Ato që njihen si veprat klasike të dramaturgjisë, konsiderohen të tejkohshme. Veprat e William Shakespeare-it inskenohen gjithandej botës. Njëra prej tyre është rikthyer në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kur një gjenerali në emër i hyn mendja që të bëhet mbret ai ia del. “Makbethi” me një kastë aktorësh – shumica prej më të mirëve që ka Kosova – ka kthyer para publikut tragjedinë më të madhe dramaturgjike.
Për afro tri orë në premierën e shfaqjes, nën regji të Qëndrim Rijanit, të martën mbrëma publiku është përballur me tiraninë që s’njeh kufij.
Makbethi që portretizohet nga Adrian Morina dhe gruaja e tij, që luhet nga Gresa Pallaska, janë në gjendje që të bëjnë gjithçka për pushtet.
Kasta e aktorëve ku luajnë edhe Shkëlzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku e të tjerë, sjellin tragjedinë e mesjetës, më të përgjakshmen në skenë teatrore.
Por vrasësi për pushtet nis t’u hyjë paranojave e të çmendet së bashku me bashkëshorten. Shfaqja – prej më të mëdhave, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës – vjen në një kohë kur bota është kapluar nga luftërat e konfliktet.
Makbethi arrin të jetë tiran i nivelit sa nuk mbijeton dot pa gjakun e njerëzve. Por, sipas aktorit që portretizon përbindëshin, gjërat s’kanë ndërruar. Ka veç degradim.
Historia mesjetare si shfaqje është përshtatur edhe me rekuizita bashkëkohore, përderisa disa instrumentistë anash skenës e plotësojnë njëfarë hibridi teatror. Por, baza mbetet e njëjtë: vrasjet për pushtet. Tragjedia shoshit fort egon njerëzore dhe nxjerr në pah se humbja e arsyes çon në shkatërrimin e popujve. Historia e Makbethit është prej më të trishtueshmeve, përderisa si inskenim vjen me mesazhin që arsyeja të funksionojë përballë egos.