EXPRESS

Muzika pa të drejta autoriale e kushte

Skena muzikore ka potencial e të ardhme të ndritur, por nuk ka zgjidhje të duhura të problemeve siç është zhvillimi i infrastrukturës dhe menaxhimi e mbrojtja e pronësisë intelektuale. Esencial është vlerësuar zbatimi i Ligjit për të drejtat e autorit në panelin e parë të edicionit të katërt të Konferencës së Muzikës në Prishtinë. Në ngjarjen që ka në qendër muzikën në dimensione të ndryshme, pozita e muzikës si katalizator për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, ka qenë njëra prej temave që ka bërë bashkë muzikantë e njohës të fushës.

Në panelin e Konferencës, “Recognizing music as a catalyst for economic and social development”, panelistë kanë qenë pianistja, profesoresha e muzikës e organizatorja e shumë ngjarjeve kulturore, Besa Luzha, producenti i muzikës Florent Boshnjaku, udhëheqësi i operimeve të festivalit “Sunny Hill”, Shpat Begolli, Robbert Baruch nga kompania botërore e muzikës “Universal Music Group” dhe ekspertja e muzikës Ieva Oxenbury, e cila edhe e ka moderuar panelin. 

Oxenbury ka thënë se muzika është pjesë e ADN-së së njerëzve në Kosovë. 

“Kemi pasur shumë takime kuptimplota dhe rëndësia e muzikës është shumë e madhe në këtë shtet. Shumë shpesh nuk mendojmë se çfarë është në prapavijë dhe çfarë bën muzika përveç asaj që ofron kënaqësi për njerëzit, për mirëqenien e tyre mendore, si është, si krijohet dhe si kontribuon në ekonomi e në mirëqenie sociale, identitetin kombëtar. Por sot do të koncentrohemi specifikisht në aspektin ekonomik dhe se si ajo kontribuon në sektorë të ndryshëm dhe jo vetëm për nga kreativiteti”.

Producenti muzikor Florent Boshnjaku ka përmendur Festivalin e Këngës në RTK që e ka drejtuar artistikisht për dy edicione, si përvojë të rëndësishme në karrierën e tij mbi 40-vjeçare në fushën e muzikës. Ka thënë se industria e muzikës në vend, gjatë luftës e ka humbur tërësisht kontekstin dhe gjithçka është dashur të niset nga e para.

“Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, industria ka qenë pak më e organizuar, mirëpo kur erdhi lufta, humbëm kontekstin që e kishim më parë, gjithçka ndryshoi dhe u desh të fillojmë nga e para. Kemi filluar të krijojmë lidhje dhe pastaj kemi ardhur deri në këtë pikë, siç është tani festivali ‘Sunny Hill’. Kur flasim se si është tash muzika në Kosovë, është shumë ndryshe, por ne kemi vuajtur për shumë kohë. Nëse flas për veten, jo të ankohem, por është me rëndësi të thuhet se këngët e mia kanë marrë pjesë në Eurovision nëpërmjet Shqipërisë”.

Në panel skena muzikore është prezantuar në disa dimensione. Profesoresha e muzikës e pianistja Besa Luzha ka prekur skenën e muzikës klasike duke kujtuar themelimin e institucionit të Filharmonisë së Kosovës. Ka thënë se sfida e parë ka qenë se duhej të punohej me të tjera pikëpamje që ekzistonin deri atë kohë. 

“Kur filluam çdo gjë me muzikën klasike, sfida e parë te ne ka qenë që të fillojmë të mendojmë me një tjetër mendësi. Kanë qenë vitet 2000 kur një grup muzikantësh kanë filluar ta krijojnë Filharmoninë. Kemi shkuar tek institucionet dhe gjëja e parë që kanë pyetur ka qenë se ku e kemi planin dhe buxhetin dhe askush nuk kishte përgatitur diçka. Në atë moment jemi sfiduar me shumë seriozitet, sepse ministrat e asaj kohe thoshin se nëse nuk sillet plani deri të hënën, nuk mund ta vendosim në diskutim dhe nuk mund ta krijojmë Filharmoninë”.

Robbert Baruch nga kompania botërore e muzikës “Universal Music Group” e ka konsideruar esencial luftimin e piraterisë dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit. 

“Është shumë i rëndësishëm krijimi i të ardhurave, infrastruktura muzikore, menaxhimi i të drejtave që në Kosovë, pothuajse janë zero, që nënkupton se këngën tuaj mund ta ngarkojë dikush tjetër dhe ju nuk përfitoni aspak. Duhet të gjendet audienca në nivel global, që do të thotë se duhet të kërkoni nga qeveritë tuaja të investojnë në eksportin muzikor, në marketing. Kjo është ajo ku edhe shtëpitë muzikore mund të ndihmojnë. Unë u them të gjithë njerëzve që nëse duan të hyjnë në karrierën e muzikës, të përfshihen në të drejtat dhe anën e biznesit, sepse nëse dëshironi ta ktheni talentin tuaj për biznes, duhet të dini për vetë biznesin”.

Udhëheqësi i operimit të festivalit “Sunny Hill”, Shpat Begolli, ka thënë se është e rëndësishme që festivalet, pos mbështetjes nga institucionet, të orientojnë mundësitë e përkrahjes edhe nga sektori privat. 

“Sa i përket anës institucionale është ligji i mbështetjes (sponsorizimit v.j.) ku festivalet mund të aplikojnë edhe në sektorin privat për të fituar mbështetje edhe nga ta. Kjo është ndihmesë shumë e madhe për festivale më të vogla, sepse mund të krijojnë mbështetje të ndryshme për nga mënyra se si financohen, jo vetëm nga sektori publik, por edhe ai privat. Në ‘Sunny Hill’ ka shumë për t’u bërë edhe nga ana e Komunës, por edhe e Qeverisë. Por duke marrë parasysh se është shtet në zhvillim, këta janë hapa që po merren në mënyrë graduale”.

Në Konferencën e Muzikës në Prishtinë u vlerësua se skena muzikore në Kosovë ka të ardhme premtuese, por se infrastruktura është vetëm në letër. Se duhet menaxhim më të mirë dhe se vendi ka nevojë për ngjarje edhe më të mëdha sesa ai i përmasave të “Sunny Hillit”.

Konferenca e Muzikës në Prishtinë, si zakonisht, edhe këtë edicion zhvilloi punime e aktivitete për tri ditë, nga 7 deri më 9 nëntor.