EXPRESS

“Lenorë: Emotional Exhibition” kërkon dritë në luftë

Teatri “Dodona” ka qenë skena ku janë kthyer kujtimet e kohëve të trishta në Kosovë. Monologë, poezi e fragmente prej veprave të 13 autorëve botërorë bashkohen si mozaik emocionesh me shfaqjen “LENORË: Emotional Exhibition”. Në qendër është dashuria e dy të rinjve, të cilëve lufta ua shuan ëndrrat dhe jetën

“Lenorë: Emotional Exhibition” është një eksplorim poetik ndjenjash. Kthen kohën prapa, përdor simbolika për ta ilustruar kohën e luftës. Bazuar në vargje e tekste autorësh të njohur botërorë prej Prévertit, Bukowskit e deri te Wilde, Neruda, Pushkini apo Becketti, në thelb ka dashurinë në kohë të trishta. Është një lloj kërkimi i dritës në luftë. 

Me dramatizim e regji të Bashkim Ramadanit, është dhënë premierë të mërkurën në teatrin “Dodona” skena e të cilit ishte shndërruar një lloj rezistence e shqiptarëve në vitet ’90, aty ku kthehet edhe shfaqja “Lenorë: Emotional Exhibition”.

Mbyllja e institucioneve shtetërore, ora policore, lufta dhe periudha e pasluftës, janë kapitujt e historisë e të shfaqjes. Në qendër është historia e një çifti të ri, Lenorës dhe Adrienit, të cilët dashurohen, martohen, por ndahen brutalisht nga lufta.

Shfaqja hapet me narratorin Armend Zeqiri, i cili nëpërmjet retrospektivës rrëfen përjetimet e popullit shqiptar në atë periudhë, duke përmendur edhe mbylljen e kafeneve, me përjashtim të një pijetoreje ku të rinjtë kalonin kohën, por ankoheshin për muzikën e lartë. Më pas në skenë shfaqen Valmira Hoti si Lenora dhe Rifat Smani në rolin e Adrienit, në një lokal me muzikë tekno, që shoqëron fillimin e vrullshëm të dashurisë së tyre.

Ngjarjet zhvillohen me martesën e çiftit dhe ndërpriten nga lufta, kur ata ndahen dhunshëm nga ushtria serbe. Lenorë bie pre e përdhunimit nga disa ushtarë serbë. Adrien burgoset, duke përjetuar tortura nga të cilat pak veta arrijnë të mbijetojnë.

Regjisori Bashkim Ramadani ka thënë se sfida kryesore ka qenë ardhja deri te tregimi kryesor sikurse edhe kombinimi i tekstit dhe kontekstualizimi i tij. Janë përdorur tekste të 13 autorëve botërorë. 
“Teksti është poetik, edhe shfaqja, edhe koncepti, edhe vizioni regjisorial kanë qenë një poetikë e veçantë në kuptimin edhe të realizimit skenik me të gjithë arsenalin, si skenografik të rekuizitës dhe të mjeteve të tjera skenike me të cilat jemi shërbyer për të thënë atë çfarë kemi dashur ta themi”, thekson Ramadani.

Ideja fillestare ka qenë që “Emotional Exhibition” të titullohet shfaqja në mënyrë që poezia ta mundësojë lojën me emocionet në të gjitha ngjyrat e mundshme. E, procesi ka qenë sfidues. 
”Po them sfidë, sepse është hera e parë që unë merrem me dramatizimin e një teksti nëse mund ta quaj, qe ta sjellim një tekst dramaturgjik, pastaj të sjellim një tekst skenik, siç e pamë sonte, i përcoptëzuar në atë formë edhe i rrumbulluar në këtë formë ashtu siç e shfaqëm”, shton Ramadani. 
Deri te dalja në skenë, procesit i ka paraprirë një analizë e tekstit dhe e personazheve në mënyrë që të kapen momentet kryesore të një periudhe kohore me të cilat janë përballur shqiptarët e Kosovës nën regjimin serb. E ajo është shënuar me ngjarje të shumta.

“Si ngjarje, si pjesë e etapës së historisë sonë është realisht një etapë që kanë ndodhur shumë ngjarje dhe ka qenë ndoshta shumë vështirë t’i përthekojmë dhe t’i shtiem të gjitha ato ngjarje, por të mundohemi t’i përzgjedhim ato që janë më kryesore dhe t’i sjellim përmes këtyre personazheve. Kështu që nuk ka qenë e lehtë se është dashur të bëhet një analizë goxha e thellë e njerëzve dhe situatave që kanë qenë gjatë atyre kohëve, e mënyrës se si kanë reaguar ndaj atyre kohëve duke iu përshtatur protestave, stilit të jetesës, ndaljes së lëvizjes, limitimit të lëvizjes”, deklaron narratori Armend Zeqiri. 

“Lenorë: Emotional Exhibition” me skenografi të Burim Arifit e kostume të Blendina Xhemës përmbyllet me vdekjen e Lenorës. Adrieni i mbetur vetëm përpiqet të jetojë me kujtimet për të në periudhën e pasluftës. Ashtu siç përshkruhet, ajo lë jehonë të përjetshme mes kujtimeve, dhimbjes dhe ëndrrave të thyera.