Me gjithë problemet që e shoqëruan procesin e ndarjes së çmimeve për teatër, duke përfshirë edhe akuza për favorizime, në Ministrinë e Kulturës të premten u mbajt ceremonia nderuese për laureatët.
Aktori Luan Daka është vlerësuar me Çmimin kombëtar për vepër jetësore, raporton KOHA.
“Ky çmim i ndahet artistit Daka duke u bazuar në kreativitetin e thellë, inovacionin dhe origjinalitetin që ai përfaqëson në fushën e artit demokratik, si në teatër, film, televizion dhe radio”, u tha ndër të tjerash në arsyetimin e jurisë.
Çmimi vjetor për regjinë më të mirë iu nda Elmaze Nurës për shfaqjen “Koprraci”, Çmimi vjetor për aktorin më të mirë Adrian Morinës për rolin e tij në shfaqjen “Unë jam vetë grua” e Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë iu nda Drita Begollit për shfaqjen “Erveheja”.
Ndërsa Çmimi i fundit, ai për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar që iu jepet produksioneve teatrore, në mënyrë unanime i është ndarë qendrës “Multimedia” e cila, sipas jurisë, “gjatë vitit 2019 kjo qendër realizoi disa prezantime ndërkombëtare nëpër festivale prestigjioze”.
Në emër të Ministrisë së Kulturës, çmimet për laureatë i dorëzoi zëvendësministri Engelbert Zefaj.
Juria ishte e përbërë nga pesë anëtarë: regjisorët Marigona Bekteshi, Agim Selimi e Jeton Ahmetaj, zyrtarja e MKRS-së, Zethane Bahtiri dhe dramaturgia Seadet Beqiri. Tre nga pesë anëtarët e jurisë dhe tre nga pesë laureatët punojnë pikërisht në Degën e Arteve Dramatike, ku ligjërojnë edhe tre prej laureatëve.
Në komunitetin artistik është çuar goxha pluhur për çmimet e teatrit. Pjesë e pesëshes së jurisë fillimisht ishte regjisori Fatos Berisha, i cili dha dorëheqje dhe u zëvendësua me Bahtirin.