EXPRESS

“Një botë pa gra” zbardh në Kosovë prapaskenat e teatrit serb

“Një botë pa gra” nga Serbia është shfaqje që vë në dyshim pozitën e grave në teatër. Është hapësira për reflektim mbi politikat emancipuese. Jo të pakta janë edhe temat globale që trajton, por ndalet edhe në rajon, duke përmendur sipërfaqësisht raportet e dy vendeve fqinje.

Dy autoret serbe, Maja Peleviq dhe Olga Dimitrijeviq, njëherësh edhe performuese në skenë, janë pritur ngrohtë nga publiku i Prishtinës, ndryshe nga Beogradi ku vetëm rreth katër muaj më parë, armata e “Mirëdita, dobar dan!”, që synonte të çonte një copë kulture të Kosovës, u kthye prapa me vendim të autoriteteve shtetërore serbe, shoqëruar me protesta nacionalistësh. 

Kosova kaherë e ka dëshmuar imazhin tjetër prej atij që pengon e pamundëson ngjarje kulturore. Të enjten mbrëma ka qenë dëshmia e radhës në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”. 

Shfaqja në teatrin “Dodona” përfshin edhe materiale dokumentare dhe është, midis tjerash, rezultat i hulumtimeve me regjisore teatri e dramaturge mbi temën e barazisë gjinore. 

Është shfaqje bashkëkohore feministe e shumëdimensionale. Përfshin performancë e media audiovizuale. Ajo është shpesh kundërthënëse dhe ngjan se këtë e adreson te gratë që nuk bëjnë për njëra-tjetrën. Me ironi futet edhe dhurimi i gjakut. 

Në pjesën e fundit të shfaqjes vihet në pikëpyetje edhe loja e tyre në skenë. Ka qenë inskenim i kërkesës së rreptë regjisoriale ndaj aktoreve gra që përfshin dhunë, ngacmim e çka jo tjetër. 

Bashkautorja e shfaqjes performuesja Maja Peleviq ka thënë se kjo pjesë është rikrijim i një audioje që kishte dalë nga provat e regjisorit gjerman Frank Kastner. Aty është sjellja e tij me aktoret gra. 

“Është zëri i njërit prej koreografëve tanë. Në internet gjetëm një provë të punimit të një shfaqjeje të një regjisori të famshëm gjerman, Frank Kastner. Mënyrën se si ai sillet me aktoret gjatë provave. Ne e bëmë një lloj riinterpretimi të saj. Koreografi ynë thotë gjërat që në fakt po i thoshte Kastner drejtuar aktoreve të tij. Ky në fakt është një lloj homazhi për sjelljen e tij. Ai ka thënë se gratë nuk janë aq të talentuara sa burrat dhe i ka krahasuar ato me futbollin e grave dhe burrave kinse janë disa disiplina ku burrat janë më të talentuar”.

Olga Dimitrijeviq ka thënë se me shfaqjen nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa kanë shfaqur pozitën e gruas në shoqëri në përgjithësi, me fokus në teatër. 

“Ne flasim për barazinë gjinore, por gjithashtu për të drejtat e punës artistike, për të drejtat e barabarta në përgjithësi, që shpesh shoqëria i harron. Ne të dyja duam të shohim gjërat ndryshe sidomos në feminizëm dhe në barazi gjinore, jo vetëm nga perspektiva liberale feministe, por në në rend të parë insistojmë shumë në ndërlidhjen e kësaj teme me të tjetra çështje. Të kemi këtë shfaqje për të punuarit në teatër, për strukturimin e barazisë së të punuarit aty. Njerëzit thonë se teatri është pasqyra e shoqërisë, prandaj ne konsiderojmë se duhet t’i shpërfaqim ato”.

Në fund Olga vendos ta lërë teatrin, duke e vlerësuar të ndyrë. Madje e vë në pikëpyetje edhe vetë shfaqjen e tyre, rezultatin dhe mesazhet. Vendos të kthehet në punën e saj të papaguar në shtëpi. Krejt publikun e fton në skenë të marrë nga një palapetë të përgatitur nga ajo.