EXPRESS

“Megalomani” vë në skenë efektet negative të shoqërisë

“Megalomani” bën bashkë teatrin e vallëzimit. Shfaqja nëpërmjet gjuhës së trupit e kërcimit shpalos absurditetin e efektet dhe pasojat e megalomanisë. Madhështia e njeriut shkon përtej. Injoranca e vetëbesimi të pakufishëm.

Kryepersonazhi i emërtuar sipas fenomenit, që në fillim e prezanton veten dhe publikun e bën ta kuptojë dozën ekstreme të megalomanisë në karakterin e tij. Ai i referohet vetes si poet, filozof, gjithçka. Nuk kanë rëndësi veprat, dëshmitë. Ai është i bindur për këto epitete.

Këto mesazhe i dërgon tek publiku e me to e ngacmon atë. Nuk ka nevojë për ndërmjetësues për ta bërë këtë. Nuk ka pengesa midis tij dhe atyre që kanë qenë të shtunën mbrëma në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për ta ndjekur shfaqjen që është produksion i koreografit Robert Nuha.

Shfaqja ishte dhënë edhe më parë,  por kësaj here me një tjetër format. Nuha e ka konsideruar si shfaqje me humor të zi në vetvete që tallet me absurditetin në shoqëri.

“Ne përgjithësisht punojmë me tema të cilat i përkasin teatrit të angazhuar. Një lloj teatri opozitar nëse mund ta quajmë dhe që prek tema të ndryshme, problematika, momente në të cilat ndodhet shoqëria, bën thirrje për sensibilizim në çështje të ndryshme, të drejta të njeriut. Prek edhe tema universale për botën në të cilën jetojmë. Përgjithësisht mundohemi që teatrin që e kultivojmë, përpos atraktivitetit që mund ta sjell, gjithashtu të japim një lloj mesazhi, fryme, apo ta ngacmojmë publikun për problematika të caktuara që shoqëria jonë ka”.

Skena të veçanta çojnë në mendje tek sensacioni në të cilin publiku përqendrohet në situatat më serioze. Shpesh dehen nga ndikimi i megalomanisë. Është një lloj dehje që ngjan e nevojshme për mbijetesë. Sepse atëherë nuk e ndiejnë influencën që vjen prej megalomanit.

Ngjarja zhvillohet në shumë drejtime. Sa shkon e zhvillohet, definohet përherë më shumë megalomani. Por ndërtohet edhe personaliteti i viktimës. Të gjithë janë, por kryesori njëri prej tyre. Ai që mundohet ta luftojë. Ky është roli i Qëndrim Makollit.

“Roli im është i kundërt me megalomanin sepse unë gjithmonë, siç shihet edhe në shfaqje, jam kundër tij. Mundohem t’ia marr pushtetin edhe pse nuk ka qenë e mundur, por krejt kohën tentoj. Derisa përfundimisht rrëzohem dhe i përkulem, sepse vetëm ai është i përjetshëm”.

Aktori Patriot Osmani ka thënë se shfaqja ka qenë e rëndë në një masë, por se procesi i provave ka qenë një lloj shërimi.

“Në fillimet e saj ishte pak e vështirë pasi është një shfaqje që kërkon impenjim të madh fizik por me kohën është bërë organike. Ka qenë punë e madhe dhe besoj se është parë edhe prej procesit. Fillimi ka qenë shumë i vështirë, duke parë dukurinë që tek ne është fatkeqësisht shumë e shfaqur, por me kohën e kuptuam se është një shfaqje sensibilizuese. Pak më shumë për faktin se na bën të mendojmë se nuk duhet të jemi shoqëri e tillë”.

Në shfaqje luajnë edhe Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Albiona Sahiti, Lirilinda Krasniqi dhe Enis Mulaku.

Shfaqja kulmon kur personazhi kryesor humb fuqinë për të vepruar mbi pjesën tjetër si të ishin instrumente. Qoftë edhe nëse bëhet fjalë për ringjallje. Nuk i binden as kur ai zvarritet për ringjalljen e tyre. Ndonëse këtë e bëjnë, vetëm për ta bërë atë viktimën e vetme. Viktimë të vetvetes.