EXPRESS

“Kufiri i kuq” midis shqiptarëve armiq të njëri-tjetrit

Ishte kufiri që shqiptarët nuk i ndante vetëm fizikisht. Për gati gjysmë shekulli, ndau letërsinë, artin e kulturën në përgjithësi. Kush provonte ta kapërcente, dënohej keqas. Ishte “kufiri i kuq” i komunizmit që lahej me gjak. Shqiptarët u tëhuajtën prej njëri-tjetrit. U shndërruan edhe në armiq. Disa guxuan edhe ta kapërcejnë. Dokumentari “Kufiri i kuq: T’huej mes t’vetve!” në hapjen e festivalit “Republika” që vjen në përvjetorin e Pavarësisë, sjell rrëfimet e dorës së parë për atë periudhë

Dokumentari “Kufiri i kuq – T’huej mes t’vetve!” fakton ndarjen prej gati një gjysmëshekulli midis shqiptarëve i cili ndau edhe artin e letërsinë shqipe si pasojë e regjimit totalitar komunist. 
Aty shtjellohen persekutimet, zhvillimi dhe kontrolli në krijimtarinë e autorëve, sikurse edhe guximi i tyre për të kaluarën kufirin që shënonte izolimin total të shtetit të Shqipërisë. Shumë shkrimtarë patën guximin të shkruajnë, e botuesit të botojnë. Këto personazhe janë edhe protagonistë në dokumentarin me skenar të Admirina Peçit, nën regji të Rezart Shehut. 

Në “Kino Armata”, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Republika”, “Kufiri i kuq…” u vlerësua si dëshmi e ndarjes 45-vjeçare e artit dhe letërsisë shqiptare dhe si homazh për ata që u përndoqën dhe persekutuan për veprimtarinë e tyre. Ky rrëfim e ka hapur edicionin e shtatë të festivalit, të premten pasdite. 

Poeti Primo Shllaku e nis rrëfimin me deklaratën e tij se historia e Shqipërisë dhe Kosovës u ndal me mbylljen e kufirit. Se krijimtaria, kultura, teatri, arti vizual, pësuan ndarje. 
Shkrimtari e botuesi Nazmi Rrahmani, duke e kujtuar këtë periudhë, thotë se atë kohë lexuesit në Kosovë nuk kishin qasje në literaturën e Shqipërisë dhe anasjelltas. 
Studiuesi Behar Gjoka në rrëfimin e tij thotë se krijuesit nga Kosovë, “duke kërkuar të shpëtonin nga skllavëria sllave arritën të sillnin jo pak prurje gjuhësore e letrare”. 
Skenaristja e dokumentarit, Admirina Peçi, ka thënë se ia kanë vënë këtë titull sepse në Shqipëri, shqiptarët e Kosovës nuk e ndienin veten si në atdhe. 
“E kemi titulluar sepse trajton temën që shqiptarët e Kosovës ishin të huaj kur shkonin në Shqipëri dhe të Shqipërisë kur vinin në Kosovë. Ishte një periudhë ku ata asnjë nuk e ndjenin veten si në atdheun e vet për shumë dekada, që prej 1945-s, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitet e fundit”, tha Peçi. 

Aty historitë zbërthehen deri në ato personale ku njerëzit arratiseshin nga Shqipëria, a futeshin brenda kufirit për t’u bashkuar me familjen. Rrëfimi vijon për maltretimet e shqiptarëve nga Kosova deri në detyrimet për të pranuar se ishin agjentë të Serbisë, e që për shkak të kësaj më pas dërgoheshin në kampe internimi. 

Shkrimtari Anton Pashku, qe njëri prej të ndaluarve në Shqipëri. Konsiderohej një prej armiqve të mëdhenj të realizmit socialist. 

Skenaristja e dokumentarit ka thënë se Pashku trajtohej si armik kryesor i komunizmit.

“Ne e zhvilluam në linjën e dokumentarit nga 1945 deri në të ’90, por edhe pas këtyre viteve, fatin që i ndoqi shqiptarët në këtë periudhë. Një fat që e diktoi edhe ky kufi i vendosur midis tyre. Trajtojmë autorë si Anton Pashku, letërsia e të cilit ishte një letërsi absolutisht e ndalur në Shqipëri. Ai trajtohej si autor hermetik që ishte jashtë kornizave të realizmit socialist, madje regjimi i Enver Hoxhës e cilësonte atë si armikun kryesor të realizmit socialist”.
Dokumentari është realizuar nga fondacioni “Kujto” nga Shqipëria në bashkëpunim me “Social Creativity” nga Kosova, në kuadër të projektit “Artistët e Ndaluar në Atdheun e tyre”, financuar nga Bashkimi Evropian. 
Themeluesi i fondacionit “Kujto”, Agron Shehaj, ka thënë se nëpërmjet veprave të tilla kombi sigurohet që të mos harrohet e kaluara. 
“Fondacioni ka bërë një punë kaq të çmuar me hapjen e arkivave dhe dokumentimin e kësaj tragjedie kombëtare. Vetëm kur përballemi me të kaluarën sigurojmë që këto krime të mos harrohen kurrë dhe të mos përsëriten më. Historia nuk duhet të harrohet, kjo është detyra jonë, t’ua tregojmë brezave të ardhshëm të vërtetën për t’u siguruar që kombi ynë të mos jetë më kurrë viktimë e tiranisë dhe tradhtisë”, tha Shehaj. 
Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e “British Council” në Shqipëri dhe Kosovë, ka thënë se dokumentari sjell kujtesën e qëndrueshmërisë së krijuesve përballë shtypjes. 
“Ngjarja e sotme qëndron si një shembull i jashtëzakonshëm i suksesit të projektit duke treguar sesi kultura mund të kalojë ndarjet dhe të krijojë një rrugëtim të përbashkët që merret me të kaluarën ndërsa shikon drejt së ardhmes. Dokumentari jep një kujtesë emocionale të qëndrueshmërisë së zërave krijues deri përballë shtypjes”, tha Mazelliu. 

Dokumentari u shfaq në kuadër të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Republika” që përherë mbahet disa ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Sivjet u mbajt për tri ditë, më 14, 15 dhe 16 shkurt dhe simbolikë e përvjetorit të 17-të të Pavarësisë ishin 17 poetë pjesëmarrës. 

Drejtoresha e festivalit, poetja Vlora Ademi, ka zbërthyer simbolikën e “Republikës”.  

“Është simbolikë e 17 shkurtit, prandaj edhe është krijuar si festival, me qëllim që të jetë përvitshëm pjesë e festave të ditëve të Pavarësisë së Kosovës. Kur kemi filluar ka qenë dhjetë vjetori i Pavarësisë dhe kemi filluar me dhjetë poetë, ndër vite janë shtuar poetët për aq vite sa ka Pavarësia, megjithatë bordi i festivalit ka vendosur që tashmë përvitshëm të jenë 17 poetë si simbol i datës 17”, Ademi. 
Pas premierës në Prishtinë, “Kufiri i kuq - T’huej mes t’vetve!” planifikon të shtjellojë rrëfimin edhe në Tiranë.