EXPRESS

“Menaxheria e qelqtë” në frymë klasike thyen dëshpërimin kolektiv

Një dramë familjare është në qendër të shfaqjes “Menaxheria e qelqtë”, nën regji të Ilir Bokshit e tekst të amerikanit Tennessee Williams. Publiku i premierës së shfaqjes në teatrin e qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena” të enjten mbrëma janë kthyer brenda kornizës së poetikës së teatrit klasik. Një zonjë shtëpie me kush e di sa halle nuk e zë vendi vend. Pjesa tjetër është histori që depërton te dëshpërimi kolektiv si emërues i përbashkët i shoqërisë së dikurshme me të sotmen.

Është një ambient banimi jo bash i zakonshëm por brenda kornizave për një familje me katër-pesë anëtarë. Edhe ata që nuk kanë dëgjuar asnjëherë për dramën veç nga skenografia mund të krijojnë një përfytyrim për atë që do të zhvillohet në skenë. Po ashtu vërehet se bëhet fjalë për një teatër më klasik sesa që shihet në skenën vendore kohëve të fundit. Një dramë familjare është në qendër të shfaqjes “Menaxheria e qelqtë”, nën regji të Ilir Bokshit e tekst të amerikanit Tennessee Williams.

Publiku i premierës së shfaqjes në teatrin e qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena” është kthyer brenda kornizës së poetikës së teatrit klasik. Një zonjë shtëpie me kush e di sa halle nuk e zë vendi vend. Është braktisur nga i shoqi, një alamet burri që punonte në një kompani telefonie dhe thuhet se kishte krijuar një romancë nga distanca.

Një fotografi e tij qëndron në shtëpi dhe është aso bandilli me një llullë në gojë. Imazhi i tij luhet nga Eshref Durmishi, njëkohësisht në rolin e Tomit. Është djali i një çifti të ndarë dhe në njëfarë forme ka barrën e zgjidhjes së problemeve të së ëmës e motrës së tij. Arsyetimin se po shkon në kinema e ka mbulesë për daljen e tij nëpër pijetore. Laura (Qendresa Kajtazi) është e pasionuar pas figurave të qelqta. E gjen qetësinë e ka njëfarë shërimi nga komplekset që nuk e lëshojnë asnjëherë shkaku i çalimit. Amandan (Irena Aliu) nuk e zë vendi vend. Jeton midis një rrëmuje mendore: braktisja nga bashkëshorti, hallet e vajzës me telashe shëndetësore e meraku se mos i biri i është dhënë pijes. Situatat komike s’janë të vogla, por edhe droja e dhimbja njerëzore po ashtu.

Drama e inskenuar për herë të parë më 1944, shpesh duket sikur i flet realitetit të sotëm. Skenat janë fort reale, por nganjëherë mund të duken edhe surreale. Situatat e humorit janë të pranishme thuajse gjatë gjithë kohës. Problemet ekonomike gjejnë vend në atë shtëpi bash sikurse në kohët tona kur faturat rriten dita-ditës. Krejt ngjarjet zhvillohen brenda mureve, por personazhet janë tejet universale. Pa u sforcuar, aktorët sjellin realitetin para publikut. Është njëfarë realizmi i teatrit që regjisori Bokshi e ka kthyer në skenë jo pa qëllim.

“Ia kam bërë pak si kushtëzim vetes që të ketë më pak personazhe. Është një tekst që e kam përpunuar qëmoti. E kam shumë për zemër. Është një dramë amerikane që besoj që përket edhe me temat e sotshme. Një dramë familjare. Një moszgjidhje e një dëshpërim kolektiv që më duket se na ka kapur edhe ne kohëve të fundit, duke filluar nga krizat ekonomike, politike e shoqërore me të cilat po ballafaqohemi edhe sot”, ka theksuar ai.

Bokshi është mjeshtër i teksteve të dramaturgëve amerikanë. Kësaj radhe ka dashur të ndalet te teatri klasik, pasi i duket se publiku e jo vetëm ka nevojë për një format të tillë. Ka reflektuar pak i lodhur nga inskenimet bashkëkohore që kanë kapluar edhe skenën vendore.

“Kam dashur t’i kthehem një formati klasik. Një realizim realistik e shumë poetik. Kam dashur që poetika e shfaqjes të na vijë të gjithëve. Besoj që herë pas here kemi nevojë që të kthehemi të klasikja. Kam dashur një tekst dhe një shfaqje të ndejtur, njerëzore”, ka thënë ai.

Shfaqjeve të tilla ku skenografia – në këtë rast e Petrit Bakallit – ka goxha rol, janë e kundërta e teatrit bashkëkohor ku shfaqjet janë njëfarë fletërrufeje aktive e protestave kundër ngjarjeve a fenomeneve të ndryshme.

Aktori Edi Kastrati ka thënë se do të veçonte regjinë dhe lojën e aktorëve.

“Ky zhanër e kjo lloj shfaqjeje e kërkon një përkushtim të tillë. E kërkon një ambient ashtu siç e pamë. Mossocializimi në këtë rast, gjërat që na rrethojnë, mbyllja në vete e disa pika të kësaj vepre të verifikuar botërisht, e kërkon një qetësi të tillë. Pakëz vërejtje te publiku me telefona me dritë të madhe duke bërë fotografi”, ka deklaruar ai.

Sipas Kastratit, aktorët gjithnjë e paramendojnë edhe veten në ato rrethana të skenës.

“I komplimentoj aktorët. Shpresoj që shfaqja të ketë jetë të gjatë. Besoj do të pushojë pakëz në binarët e vet dhe do të ecë”, ka theksuar ai.

Kjo ishte premiera e dytë për këtë vit në teatrin “Muharrem Qena”. E para qe “Kontesha Arduini” me tekst të italianit Aldo de Benedetti nën regji të Marigona Bekteshi-Feratit.

“Menaxheria e qelqtë” është teatër i njëmendtë, aso që gjen kohën e vet në çdo kohë. E problemet familjare e shoqërore që paraqiten aty janë dramë e përhershme. Ashtu sikurse situatat komike brenda problemeve familjare.