Përderisa në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, paraditen e së mërkurës vazhdonin homazhet në nderim të Ismail Kadaresë, në Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka mbajtur mbledhje përkujtimore.
Vdekja e Kadaresë për Kosovën u tha se ka një domethënie të veçante e cila lidhet me fatet e vetë Kosovës. Akademiku Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në fjalimin hapës ka folur për specifikën që bart ikja e Kadaresë.
“Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë ka një kuptim më specifik. Ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë që ai i ka dhënë Kosovës në më shumë se 50 vjetët e shkuara, pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare apo politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori sepse mësimet dhe synimet e Kosovës përfshirë dhe arritjet e saj të viteve të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare. Në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare”
“Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar dhe ka arritur të depërtojë nëpër kancelari të ftohta diplomatike, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentesh, nxënësish. Pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë dhe ata që në aktin final të kësaj historie u vunë në radhët e para për luftën e çlirimit të Kosovës. Në këtë pikë Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar”.
Akademik Sabri Hamiti e ka vlerësuar lart veprimtarinë e Kadaresë. Ka thënë se vepra e tij në letërsinë shqipe ka kohë që ka ndjekësit e saj kadareist, ndërkaq statusi i letërsisë se tij është ngritur dhe në nivele të larta universitare botërore, duke u bërë materie studimi.
“Duhet të kihet në vëmendje që koleksioni i parë i veprave të zgjedhura të Kadaresë, në shqip, është botuar së pari te ‘Rilindja’ e Prishtinës në vitin 1980. Parathënia e koleksionit është bërë nga Ibrahim Rugova, i cili veprën e këtij shkrimtari e cilëson që në titull, ‘Arti i dhembjes universale’. Është viti kur Kadare vjen në Prishtinë, në promovim dhe pritet me entuziazmin e paparë. Një shkrimtar identitar nuk mund të mos prekej nga dashuria deri në adhurim për gjakimin e lirisë në Kosovë. Drama e mëtejme dhe e përgjakshme e Kosovës në vitet në vijim e provuar nëpër ankthin e saj ekzistencial do të bëhet penë letrare dhe përtej letrare e Kadaresë në veprat si ‘Krushqit janë të ngrirë’ 1981, ‘Tri këngë zie për Kosovën’, fundi i viteve ‘90 dhe ‘Ra ky mort e u pamë’ viti 2000. Është koha kur Kadare letërsinë për çështjen e Kosovës e përkthen edhe në veprim kulturor duke promovuar autorë të Kosovës, si Qosja e Rugova, edhe në veprim politik e diplomatik për statusin e saj”.
Për akademikun Rexhep Ismajli vepra e Kadaresë do të shihet në dritë më të plotë letrare e kulturore.
“Duhet të themi se bashkë me të dhe përmes tij letërsia shqipe po e krijon hapësirën e identitetit të veçueshëm brenda kulturës evropiane, ku ai po shkëlqen me individualitetin e dallueshëm tash me dekada me radhë. Vepra e Ismail Kadaresë do të jetojë dhe rrezatojë art, njerëzi e kulturë, përgjithmonë ndër shqiptarë dhe do të përcjellë mesazhe shprese e humanizmi nga këto hapësira në botën tjetër”.
Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën në moshën 88 vjeçare, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës qysh në një periudhë të vështirë për Kosovën, në vitin 1991. E mërkura, kur Kadaresë i është dhënë lamtumira e fundit, ka qenë ditë zie edhe në Kosovë.