Shkëlqimi vizual i veprave të Shqipe Kamberit është si reflektim për shenjat e gruas në të kaluarën. Por, aty fshihet ana e trishtë. Në anën tjetër, veprat e Mjellma Goranci-Firzit janë kontraste. Aty është gruaja moderne. “Ky është një titull i fuqishëm” i ka bashkuar dy rrëfimet për gruan në pozita krejt ekstreme, në Hamamin e Madh të Prishtinës, monumentin e harruar prej kohësh e të lënë pas dore, që ruan një kujtim edhe për gruan
“Ky është një titull i fuqishëm” nuk është frazë e thjeshtë. Si koment vjen titulli i ekspozitës, aty strehohen veprat që flasin për fuqinë e dobësinë e gruas, për kohën kur krejt çfarë zotëronte pas martesës ishte vetëm paja e saj. S’e kishte në dorë as jetën.
Veprat e Shqipe Kamberit dhe të Mjellma Goranci-Firzit përballin gruan në kohë tradicionale e atë në kohë moderne në Hamamin e Madh të Prishtinës, monumenti i shpërfytyruar e lënë kaherë pas dore e që ringjallet kohë pas kohe me ekspozita të tilla.
Shkëlqimi vizual i veprave të Kamberit është si reflektim për shenjat e gruas në të kaluarën. Janë dy ekstreme aty. Në veprat e shpalosura vertikalisht, që janë punëdore nga gratë, tejet të bukura, me plot ngjyra e me dekore, ana e trishtë është plumbi i vendosur në një shami. Është një pajë tipike e një vajze të sapomartuar në një shoqëri që ndjek ligjet e Kanunit. Atë që njihej si fisheku në pajë.
Në anën tjetër, dy vepra me dimensione të mëdha i qëndrojnë përballë dhe sikur konfrontohen. Derisa e para, ku veprat flasin pa figurën e gruas në to, është si një lloj simbolike e fshehjes së gruas, në ato që përcaktojnë kohën moderne e shfaqin atë me forma konceptuale, por prapë tejet bukur, me plot ngjyra, me shenja që lidhen me profesione, vizion e të ardhme.
Ato paraqiten me flokë me ngjyra, me qafë të gjatë, trupa të ndritshëm të veshur me ngjyrë ari. Reprezantojnë gratë e fuqishme e ato që nuk e kanë hall thyerjen e barrierave.
Autorja e këtyre veprave, Mjellma Goranci-Firzi, ka thënë se prezanton gratë e fuqishme që udhëheqin institucione, por që në të njëjtën kohë kanë edhe përgjegjësi familjare.
“Sot një femër e fuqishme është ajo që udhëheq shtet, institucion, krijon, ka një karrierë të bujshme, barabar me atë të gjinisë së kundërt, por përgjegjësitë familjare ende janë të shprehura. Unë jam krenare me figurën e femrës shqiptare, andaj edhe ato që i sjell unë janë të gjata, kanë qafë të gjatë, janë krenare, kanë bukurinë, janë të stolisura. Janë nëna, shtëpiake, presidente, artiste, mësuese, profesoresha e çka jo tjetër”, tha Goranci-Firzi.
Kjo, sipas artistes, pasi ndonëse në kohë moderne ende në supin e gruas janë ato që i quan si mbeturina të bartura nga tradita. Vepra e saj është e ndikuar nga ajo histori që prezanton artistja Kamberi.
“Shqipja prezanton një histori shumë të trishtë të femrës shqiptare, ndërsa unë, përballë një realiteti shumë të dhimbshëm të historisë, prezantoj një femër bashkëkohore të sotme, e cila është një figurë shumë e fuqishme, që ka shumë përgjegjësi, sakrifica. Një femër e sotme, e cila me kohë është avancuar, ka pozitë shumë më të mirë sesa e kemi pasur më herët. Por, ende jetohet me një peshë shumë të madhe, ku femra e sotme është shumë e bukur, shumë madhështore, por megjithatë i barten mbeturinat nga tradita, përgjegjësitë familjare e morale”.
Veprat e tyre përplasen ballë për ballë me njëra-tjetrën dhe komunikojnë me rrëfimet për kohë të ndryshme.
Artistja Shqipe Kamberi ka thënë se është munduar ta vizualizojë “një nen të Kanunit, i cili i jep të drejtë burrit ta vrasë gruan”.
“Është nen i cili thotë se kur babai e çon vajzën për martesë, me gjithë pajën ia jep edhe një fishek. Jam munduar këtë ta paraqes në këtë vepër”, tha Kamberi.
Ka theksuar përballjen e kohërave në këto vepra.
“Si figurë kryesore Mjellma dhe unë e kemi gruan dhe jemi munduar ta përballim. Unë gruan e së kaluarës e Mjellma me gruan e sotme. Një grua e Mjellmës, e fortë, krenare, e pavarur, ndërsa e imja totalisht e varur nga të tjerët, e shtypur. Këtë përballje kemi dashur t’ia tregojmë publikut, ta ballafaqojmë një të kaluar dhe një të tashme. Por, nuk do të thotë se kjo e imja nuk përkon edhe sot”.
Ekspozita që përfshin gjithashtu një performancë artistike nga artistja Agnes Nokshiqi e përcjellë nga kori “Zanat”, që gjithashtu ka kënduar këngë të bukura shqipe, është kuruar nga Vullnet Jakupi.
Ai ka thënë se në titull lehtë mund të zënë vend fjalët grua, nënë, motër e vajzë.
“’Është një titull i fuqishëm’ pasi e ka një peshë shumë të madhe dhe nganjëherë harrojmë t’i kuptojmë dhe t’i rikujtojmë këto histori. Ekspozita ku ndodhemi sot është në Hamamin e Madh të Prishtinës, që është ndërtuar në fundshekullin e 14-të dhe në fillimshekullin e 15-të. Ky objekt ka shërbyer si vendtakim midis burrave dhe grave”, tha Jakupi.
Artisti Eshref Qahili i ka vlerësuar të guximshme veprat e artisteve.
“Shqipja me këto draperi, me veshje kombëtare, më lë përshtypje me këtë version ndryshe nga ai që jemi mësuar ta shohim me portrete, me nuse, me figura. Më pëlqejnë gjithashtu veprat e Mjellmës, e cila ka pasur një guxim për të bërë një format të madh dhe në këtë rast Mjellma ka bërë dy. Është për t’u lavdëruar që një artiste e jona bën punë të tilla”, tha Qahili.
Të mërkurën mbrëma, kur është hapur ekspozita, Hamami është ndriçuar me ngjyrë portokalli, pasi ajo mbahet në kuadër të “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. “Ky është një titull i fuqishëm” vlerësohet se ambienti historik i Hamamit “ia përforcon mesazhin e fuqishëm që arti mund të jetë një forcë e ndryshimit, duke ndihmuar në ndërprerjen e cikleve të dhunës dhe promovimin e respektit ndërmjet gjinive”.