EXPRESS

Lamtumira e fundit Kadaresë

Amaneti i tij ka qenë të varroset në rreth të ngushtë familjar. Ismail Kadare nuk i donte tubimet, por ka qenë e pamundur që fjala e tij të respektohet në përpikëri. Kolosit të letërsisë të mërkurën në Tiranë i është dhënë lamtumira e fundit. Nxjerrja e arkëmortit me trupin e tij për në varrezat e Tufinës është shoqëruar me duartrokitje dhe hedhjen e karafilave të bardhë. Kjo ka qenë lamtumira e fundit, ndarja fizike me të, por vepra që ka lënë pas, trashëgimia e tij, jehon përjetësisht.

Varrimit i kanë paraprirë homazhet e  qindra qytetarëve në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe ceremonia lamtumirëse.

Personalitete të shquara të botës shqiptare e më gjerë kanë marrë pjesë në ceremoni.

Vetëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalim.

Ka thënë se e Kadare e ngriti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj

Rama ka folur edhe për ceremoninë mortore, e propozimet e shumta për vendvarrimin e tij.

“Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën tim në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshme të rastit, por të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se e kërkon detyra, por dhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Kështu ky nder kaq i posaçëm përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë arkëmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, mu bë dhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, me nderimet, me fjalimet” .

Ani pse ishte paralajmëruar si ceremoni private, jo të paktë kanë qenë pjesëmarrësit në varrim. Aty kanë folur edhe të bijat e shkrimtarit të madh.

Besjana Kadare ka pasur edhe një mesazh.

“Jemi shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri. Ai është ngritur në panteonin e gjenive të botës. Një nga mënyrat për t'i bërë homazhe, është t'i lexojmë përsëri veprat e tij”.

Kadare është shkrimtari i parë shqiptar që u bë i njohur botërisht. Prej gjigantit të letërsisë e deri te romancieri që ia  zbuloi shqiptarët botës, janë disa prej epiteteve për Kadarenë, vepra e të cilit është përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Shkrimtari i njohur shqiptar Fatos Kongoli, pas homazheve e ka cilësuar Kadarenë si shkollë letrare të gjuhës shqipe.

“Si autor është histori e gjatë, por e kam adhuruar gjithmonë si autor. Viteve të fundit u miqësuam shumë...Na ndodhte që të takoheshim në raste të ndryshme festash. Ismaili ishte çliruar komplet nga gjithçka dhe fliste në mënyrë të lirshme. Ismaili është shkollë letrare e fenomen letrar”

Ditë zie kanë qenë e marta dhe e mërkura në Shqipëri, kur flamujt janë ulur në gjysmështizë. Edhe Kosova ka mbajtur zi të mërkurën. Kur po varrosej, në orën 13:00 është mbajtur një minutë heshtje... Por nuk heshtin nderimet e kujtimet për të. Njësoj sikurse vepra madhore e Ismail Kadaresë.