Ditë zie e ka shpallur Kosova të mërkurën, përderisa Shqipëria e ka bërë këtë edhe për të martën, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Ceremonia mortore do të mbahet nesër në Tiranë, përderisa sot, shkrimtari i madh shqiptar ka vijuar të kujtohet për veprën madhore të tij.
Një organizim i shpejtë e krejt i thjeshtë ka qenë edhe ai i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Mbledhja komemorative paraditen e së martës ka nisur me një minutë heshtje, por i pakët ka qenë numri i pjesëmarrësve. Shkrimtari më i madh shqiptar, vdiq mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit, Lulzim Lajçi ka përmendur disa nga arritjet e shkrimtarit gjatë karrierës së tij.
“Kadare ndër të tjera ka marrë dhe çmimin amerikan për letërsi për një kontribut të përjetshëm në shkrimet ndërkombëtare në vitin 2023. Në prezantimin e çmimit John Carey, ish-kritik britanik dhe kryetar i panelit, e quajti Kadarenë një shkrimtar universal me traditë tregimtare që shkon prapa deri te Homeri. Vitin e kaluar presidenti francez i dha atij çmimin ‘oficer i madh i legjionit të nderit, ai u nominua dhe për çmimin Nobel, duke thënë me një rast se shumëkush e beson që ai vërtet e ka fituar çmimin Nobel”.
Emin Kabashi studiues i veprës së Kadaresë, e ka titulluar fjalën e tij “Vdekje që i jep shpresë jetës”.
“Nuk kam çka të them me tepër se sa kane thënë shqiptaret për veprën e tij, se sa kane thënë francezet, anglezet, amerikanet, italianët, suedezet e të gjithë ato gjuhe të botës, në të cilat ka folur vepra e tij madhore. Sot bota flet me shqiptaret përmes gjuhës se veprave te tij, duke i vlerësuar ndër arritjet kulmore të artit, të fjalës, të mendimit, të ideve dhe të shtresimeve të jetës historike, të një populli që ka përballuar gjithë rrënojat e shekujve”.
Studiuesi Arben Hoxha, ka thënë se vdekja fizike e Kadaresë nënkupton mundësi të reja për brezat e rinj.
“Është një mundësi e re për ne dhe brezat që vijnë pas, për të hyrë në lidhje më të plota e më të fuqishme me mendjen e tij letrare si qenia e tij më lartë dhe e pavdekshme. Për të reflektuar mbi avantazhet që ajo ka krijuar dje dhe për ato që mund të krijojë në të ardhmen për konsolidimin dhe lartësimin e kulturës tonë letrare. Në këtë ditë të ikjes fizike të mjeshtrit shqiptar të përdorimit të fuqisë së mendjes letrare, Ismail Kadaresë, lavjerrësi i dhembjes tonë luhatet nga pika e respektit përulës te krenaria e ndërgjegjes zgjuese për gjithçka që ai i la trashëgimi shpirtit shqiptar”.
Përveç hapësirave mbarëshqiptare, Ismail Kadare është kujtuar edhe në mbarë botën. Mediat më prestigjioze kanë vazhduar të sjellin homazhe për shkrimtarin e përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Kadaresë do t’i jepet lamtumira me ceremoni shtetërore të mërkurën në Tiranë me homazhe publike në Teatrin e Operës dhe Baletit.