Projekti muzikor “Open Borders” i pianistit të shquar francez, Armel Dupas, ka qenë një lloj gjurmimi i gjendjes shpirtërore dhe jo vetëm. Në Prishtinë ka ardhur në më pak se gjysmë viti prej kur janë hapur kufijtë për shtetasit e Kosovës. Me atë që quhet “Keybird piano”, Dupas ka sjellë tingujt e avancuar të pianos të veprave që variojnë nga muzika jazz te neo-klasikja.
Krejt kjo ka për qëllim të prezantohen meloditë dhe autenticiteti muzikor i artistit. Ta lidhë publikun me të, e ta bëjë atë të reflektojë për jetën. Mbi të gjitha të përçojë mesazhe. Krejt kjo ngjan me muzikën e pianistit francez, Armel Dupas.
Është artist që derisa kultivon muzikën e tij qëndron afër me shqetësimet e kohës. Ajo reflektohet në kompozimet e tij.
“Open Borders” është album me gjithsej 11 vepra autoriale të tij. E dyta emërtohet sipas projektit. Ka qenë si ftesë për të hapur çdo lloj kufiri. Me tinguj ka mbërthyer rrugëtimin shpirtëror të jetës përgjatë 40 vjetëve të jetës së tij. Edhe projektin e ka punuar me rastin e dekadës tij të katërt. Vepra me ritme të ndjeshme u dedikohet edhe të dashurve që s’janë më. Gjurmon dhimbjen.
Pianisti e kompozitori francez thur tinguj për kurajë, paqe e tematika nga shoqëria.
Dupas ka thënë se në Francë luan kryesisht për gjeneratat më të reja. Në Prishtinë, sipas tij, ka gjetur audiencën me të cilën donte ta ndante muzikën e tij.
“Ka qenë ngjarje shumë e veçantë për mua, pasi audienca ishte e re në moshë. Zakonisht luaj për gjeneratat e prindërve dhe kushërinjve të mi. Ishte kënaqësi. Mendoj se repertori i është përshtatur këtij vendi, sepse është një ode për jetën, për energjinë pozitive. Hapësira kontribuoi edhe më shumë në këtë drejtim”.
Një ditë pas koncertit në Prishtinë është nisur për në Bullgari, ku e ka prezantuar albumin e tij. Paraprakisht, “Open Borders” e ka dërguar në Itali dhe në Kroaci.
Ai ka shpjeguar se me muzikë mundohet të rrezatojë te publiku për përjetimet në jetë. E ka quajtur terapi me tinguj që sjell edhe mesazhe për publikun.
“Esenca është të sjellim mesazhe dhe të marrim energji nga këtu. Jeta dhe muzika janë të lidhura si një shkëmbim energjish. Ajo çfarë po ndodh këtu është sepse jemi të gjithë ne këtu. Çdo moment është i rëndësishëm, për këtë arsye zgjedh të luajë në ambiente të tilla dhe jo në salla standarde koncertale. Doja të ishte një koncert intim, si një koncert në shtëpi”.
Ka qenë hera e tretë për të në Prishtinë, si një eksplorim i muzikës së tij që rastësisht ka ngjarë të jetë çdo gjashtë vjet për publikun vendor. Të tri ngjarjet kanë qenë të organizuara nga Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”.
Drejtori artistik i këtij festivali ka thënë se historia e pianistit Dupas me ngjarjen është e gjatë.
“Armel Dupas është një pianist që e ka një histori ndoshta 12-vjeçare të lidhjes me festivalin ‘DAM’. Për herë të parë ka qenë këtu në vitin 2012, është kthyer më 2018-n dhe tash sivjet. Jo se e kemi planifikuar që ai do të kthehet çdo gjashtë vjet, por kështu ka ndodhur. Më vjen mirë që këtë herë kemi pasur mundësi të prezantojmë projektin e tij të fundit ‘Open Borders’ në vitin kur të gjithë qytetarët kanë mundësi të lëvizin pak më shumë, por në të njëjtën kohë të prezantojmë një instrument të veçantë”.
Koncerti në qendrën “Barabar” ka qenë si paralajmërim i edicionit të 19-të që sivjet e zhvillon prej 18 deri më 22 shtator.
“Open Borders” ka qenë evidencë e fuqisë së instrumentit për të ilustruar harmoninë e nostalgjinë, momentet e bukura e ato të hidhura. Armel Dupas me ansambël tingujsh ka zgjuar kujtime dhe i ka fuqizuar ato.