Improvizimet në koncertet e Operës së Kosovës e shpalosin përherë ekzistencën e institucionit pa shtëpi. Kapitulli i radhës ka qenë “përshtatja” e atij që është kthyer në Amfiteatër të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Njashtu edhe në formacion. Ansamblit të përkohshëm të instrumentistëve që ishte zgjedhur për operën “Goca e Kaçanikut” i janë bashkuar ata të Filharmonisë së Kosovës.
Vetë programi që i jep zë institucionit që do të duhej t’i dedikohej prodhimit të veprave që vijnë në formën më madhore të kompozimit klasik. Në vend të kësaj, koncerti “Kosova në tinguj” i Orkestrës Harkore të Operës ka qenë kontrasti. Profesionalizmi dhe talenti i trupës që janë prezantuar kanë qenë maskimi i “të metave” të institucionit.
Introja e koncertit ka qenë pjesa “Loja” e Valton Beqirit, që është koha e katërt nga vepra “Shpirti i traditës”. Vepra në përgjithësi ka për temë zhvillimet historike, ndërsa “Loja” i tejkalon ato.
Kur është hapur programi i këngëve, Orkestrës i është bashkuar sopranoja Besa Llugiqi me këngën “Asaman”. Në version operistik ka sjellë edhe këngët “Lamtumirë” të Muharrem Qenës e “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.
Në zbërthim të xhevahireve të këngës popullore shqipe, sopranoja Adelina Paloja ka interpretuar “Pranvera filloi me ardhë” të Tonin Harapit, “E kujtoj atë takim” të Pranvera Badivukut dhe “Mallëngjimi” të Rashid Krasniqit.
Paloja ka thënë se këto këngë janë sjellë nëpërmjet qasjes profesionale.
“Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme, një publik që mori nga emocionet e sontme, për të cilin përherë me kënaqësi rikthehem të interpretoj e veçanërisht sonte ku i gjithë repertori i ndërtuar për këtë koncert ka qenë nga veprat tona shqiptare, këngët tona me muzikë të lehtë, të risjella në një variant tjetër, të trajtuara me kultivim profesional”.
Me zërin operistik, sopranoja Zana Abazi-Ramadani e ka theksuar më tej gjurmimin nëpër këngët e bukura shqipe. Ka interpretuar këngën tradicionale “O moj bukuroshe”, “Me lule t’bukura” nga Tish Daija dhe “Kroi i fshatit tonë” të Kristo Konos.
Si solist ka luajtur klarinetisti Jon Rrecaj në këngën “Sa bukur na ka dal’ nusja” të Thoma Simakut.
Ansamblit të harkorëve i ka shtuar ngjyra popullore asaj që ngjan se vjen si vijë melodike popullore në format klasik.
Po të njëjtën frymë e ka sjellë edhe Gent Hoxha në ‘Bareshën” e Rexho Mulliqi. E ka nisur me fyell dhe e ka përfunduar me çifteli nën përcjelljen e harkorëve si dy instrumente të pazakonta në një ngjarje të institucionit të Operës.
“Është një kënaqësi e veçantë që sot i kemi futur instrumentet tradicionale folklorike me një pjesë të orkestrës së Operës që është themeluar tash vonë në Kosovë, duke e falënderuar maestron Edon Ramadani. Në qoftë se kjo vepër sot ka tingëlluar mirë, të mos tingëllojë shumë modest, por ka qenë falë tingujve që i ka muzika jonë tradicionale dhe falë instrumenteve që sot kanë jehuar në këtë sallë”.
Krejt në fund është interpretuar “Valsi i lumturisë”, ku tri sopranot kanë bashkuar zërat në perlën e muzikës shqipe. Madhështore e ka bërë përcjellja e orkestrës me muzikë e udhëhequr nga Edon Ramadani.
Ka thënë se programi i tillë në këtë format është shfaqur për herë të parë. Sipas tij, këto ngjarje nxisin pasurimin e literaturës së këngës shqipe.
“Besoj që në këtë format, por me një orkestër kaq të madhe, një program i tillë mund të jetë shfaqur për herë të parë. Do të mundohemi ta pasurojmë më shumë repertorin e muzikës tonë me orkestrime dhe aranzhime për formacione të tilla që ta kemi të mundur ta prezantojmë kulturën tonë sa më mirë që është e mundur”.
Koncerti “Kosova në tinguj” është organizuar me rastin e Kongresit Vjetor të Federatës Evropiane të Gazetarëve që për herë të parë është mbajtur në Prishtinë, ku ka mbledhur rreth 100 gazetarë e delegatë nga Evropa.