EXPRESS

Muzika klasike e frymëzuar nga meloditë rome – festë gjuhe e kulture

Kultura e pasur rome ka dëshmuar ndikimin e saj në segmente të ndryshme. Muzika është një ndër to. Kompozitorë të shquar janë frymëzuar nga meloditë e saj. Po me një pjesë të këtij opusi muzikor është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gjuhës dhe Kulturës Rome nga ansambli “Egnatia”. Në program ka qenë edhe poezia në gjuhën rome si formë e zgjedhur për promovimin e saj.

Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është veshur me ngjyrat e flamurit rom. Të paktën ngjyra të tilla u janë dhënë dritave që zbukurojnë perdet e sallës. Dy posterë të përmasave të mëdha kanë prezantuar ngjarjen.

Ansambli muzikor “Egnatia” me mysafir special perkusionistin Patris Berisha ka hapur programin muzikor me “Valle hungareze nr.1” e më pas me “Valle hungareze nr.5”. Meloditë janë shumë të bukura në këto vepra. Tek e para tema kryesore përsëritet disa herë, ndërsa te pjesa e dytë, që është shumë e njohur, janë përfshirë edhe perkusionet me të cilat lehtë luan Patris Berisha.

Pastaj është luajtur vepra “Gypsy soul” ku udhëheqësi i ansamblit “Egnatia”, violinisti Zeqir Sulkuqi, ka luajtur si solist pjesën me ritme të lehta por tejet delikate dhe melankolike të violinës solo. Në program kanë qenë edhe poezia “Romani Chib” e Kujtim Paçakut dhe tri poezi të shkurtra nën përcjellje të lehtë të muzikës nga ansambli. Ndonëse në gjuhë rome, një prej poezive, e interpretuar nga gazetari Denis Galushi, bazuar në mënyrën e interpretimit është e qartë se është një lloj ironie për pozitën e gjuhës rome. Poezi në gjuhën shqipe ka interpretuar aktorja Donika Ahmeti.

Koncerti nën emrin “Lacho drom” si një udhëtim muzikor përmes trashëgimisë rome ka sjellë repertor të veçantë dhe të larmishëm. Violinisti Zeqir Sulkuqi ka thënë se janë mijëra vepra të tilla në repertorin e muzikës klasike.

“Sot kemi vepra të tëra, kemi faqe muzikore me qindra e mijëra nga kompozitorë të shquar botërorë, siç janë Béla Bartók, Brahms, Franz Listz, të cilët kanë shkruar dhe janë frymëzuar nga këto tema të bukura, sepse muzika cigane të bën ta harrosh një hall, të bën të kujtosh një mik, shpreh bujari, dhimbje, gëzim. Ka një adrenalinë tepër të veçantë dhe të ngre pasionin për ta dëgjuar këtë muzikë”.

Koncerti është organizuar nga organizata joqeveritare “Foleja”. Drejtoresha e kësaj organizate, Gjyzel Shaljani, ka thënë se koncerti ka qenë moment promovues për gjuhën e kulturën rome. Është shprehur se me aktivitete të tilla synojnë vetëdijesimin e institucioneve shtetërore.

“Përmes këtij projekti ne dëshirojmë të vetëdijesojmë institucionet tona që të përdoret dhe të ruhet gjuha rome, përdorimi i saj nëpër institucione shkollore, në mënyrë që gjeneratat e reja të komunitetit rom ta njohin historinë, origjinën dhe ta mësojnë gjuhën dhe kulturën rome. U mbetet deputetëve që në Parlamentin e Kosovës ta ngrenë zërin dhe të zyrtarizohet 5 nëntori si ditë më e veçantë dhe e rëndësishme e identitetit të komunitetit rom”.

Bashkorganizatorja e ngjarjes, profesoresha e muzikës Besa Luzha, ka thënë se ansambli “Egnatia” ka qenë i duhuri për këtë koncert pasi e kultivon muzikën klasike të ndikuar nga kultura rome.

“Gjetëm një ansambël që e lëvron shumë këtë muzikë, pra muzikën klasike, por të frymëzuar nga melosi i bukur rom. Kështu erdhi ideja dhe ansambli dhe sot kaluam shumë bukur. Meqë ka qenë gjuha rome, donim edhe ta dëgjonim duke recituar. Unë për këto ditë sa kam punuar rreth programit, veç ia nisa ta kuptoj dhe ta pëlqej melosin dhe tingëllimën e gjuhës. Më vjen mirë që bashkëpunimi ishte i suksesshëm”.

Dita Botërore e Gjuhës Rome promovon gjuhën, kulturën dhe arsimin rom. Ajo festohet që nga viti 2009 më 5 nëntor.