EXPRESS

“Kuadrot e së ardhmes” ia hap dyert gjeneratës së re në film

Festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë “PriFest” ua ka hapur dyert studentëve jo vetëm me shfaqjen e filmave të tyre, por edhe me debate e diskutime për mundësinë dhe qasjen në industrinë e filmit. “Kuadrot e së ardhmes”, është pagëzuar ky aktivitet dyditor me kuptim të shumëfishtë njësoj sikurse edhe ngjarja. Nëpërmjet veprave të tyre të shfaqura në “Kino Armatë” shihen e ardhmja dhe potenciali.

Ekranin e madh të “Kino Armatës” në Prishtinë, festivali ndërkombëtar i filmit në Prishtinë, “PriFest” e ka ndezur për filmat studentorë. Ka qenë një organizim i veçantë prej festivalit i cili sivjet në shtator shënoi edicionin e 16-të, por që tash ka hapur edhe këtë kapitull me synim që gjeneratës së re të filmbërësve në Kosovë, jo vetëm t’u krijojë hapësirë, por edhe të krijojë ura bashkëpunimi midis tyre e t’u hapë shtigje në industrinë e filmit. Nëpërmjet veprave të tyre, shihen e ardhmja dhe potenciali. 
“Kuadrot e së ardhmes”, është pagëzuar ky aktivitet dyditor, që ka nisur të martën. Ka kuptim të dyfishtë. Pos shfaqjes së pesë filmave, janë organizuar edhe diskutimi dhe tryeza e rrumbullakët. Nata e parë ka sjellë pesë filma të shkurtër të studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe diskutimet për to.  

Fatos Berisha, drejtor i “PriFestit” ka thënë se “Frames of the Future” ose “Kuadrot e së ardhmes”, ka një bukuri unike pikërisht edhe te dykuptimësia e titullit, pasi fjala “kuadro” lidhet si me kuadrot e filmit, ashtu sikurse edhe me kuadrot e së ardhmes që dalin nga Fakulteti i Arteve.

“Studentët po besojmë që kanë një benefit, se i prezantojnë punët e tyre në një festival, në një ambient të një kinemaje para opinionit publik. Para kolegëve, para komunitetit dhe kjo krijon përvoja të reja. Është mirë për një vizibilitet që u japim atyre si një festival”, ka deklaruar Berisha.

Studentët e filmit dhe industria, kanë një shkëputje në mes. E pikërisht, ky organizim bëhet për ta ndryshuar këtë situatë.

“Gjithmonë po kalon një kohë deri studentët po njoftohen me industrinë me producentët e filmit, derisa po kalojnë në botën reale të filmit nga shkolla. Dhe ne kemi menduar që ta mbushim këtë zbrazëtirë duke i bërë bashkë këta dy komponentë që ta shpejtojmë njoftimin mes vete”, ka theksuar ai.

Audienca, e përbërë nga studentë të Fakultetit të Arteve, krijues të rinj dhe dashamirës të filmit, ka krijuar një atmosferë të gjallë duke ndarë emocione dhe reflektime për filmat. 

Regjisori Ismet Sijarina, shef i Katedrës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Fakultetin e Arteve, ka qenë ai që bashkë me kolegë të tij kanë bërë përzgjedhjen e filmave. Ai ka thënë se programi është përgatitur në mënyrë që të vërë në pah punën ekipore.

“’PriFesti’ ka luajtur rol të rëndësishëm që na e ka bërë këtë lidhje me producentë, sepse e kemi pasur problem ta establishojmë deri tani. Gjithashtu edhe për këtë prezantim kaq të dinjitetshëm për shkollën tonë”, ka thënë Sijarina.

Katër prej pesë filmave të shfaqur të martën mbrëma janë realizuar prej studenteve e ky ka qenë një fakt të cilin e ka theksuar edhe regjisori Fatos Berisha. “Kosova vazhdon të jetë lider në rajon për pjesëmarrjen e grave në regji filmi”, ka thënë ai.

“Behind the Doors”, nën regji të Artiola Gashit, studente e vitit të tretë në regji, ka qenë njëri prej pesëshes së filmave të shfaqur. Ka për temë abuzimin seksual por nga prapaskena del në pah pikërisht puna ekipore. Sipas Gashit, këto produkte, ndonëse fillimisht ishin detyra studentore, tashmë po shfaqen në ekrane të mëdha, duke kaluar përtej kuptimit të thjeshtë të një detyre.

“Jam me fat që kam pasur një ekip punues të shkëlqyer. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, pavarësisht sfidave që kanë ardhur për shkak të tematikës së filmit, që trajton abuzimin seksual. Kjo ka ndikuar edhe në energjinë e setit, që ndonjëherë rëndohej, por ia kemi dalë ta tejkalojmë në mënyrë sportive dhe çdo sakrificë ka rezultuar pozitive kur kemi parë produktin final”, ka theksuar Gashi.

Hana Salihu është regjisore e filmit “Dorina”, projekt i saj i vitit të parë. Është film pa zë, pa dialog dhe bardhezi, i xhiruar në formatin 4/3. Në program ka qenë edhe “Një gjemb më pak” nën regji të Brikena Elshanit. “Solum” nga Hana Bucalija, ka frakturë dokumentare për fatet e tre personazheve, të cilët paguajnë për natën që kanë kaluar. “Adelina” nga Erlisë Beqiri ka për personazh një punonjëse hoteli së cilës një mysafir i shndërrohet në obsesion. Grumbullon gjëra të tija. Në këtë mes atij i humb edhe pasaporta. Pjesa tjetër është histori por ajo që bie në vesh është muzika e filmit.

Nata e dytë, të mërkurën mbrëma ka sjellë filmat e radhës studentore por edhe tryezën e rrumbullakët: “Studentët dhe producentët: Fillimi i një bashkëpunimi të bukur”, moderuar nga drejtori i “PriForum”, Besnik Krapi, në panel me Blerta Zeqirin, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ismet Sijarinën, shef i katedrës së Regjisë së filmit dhe televizionit në Fakultetin e Arteve, producentët Valon Bajgora e Valmira Hyseni, producentin e aktorin Shkumbin Istrefi dhe regjisorin e producentin, Fatos Berisha. Tryeza ka ardhur në frymën siç është paralajmëruar: “diskutim frymëzues midis studentëve dhe producentëve për mundësitë e bashkëpunimit në industrinë e filmit”.