashtu e sjell dyshja në skenën e “Peja Jazz”. Janë tinguj shumë më të lehtë.
“Në disa vende në Azi njerëzit e luajnë me dorë dhe me lloje të ndryshme të shkopinjve. Prandaj ne deshëm të improvizonim duke luajtur këta tinguj të veçantë me duar e me lloje të tjera shkopinjsh. Tingujt nganjëherë vijnë si indianë, arabikë, është shumë i veçantë”.
Kálmán Balogh ka theksuar faktin se folklorin e tradicionalen e shkrijnë në xhaz. Ka bërë të ditur se e luajnë muzikën e secilit vend që e ka instrumentin cimbalom.
“Kjo është ideja bazike, ne i dashurojmë meloditë e muzikës folklorike tradicionale dhe mundohemi t’i kombinojmë me muzikë kontemporane. Miklos është muzikant shumë i mirë i xhazit, unë më shumë luaj muzikë klasike dhe folklorike. Por ne gjithmonë improvizojmë dhe krijojmë ide me meloditë folklorike, gjithashtu shikojmë edhe repertorin për cimbalom, sepse është shumë i pasur. Mund ta gjesh në shumë vende instrumentin dhe shohim se cila melodi përshtatet me idetë tona”.
Programi ka qenë kryesisht me vepra popullore folklorike të regjionit të Transilvanisë. Ato variojnë nga ato për dashurinë me tinguj të butë, relaksues e deri në ato që sjellin një temë tejet dinamike e tensione. Dyshja është kujdesur të sjellë ngjyra të ndryshme muzikore, duke gjurmuar nëpër repertorin e vendeve të ndryshme për cimbalom.
Në natën e parë të festivalit ka interpretuar Laura Prince, vokaliste dhe kompozitore e talentuar me prejardhje nga Togo e Franca bashkë me pianistin Julian Caetano.
Vokalistja me origjinë shqiptar nga Belgjika, Ceylan Taci, me grupin “Astrit Stafai & Friends” ka ndërthur muzikën ballkanike, jazzin dhe ritmet botërore.
E në natën e fundit, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, traditën muzikore japoneze e ka shpalosur grupi i mirënjohur “Wadaiko Sai”, me daulle tradicionale.
I njëjti koncert i është shfaqur edhe publikut në kryeqytet, në teatrin “Oda”. Ka qenë ngjarje e paprecedent në rrugëtimin pesëvjeçar të festivalit ndërkombëtar të jazit “Peja Jazz”.
Ansambli prej tupanësh e një flaute tradicionale japoneze kanë sjellë ngjyrat e kulturës muzikore që vijnë të ndërthurura me muzikën tradicionale të kombinuar me ritme bashkëkohore.
Energji e jashtëzakonshme është reflektuar tek publiku ndërsa atraktiv ka qenë koncerti bashkë me interaktivitetin midis instrumentistëve në skenë dhe publikut. Koreografi më vete ka qenë koncerti dhe jo thjesht lojë instrumentale.
Përtej dinamizmit e kulmimit me tingull, anëtarët e ansamblit arrijnë të krijojnë një lloj tensioni e situate dramatike me lojë më të qetë. Nga përshtypja e parë është e qartë se ansambli e ka një motiv të qartë: ose e lë gjithë energjinë në skenë, ose nuk del para publikut fare.
Befasia për publikun ka qenë luajtja e himnit të Kosovës me tupan e flaut.
Për anëtarët e ansamblit ka qenë hera e parë që kanë luajtur në Kosovë. Takehiro Shiomi ka thënë se ajo çfarë kanë prezantuar është stil unik i tyre.
“Wada Iko është instrument tradicional, por ne sjellim gjëra të tjera me të, performanca të reja, muzikë të re, kështu që kjo muzikë është tradicionale, por e re. Ky është stili ynë”.
Kështu është shprehur edhe instrumentisti Hidetoshi Sai.
“Është kombinim i veprave origjinale me ato tradicionale”.
Fjalëpakë kanë qenë anëtarët e ansamblit japonez. Atsuharu Tohnishi është shprehur i lumtur me interesimin e publikut për kulturën muzikore japoneze.
“Koncerti në Pejë është vërejtur që është pëlqyer dhe ka qenë shumë emocionues. Njerëzit na kanë mirëpritur, por edhe këtu jemi ndier shumë mirë. Ka qenë kënaqësi të shohim që shumë njerëz kanë ardhur për të na parë. E kemi shijuar shumë”.
“Njerëzit ishin shumë të afërt, të dashur, sonte ishte më emocionuese sesa në Pejë”, tha Ryoga Ozeki.
Festivali edhe sivjet ka sjellë emra të shquar artistësh, të cilët dallohen nga stilet e zhanret dhe fryma e muzikës së tyre. Ky është edhe misioni i “Peja Jazz” sipas kuruesit të programit të festivalit, Dardan Selimaj.
“Është hera e parë që një koncert i ‘Peja Jazz’ organizohet në kryeqytet. Është një rrugëtim që ka nisur para pesë vjetësh me iniciativën e ‘Anibarit’ dhe kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ dhe është ndërtuar gradualisht. Shpresojmë që do të mbërrijmë të vazhdojmë tutje këtë rrugëtim që e kemi nisur para pesë vjetësh, në një vit në të cilin shumë ngjarje anuloheshin dhe ‘Anibari’ me kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ patën vendosur ta themelonin një ngjarje të re kulturore për qytetin e Pejës”.
“Peja Jazz Festival” në kapitullin e pestë, përtej sjelljes së frymës së jazzit në Pejë e me një koncert edhe në Prishtinë, ka gjurmuar kultura muzikore duke i bërë bashkë në një adresë.