Skenari që i paraprin “DokuFestit” është pothuajse i njëjtë: hapet thirrja, mbyllet, shpallet programi, kulmojnë përgatitjet, numërohet së prapthi, ndizet projektori dhe magjia fillon. Ajo që nuk shihet, është një punë e madhe për të arritur deri këtu.
Kur kanë mbetur edhe 24 ditë deri te ceremonia e hapjes, është shpallur programi i filmave garues. Janë 103 filma për tetë programe garuese. Hiç më pak se 3 mijë e 325 ia kanë mësyrë njërit prej festivaleve më të mëdha të këtij lloji jo vetëm në rajon. Gjeografia e vendeve prej nga vijnë shtrihet në 119 vende nga e gjithë bota.
Kur përmenden statistikat – mbi 3 mijë filma nga mbi 100 vende të botës – sikurse edhe fakti që jo pak filma japin premierat e tyre botërore dhe evropiane pikërisht në “DokuFest”, organizatorët i përkthejnë këto si dëshmi se Festivali është “një platformë e rëndësishme e shfaqjeve në këtë pjesë të botës, si për filmat dokumentarë ashtu edhe për filmat e shkurtër”.
Tetë programet garuese janë Gara Ballkanike, ajo Ndërkombëtare, Gara e Dokumentarëve të Shkurtër, Gara e Dokumentarëve për të Drejtat e Njeriut, ato që quhen “Green Dox” e “Truth Dox” dhe Gara Kombëtare.
Programi garues është vetëm një pjesë e asaj që sjell. Në tërësi janë mbi 200 filma që do të shfaqen edhe në programe të tjera, por as kjo nuk është krejt ajo që sjell ngjarja më e madhe kulturore në vend.
Alba Çakalli, producente e Festivalit, në një intervistë për emisionin “Nëpër Film” ka thënë se “ky do të jetë një edicion i veçantë”.
“Ka tema interesante, fokuse interesante që besoj do të jenë tërheqëse për publikun që do të jetë prezent. Do të kemi edhe programe speciale. Njëri prej tyre do të jetë ‘Focus Ukraina’, ku do të kemi shfaqje të filmave nga regjisorë ukrainas. Gjithashtu do ta kemi një ekspozitë me fotografi që shpjegojnë se si dokumentohet lufta përmes fotove. Do t’i kemi dhe disa mysafirë, gazetarë që janë nga Ukraina por po qëndrojnë në Kosovë. Programi tjetër është ‘Focus Palestine’. Është program mjaft interesant sepse i ka disa filma që e shpjegojnë se si në të kaluarën, të dyja nacionalitetet kanë realizuar filma së bashku”.
Festivali që po shkel çerekshekullin përherë është veçuar për përmbajtjen dhe për mesazhet e fuqishme që përcjell. Këtë e bën edhe përmes temës së çdo edicioni.
“Dihet tashmë se kanë ndodhur shumë gjëra gjatë vitit dhe po vazhdojnë të ndodhin, situata dinamike, tepër e ndryshme nëpër botë na ka bërë të mendojmë dhe reflektojmë se çfarë duam të adresojmë me këtë edicion. Marrë parasysh faktin se tema ndikon në ndërtimin e kampanjës, ne kemi vendosur të dalim me temën që përbëhet prej dy fjalëve, ‘New Order’”.
Për “DokuFestin” e 23-të tema është “New Order”, një temë që fokusohet në çështjet dhe shqetësimet me të cilat përballet shoqëria. Ajo që ne shohim tani është një botë në transicion të shpejtë. Në të gjithë planetin, të pasurit po pasurohen, ndërsa të varfrit pushtohen nga borxhet dhe fatkeqësitë. Me luftërat në Gaza dhe në Ukrainë që sjellin ndarjet globale në lartësi të reja, një rikonfigurim i ri gjeopolitik – duke përfshirë një zhvendosje në një rend të ri botëror – mund të jetë në punë. Megjithatë, më shumë forca dhe tendenca – duke përfshirë ekonominë gjithnjë e më të militarizuar të Rusisë, ngecjen e rritjes së Kinës dhe peshën në rritje e sipër të ekonomisë së Jugut Global – po bëjnë ndryshime thelbësore në rendin më të mundshëm ndërkombëtar. Mund të ndodhë gjithashtu që ne po jetojmë përmes shpërbërjes së një rendi. Një lloj i “New Order” në ardhje e sipër.
“Ne jemi edhe një herë të emocionuar dhe shpresojmë të gjejmë mënyra të bëjmë audiencën tonë pjesë të bisedave, në atë që duket se është një moment vendimtar, jo vetëm i këtij brezi”, shkruhej në komunikatën e lëshuar nga organizatorët e Festivalit.
Producentja Çakalli ka veçuar edhe Garën Kombëtare e cila sivjet ka më shumë filma.
“Është edicioni ku ka shumë filma që kanë konkurruar në Garën Kombëtare. Si nga numri i madh ashtu edhe për nga kualiteti, ka shumë filma interesantë që ia vlen t’i shikojmë”, ka thënë ajo.
Në programin tashmë të shpallur në këtë kategori janë 14 filma. Fiks gjysma janë nga Kosova. Krejt kjo dëshmon atë që “DokuFesti” e ka dëshmuar tashmë.
“Interesimi i madh për pjesëmarrje e tregon kualitetin dhe suksesin e Festivalit në botën e filmit. ‘DokuFesti’ e ka dëshmuar vendin e vet”.
E sivjet – prej 2 deri më 10 gusht – do të jetë hera e 23-të që do ta bëjë këtë.