EXPRESS

“Net/Rrjet” bashkon trendët vendorë e ndërkombëtarë në art pamor

Me edicionin e radhës të ekspozitës “Net/Rrjet”, veprat artistike vijnë në atë dimension që të lidhin skenën artistike vendore me atë ndërkombëtare. Njohja e artistëve të huaj me vendin nëpërmjet skenës artistike ka qenë edhe koncepti i saj. Në qendrën “Barabar” në Prishtinë janë sjellë rrëfime botërore nëpërmjet veprave të 25 artistëve.

Që në vështrim të parë ato dallohen si vepra bashkëkohore. Mediumet i bëjnë të tilla, por edhe teknikat e punës. Video, instalacion, fotografi e pikturë ka në ekspozitën kolektive tradicionale që sivjet ka shënuar edicionin e 12-të të saj.

Prej të parave vepra me të cilat publiku takohet është ajo e Resul Jusufit. “Surpassing himself” paraqet reflektimin e një njeriu në pllakat ku një palë këpucë janë të vetmet që shihen. Por vepra në përgjithësi ngjan se paraqet një distancë të gjatë kohore. Aty janë të instaluara një palë këpucë të varura, që sikur mbahen peng nga e kaluara. Ndonëse të shqyera copë-copë.

Vepra “Click heritage” e Rrezeart Galicës thërret për ta ruajtur trashëgiminë kulturore. Mesazhi është më se i qartë kur publikut i ofrohet i shkruar në kornizë. “…as my grandma says: Always click save heritage”, shkruhet aty. Mesazhi rrethohet me lloj-lloj ornamentesh.

Autori i veprës ka thënë se ajo synon të tërheqë vëmendjen në zbulimet e fundit arkeologjike në vend.

“Kam marrë pjesë me punën time që lidhet me trashëgiminë në përgjithësi, atë kulturore në veçanti. Kjo për të tërhequr vëmendjen për zbulimet e fundit në Kosovë të cilat kanë një vlerë të veçantë, të cilat duhet t’i ruajmë dhe po ashtu të ftojmë sa më shumë vizitorë të vijnë, sepse është një pasuri e veçantë e Kosovës që do të na shërbejë edhe në të ardhmen si një gjë e veçantë që Kosova ka, pra pasuri arkeologjike”.

Unike dhe kuptimplote janë gjashtë vizatimet e ukrainases Kateryna Repa. Në letra A3, ka sjellë portrete që duken shumë të thjeshta për nga forma që u jepet. Por vetëm nëse thellon shikimin kupton se ato vijëzime janë krijuar prej rrëfimeve të luftës në Ukrainë. Janë lajme të kobshme e histori të trishta. Jo gjithkush mund t’i shohë dhe kjo është edhe reflektim për situatën me luftërat në botë. Është projekt i ukrainases Repa për njerëzit dhe rrëfimet e atyre që vdiqën në luftën midis Rusisë e Ukrainës në vitin 2022. “Instalacion” i artistes Leonita Krasniqi është vepra që ngërthen dhjetëra pjesë të varura rend në tavanin e një pjese të hapësirës ekspozuese. Aty ka figura, shenja e portrete që u janë dhënë formë prej letrave të aluminit.

Artistja Majlinda Kelmendi, udhëheqëse e qendrës për art bashkëkohor “ExpoArt.40” që e organizon ekspozitën “Net/Rrjet” ka thënë se koncepti për të është lidhja e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë midis tyre.

“Net/Rrjet ka filluar në vitin 2008, është rritur me qindra artistë që kanë marrë pjesë ndër vite. Koncepti i saj, vetë fjala ‘rrjet’ tregon për rrjetëzim, vendosje të urave midis artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë për të ekspozuar më pas së bashku në qytetin e Prishtinës. ‘Net/Rrjet’ është me koncept bashkëkohor. Punimet që janë këtu janë të artistëve të cilët punojnë me një qëllim të caktuar për të përcjellë mesazhe, vepra të mediave të ndryshme. Siç e shihni kemi video, pikturë, fotografi, instalacion”.

Ka thënë se qëllimi është që pos sjelljes së frymave të ndryshme artistike, të njihet emri i Kosovës në botë nëpërmjet artit.

Kuratori, Zeni Ballazhi, ekspozitën e ka vlerësuar si diplomaci kulturore për Kosovën.

“Janë kryesisht mediume të ndryshme duke u nisur nga video, instalacioni, prezantime të fotografive, kemi edhe punime digjitale dhe kjo pjesë e bën më kreative këtë ekspozitë e prezantim të këtyre artistëve. E mira e kësaj ekspozite është se artistët vetëm kanë filluar të bëjnë këtë lloj marketingu në vendet nga ku vijnë. Shpresoj se në të ardhmen ky lloj bashkëpunimi të zgjerohet edhe më shumë se kaq, sepse ne kemi mundësi të bëjmë ekspozita edhe më të mëdha se kaq”.

Projekti multimedial “Net/Rrjet” i konceptuar nga artistja Majlinda Kelmendi ka filluar që nga viti 2008 me qëllim të afirmimit të kulturës artistike ndërkombëtare dhe vlerave të reja. Qysh atëherë, por edhe në edicionet e tjera në vazhdim, projekti kishte për tendencë zhvillimin dhe shkëmbimin kulturor dhe artistik ndërmjet rajoneve, artistëve me gjuhë dhe kulturë të ndryshme, duke hyrë në një garë, sa të mundimshme aq edhe të bukur nën fokusimin e arteve pamore. Çdo edicion kishte një koncept të veçantë, aktual, rezident të kohës, sugjerim, përmirësim, revoltë, ose edhe parashikim.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në qendrën “Barabar” për dhjetë ditë.