“Një dorëzim në Spokan” kap një fragment të historisë së shoqërisë moderne dhe e shndërron në tragjikomedi. Me tekst të britanikut Martin McDonagh nën regji të Blendi Arifit, komedia e zezë është dhënë premierë të premten mbrëma në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Fantazi duket misioni i kryepersonazhit i shtyrë të kthehet qindra vjet pas në kohën e skllavërimit të afro-amerikanëve. Është një lloj pikëpamjeje për stereotipat e sotëm të trashëguara nga shekujt e mëparshëm. Ngjyra e komedisë e mbulon tmerrin e vërtetë në thelbin e saj. Megjithëse pasojat tani bien mbi të bardhët, shprehjet raciste janë të paevitueshme. Janë zakone.
Karakteri i personazhit Carmichael që luhet nga aktori Alban Shahiqi vjen i frikshëm, i zhytur në një labirint drithërues. Shahiqi e ka vlerësuar si rol kompleks kryepersonazhin e komedisë së zezë.
Ka thënë se ky zhanër e përball publikun me të metat e shoqërisë.
“Çdo tragjedi, edhe në skenë, sidomos tragjikomedia, është tragjedi e tepruar që kalon në komedi. Edhe kjo e ka anën pozitive për t’i përballur të metat e shoqërisë me komedinë. Faktikisht ato nuk janë komedi, por dalin komike. Martin McDonagh e ka këtë stil në shumicën e veprave të tij, komedisë së zezë e cila përqafohet dhe ndiqet në shumë vende të botës nga audienca”.
Ngjarja zhvendoset në një dhomë hoteli. Në atë hapësirë, Carmichael ndeshet me Marilynin që e luan Djellza Dema, Tobin që e luan Florent Salihu dhe Mervyn nga vetë regjisori Blendi Arifi.
Ka thënë se McDonagh njihet si autor i komedisë së zezë dhe se kësisoj edhe shfaqja “Një dorëzim në Spokan” shkon te tragjikja e komikja.
“Si tematikë është e viteve 2000-2010. Nuk kam bërë lëvizje kohore. Historia është afër nesh, ne të gjithë jemi të lindur pothuajse në vitet 2000, janë dhjetë vjet para apo pas. Kështu që mendoj se publiku e pëlqyer dhe e ka pritur mirë”.
Aktorja Djellza Dema ka thënë se Marilyn ka qenë karakteri tipik të cilin donte ta luante.
“Prej fillimit kur e kam lexuar tekstin vetëm kisha filluar ta analizoja në start. E shihja Marilynin si personin pak më të çmendur, më lidere në një lidhje. E shihja që i dhimbset i dashuri, Tobi, për shkak se është racë tjetër dhe mundohet me çdo kusht ta mbrojë, por që kur e nevrikos, nuk pyet për këtë pjesë. Është nevrike, është e vendosur dhe më pëlqejnë këto rolet e lidereve”.
Aktori Florent Salihu që e luan Tobyn, partnerin e Marilyn, ka thënë se karakteri i tij në shfaqje është ai që njihet për tipare negative. Por filozofia e shfaqjes vihet në pah pikërisht në skenat ku ai është i përfshirë.
“Problemi i kohës ka qenë që zezakët ua kanë prerë dorën të bardhëve që t’ua pakojnë forcën. Unë paraqitem në shfaqje si Tobby, jam ‘dealer’ i drogës. Gënjej dhe manipuloj vetëm për të fituar pak para. Kjo është pjesa më e thjeshtë, por e ka filozofinë e vet për kohën e zezakëve të shtypur. E kemi paraqitur në situatë serioze, por që të bën edhe të qeshësh”.
Shfaqja do ta ketë reprizën e parë më 29 prill në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Është produksion i regjisorit Blend Arifi, ndërsa është përkrahur nga Teatri i Gjilanit dhe Ministria e Kulturës.
“Një dorëzim në Spokan” takon kokë më kokë personazhet dhe historitë e tyre të turbullta. Është tregim për historitë sipërfaqësore të njerëzve që i bëjnë ata të huaj.