EXPRESS

Ministria e Kulturës akuzon Komunën për cenim të Teatrit dhe Operës

Ministria e Kulturës e akuzon Komunën e Prishtinës se po ia cenon ndërtimin e Teatrit të Operës e Baletit dhe 2.5 milionë eurot e projektit të prezantuar tashmë. Për këtë ka ushtruar kallëzim penal, lëndë e të cilit është projekti komunal i ishullit urban që synon të lidhë lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë

Përplasjet midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës tashmë janë bërë lëndë për Prokurorinë e shtetit. Ministria e Kulturës ka ushtruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Projekti i Komunës për ndërtimin e “Ishullit urban, Arbëri – Pallati i Rinisë” që ka nisur të realizohet në nëntor të vitit të kaluar ka bërë që MKRS-ja ta akuzojë Ramën për cenim të 2.5 milionë eurove.

Projekti i Komunës kishte nisur të realizohet pa pëlqimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore megjithëse ishulli urban prek Pallatin e Rinisë që mbrohet me ligj si monument.

Po ashtu, projekti kalon edhe nëpër parcelën që vetë Komuna me 2022 e ka ndarë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Veç projektimi i kushton MKRS-së 2.5 milionë euro dhe kontrata tashmë është lidhur. Në anën tjetër, kontrata për ishullin urban është 6.5 milionë euro.

“Vitin e kaluar përkundër njoftimeve tona paraprake për Komunën, Komuna në shkelje të vendimit të Kuvendit të Komunës duke mos marrë pëlqim as nga autoritet e trashëgimisë as nga hekurudhat e ka nisur një projekt e ka bërë një kontratë dhe ka nisur pagesat kundërligjshëm.... ne kemi ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës për këtë projekt të kundërligjshëm”, ka theksuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Gjatë ditës së martë, KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por ka qenë e pamundur.

Përplasja midis dy institucioneve rrezikon projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit të prezantuar të hënën, vepër e arkitektit danez, Bjarke Ingels.

Paradoksale ishte prapaskena e nisjes së punimeve në nëntor për atë që Komuna e Prishtinës e ka quajtur “Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë”.

Hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës 
Historike të Prishtinës. Pas nisjes se ndërprerjes së punimeve në pjesën e Zonës Historike, Komuna ka kërkuar pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Por ky institucion e ka refuzuar projektin dhe ka kërkuar ndryshime me arsyetimin se është në hartim e sipër Plani i konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe projekti komunal ndërhyn Pallatin e Rinisë dhe Sportit që mbrohet si monument.