EXPRESS

Maestrot zbërthejnë botën e kitarës në Prishtinë

Ka nisur me emra si Artem Yasynskyy, pianisti virtuoz nga Ukraina, pjesë e programit kishte qenë dhe kuarteti i Fabrizio Bossos nga Italia me jazz-muzikë nga Italia, por në koncertin e nëntë të “Chopin Piano Festit” kryefjalë ka qenë kitara me  Kuartetin Kroat në përbërje të Zoran Dukiqit, Petrit Çekut, Maroje Brçiqit dhe Tvrtko Sariqit. Numri i madh i të pranishmëve ka qenë sfidë logjistike, ani pse organizatorët mundësuan që gjithsecili të akomodohej disi.

Sa herë që Petrit Çeku mban koncert, kurdo dhe kudo, mundësia që të shndërrohet në ngjarje madhore në skenat e vendit është më se evidente. Rrëfimi i tij nëpërmjet kitarës është i pashtershëm dhe pjesë nga ky rrëfim ai i ndau për artdashësit në Prishtinë bashkë me emra të njohur të kitarës klasike në Kroaci.

Kuarteti Kroat i Kitarave është një shembull i shkëlqyer i ekselencës muzikore kroate. I njohur ndërkombëtarisht kuarteti e dëshmoi mjeshtërinë edhe me “Chopin…” në kuadër të kremtimit të Ditëve të Kulturës Kroate në Kosovë, të zhvilluara në bashkëpunim me Ambasadën e Kroacisë.

Katër kitaristët mbajtën koncertin e tyre të parë së bashku në vitin 2016. Prej atëherë kanë realizuar turne në Kroaci, Itali, Slloveni dhe Republikën Çeke. Ata morën çmimin “Orlando” nga Radiotelevizioni kroat për koncertin e tyre në Festivalin Veror të Dubrovnikut në vitin 2017.

Në vitin 2020, ata emëruan ansamblin e tyre Kuarteti i Kitarës Kroate dhe publikuan albumin “Guitarrismo” të nominuar dy herë për çmimin “Porin”, nën etiketën e Croatia Records. Albumi i tyre i dytë, “Bagatelles for Home Use” u lansua në vitin 2022 me shtëpinë diskografike “Cantus”.

Ndërkaq për publikun kosovar kishin zgjedhur që programi të endej nga veprat e Luigi Boccherinit, Antonio Vivaldit, Astor Piazzollas, Mirosllav Miletiqit, Gordan Tudorit, Sergei Prokofiev dhe Zoran Juraniq.

Mbrëmja nisi me “Fandago” nga Bocherini, atmosfera u mbërthye nga ritmet që e karakterizojnë pasionin e vallëzimit spanjoll me po të njëjtin emër. Ndërkaq e luajtur nga një kuartet kitarash, vepra mori një dimension edhe më intim. Një element tjetër i veçantë i “Fandangos” është edhe përdorimi i kastanjetave gjatë performancës. Atë e bëri pikërisht Petrit Çeku duke i shtuar autenticitet performancës që entuziazmoi audiencën qysh në fillim të koncertit. 

Vetë Çeku i cili rëndom është fjalëpakë në paraqitjet e tija dhe vëmendjen e imponon nga performanca, në këtë koncert ka bashkëbiseduar me publikun vendas gjatë intermexove të veprave. I paralajmëronte veprat që do luanin, me doza të lezetshme humori. Pika e dytë e koncertit qe rezervuar për Vivaldin dhe Piazzollën, dhe veprat e tyre respektive të shkruara për stinën e dimrit. Temën e tyre Çeku gjatë prezantimit e cilësoi si të “përshtatshme”, me shaka,  duke rezultuar në një shtendosje të publikut.  Unike si prurje qenë dhe dy pjesë të baletit klasik “Romeo dhe Zhuljeta” të shkruara nga Prokofievi. Nëpërmjet kitarave u përcoll emocioni tragjik dhe drama e fabulës së vetë veprës, por në një dimension më unik. Fundi i koncertit u shënua me “Concierto para Quinteto” të Astor Piazzollas, si një kompozicion që përshkruan esencën e Nuevo Tangos, një zhanër i nisur nga vetë kompozitori argjentinas. Kuarteti Kroat i Kitarës kombinoi elemente të muzikës klasike me intensitetin ritmik dhe përmbajtjen melodioze të tangos argjentinase. Edhe pse kjo vepër luhet zakonisht me një sërë instrumentesh si me bandoneón, violinë, piano dhe kontrabas, me të katër kitarat e mjeshtreve nga kuarteti nuk u vu re mungesa e asnjërës prej tyre. 

“I shkëlqyer” ka qenë vlerësimi i parë që këtij koncerti i ka dhënë profesori dhe dirigjenti Rafet Rudi. Emrat si Zoran Dukiq e Petrit Çeku ai i vlerëson lart ndërkaq, sipas tij, Kroacia është kontribuuese direkte e kitarës në lëmin e klasikes për Ballkanin.

“Më pëlqeu prezantimi i muzikës kroate. Kitara ka hyrë në këto treva të Ballkanit përmes kitaristëve kroatë. Gjithashtu them se festivali që po organizohet tash dhe festivale të tjera mendoj se po bëjnë një punë shumë të madhe në popullarizimin e muzikës klasike dhe në ngritjen e nivelit të publikut që tashmë është i respektueshëm”.

Për organizatorët e festivalit, ideja që Petrit Çeku të bëhej pjesë  e “Chopin...” kishte qenë e kahershme, por tash me kuartetin për ta kjo mbrëmje vjen si një dhuratë për audiencën dhe festivalin. Për drejtuesen organizative të festivalit, Besa Luzha, organizimi për këtë koncert kishte qenë më sfidues nga të tjerët për shkak të interesimit të madh.

“Shijuam së bashku një koncert në këtë sallë, që për instrumentin e  kitarës e ofron një akustikë shumë të mirë, arritëm të dëgjonim nuancat më të bukura të këtij instrumenti, pianisimot, dhe një frymim shumë natyral mes katër muzikantëve me një repertor shumë interesant. Ishte një udhëtim përmes kitarës”.

Koncerti i së mërkurës mbrëma ka rëndësi të veçantë dhe për kitaristin Petrit Çeku. Loja krahas Zoran Dukiqit, përballë audiencës së vendit prej të cilit vjen Çeku, për të do të shënohet në kujtesë.

“Koncerti i sotshëm është i posaçëm për mua, sepse u paraqita me disa kitaristë që personalisht i adhuroj, mes tyre duhet të cek që ishte dhe Zoran Dukiqi, i cili në botën e kitarës konsiderohet si influenca më e madhe e kitarës klasike. Ne kemi një mikrobotë të vogël në të cilën jetojmë dhe në të cilën Zoran Dukiqi është njëri ndër emrat më të rëndësishëm. Ai më ka inspiruar mua qysh prej moshës 15 e 16-vjeçare, kam dëgjuar incizimet e tij dhe jam orientuar nga vlerat estetike të tij. Tash më vjen mirë që në Prishtinë u ktheva me Zoran Dukiqin, kjo është si një ëndërr e realizuar, andaj jam shumë i emocionuar sonte” .

Pas duartrokitjeve të gjata nga audienca, katërshja u detyrua të kthehej disa herë në skenë. “Diçka braziliane”, siç e paralajmëroi Çeku, ishte si dhuratë për publikun.