EXPRESS

“Kotorri dhe shqiptarët” zbardh historinë e panjohur të arbërve

Kur flitet për historinë e shqiptarëve, rëndom ajo lidhet me malin. Por libri i Ylber Hysës dëshmon një anë tjetër. Sjell fakte se deti kishte peshë të madhe në jetën e arbërve, e për ta shtjelluar atë, hap arkivat që lidhen me Kotorrin, sot në Mal të Zi. Një përurim jo fort i rëndomtë, bashkëbisedim me historianin e shquar zviceran Oliver Schmitt, ka sjellë detaje nga libri që ndër të tjera “lundron” në Arbërinë veneciane, në Kotorr sjell edhe të dhëna për fisnikët shqiptarë, ndalet edhe në Ulqin për të vazhduar në Venedik.

Janë një varg arsyesh për të cilat historia detare e shqiptarëve nuk është zbardhur sa duhet. Pretendimet e sllavëve të jugut e historia e shkruar nën tutelën enveriste, janë midis tyre. Duke pasur në qendër Kotorrin si port tejet i rëndësishëm mesjetar, historiani Ylber Hysa zgjat fijet e historisë detare të shqiptarëve edhe në pjesë të tjera të Adriatikut.

Nëpërmjet librit “Kotorri dhe shqiptarët” me nëntitull “Ndërlidhja adriatikase e harruar”, Hysa zbardh Arbërinë veneciane së cilës i përkiste edhe Kotorri. Monografia bashkon të dhënat për familje arbërore që kishin rol të madh në jetën e kësaj qendre të rëndësishme. Nuk bëhej fjalë veç për detarë të zotë, por për njerëz kontributi i të cilëve prej ekonomisë, prekte kulturën, jetën fetare e deri te studiuesit.

Promovimi i librit të mërkurën mbrëma është bërë nëpërmjet një bashkëbisedimi me profesorin e Universitetit të Vjenës, njëherësh anëtarin e Akademisë së Shkencave të Austrisë, Oliver Schmitt. Ai është recensent i librit.

Schmitt e ka nisur bisedën me një pyetje siç ka thënë ai atipike për historianët: Përse Kotorri, për çfarë motivesh?

Hysa i cili ka shërbyer edhe si ambasador i Kosovës në Mal të Zi ka treguar se Kotorri është pjesë e një projekti të tij afatgjatë për shqiptarët dhe të tjerët, dhe është një përpjekje për të kaluar një klishe dhe një stereotip që kryesisht e kanë ndërtuar fqinjët për shqiptarët. 
Sipas Hysës shumë pak dihet që ka pasur një ndërlidhje midis Bokës së Kotorrit dhe shqiptarëve.

“Lidhja gjeografike midis Kotorrit dhe shqiptarëve është realizuar në shumë segmente. Në segmentin ushtarak aty afër është edhe sot ishulli që quhet Stradioti. Stradiotët ishin një formacion i njohur i kalorësisë së lehtë që ka përdorur Venediku dhe pothuajse mbi 80 për qind të tyre janë shqiptarë”, tha Hysa.

Derisa ka folur për librin e tij, Hysa ka thënë se janë dimensione të tjera që prekin tregtinë kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe Kotorrin. Sipas tij asokohe Shqipëria ka qenë shumë më e gjallë e me më shumë limane se sa sot.

Ka treguar se edhe një numër i madh klerikësh shqiptarë që kanë pasur goxha rol.

“Kur flasim për klerikët është një moment kyç. Në këtë aspekt është përurimi i Katedrales së Kotorrit në vitin 1166 që edhe sot është pjesa e paevitueshme e imazhit të Kotorrit. Dy nga tri absidat shenjtërohen nga dy peshkopë shqiptarë. Kjo ndodh në kohën kur Kotorri është pjesë e Bizantit”, tha Hysa.

Oliver Svhmitt recensionin e tij për librin e nis me fjalinë: “Historia shqiptare është edhe histori detare”. Në promovim ka thënë se bëhet fjalë për dimensionin detar ose bregdetar të historisë shqiptare.

“Si mund të pozicionohet ky libër edhe në traditën e historiografisë shqiptare e përtej. Do të thotë edhe në traditën e historiografisë adriatike? Ku e sheh pozitën e librit tënd?” – tha Schmitt.

Hysa fillimisht ka përmendur dy familje aristokrate që kanë lënë shumë gjurmë në Bokën e Kotorrit dhe në Venedik –  Bronza dhe Balloviq – të cilat me disa gjenerata ishin kapitenë anijesh venedikase.

“Balloviq e Bronza janë dinasti detarësh. Një tjetër dinasti shumë interesante në Bokë të Kotororrit janë Vuloviq Arbanasoviq që deri vonë e kanë ruajtur emrin Arbanasoviq. Këta janë së paku katër gjenerata me 55 oficerë të ndryshëm që kanë lundruar deri në Japoni dhe kanë lënë gjurmë”, tha Hysa.

Kotorrit i ka dhënë rëndësi të madhe edhe sa i përket komunikimit. Ka thënë se Venediku deri në Stamboll e ka mbajtur postën nëpërmjet Kotorrit. Derisa ka sqaruar ndikimin e faktorit arbëror në Kotorr ka marrë edhe shembuj.

Për Schmittin ideja se Shqipëria është kryesisht një vend malor është edhe një prodhim i historiografisë enveriste e cila e përshkruante Shqipërinë si një vend malor dhe në perspektivë detare, është më e kufizuar.

Kurse Hysa ka thënë se mendon që është një stereotip i etabluar i sllavëve të jugut se mali është i shqiptarëve.

Libri i Hysës përthekon historinë e Kotorrit prej përurimit të Katedrales më 1166 deri në fund të Kotorrit venecian më 1797. Studimi i Hysës hyn në thellësitë që kishte Arbëria veriore në Adriatik e po ashtu edhe në anën tjetër, në pjesën malore.