EXPRESS

Kori me zërat që dëshmohen edhe për diplomaci kulturore

Se arti, e veçanërisht muzika shpesh përdoret si “performancë” e një shteti për të dëshmuar historinë, kulturën e kapacitetet e tij u shpalos edhe me koncertin e radhës të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Përderisa gjatë ditës së mërkurë u nënshkruan tri memorandume bashkëpunimi midis Kosovës dhe Portugalisë në kuadër të Forumit të Parë të Biznesit, në mbrëmje u festua kjo arritje me një koncert të Korit shtetëror. Diplomatë e biznesmenë portugezë kishin zënë pjesën dërrmuese të ulëseve në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë. Ndërkaq Kori për mysafirët portugezë dhe publikun vendës – i cili i qëndron besnik në çdo performancë duke i dyndur sallat – ofroi një repertor të pasur në shumë aspekte, nisur nga vepra që shtrihen prej shekullit të 17-të deri në shekullin e 21-të.

“Sei, lieber Tag, willkommen” nga Johann Michael Bach, ka qenë vepra e cila me harmoninë e Korit krijoi një tingull të ngrohtë dhe mikpritës, në koncertin e dirigjuar nga Hajrullah Syla me përcjelljen e Andi Durakut në piano.  Ndjesi të ngjashme ofroi dhe “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, edhe pse e kompozuar 300 vjet më vonë. Në mesin e veprave që ishin pjesë e repertorit, premiera e të cilit kishte ngjarë fiks një muaj më parë, njëra nga to dalloi edhe më për nga veçantia. I dha një nuancë mbrëmjes duke prezantuar për mysafirët vepra korale të shkruara edhe nga autorë shqiptarë.

Nga Kori i Filharmonisë u interpretua “Bash në zeman të djelmënisë” nga kompozitori i ndjerë Halit Kasapolli, i cili një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij jetëshkurtër ia kushtoi përpunimit të këngëve korale mbi tema popullore.

Gjatë performancës Kori veç impenjimit maksimal u sfidua edhe nga vapa. Bashkë me publikun e mysafirët iberikë temperaturat e larta në ambientet e Kishës kanë qenë sfidë më vete.

Por për koristin Harris Bajraktari ky koncert përtej sfidës me vapën ishte i veçantë.

“Ka qenë një ndjenë shume e veçantë me performu sonte, edhe pse e kemi pasur herën e parë me këtë program, është pritur shumë mirë nga publiku. Por, kjo herë ishte edhe më e veçantë për mua personalisht, ishte një atmosferë e ngrohtë nga publiku dhe morëm një ‘feedback’ nga publiku”.

Ramiro Brito, president i “Minho Business Association” në Portugali, ka thënë për KOHËN se ishte dëshmitar i “një performance të mrekullueshme”.

“Ishte një surprizë e këndshme nga Kosova, është hera ime e parë këtu dhe mendoj se performanca ishte e mahnitshme në mënyrën se si na prezantoi stile të ndryshme të muzikës me një stil të veçantë”.

Ka thënë se bashkëpunimin mes Kosovës e Portugalisë ai e sheh si shumë të mundshëm dhe të natyrshëm.

“Në këndvështrimin tim Kosova dhe Portugalia kanë shumë të përbashkëta, më shumë sesa që mendojmë në shikim të parë. Dhe kemi shumë mundësi të shkëmbejmë shumë gjëra mes nesh. Besoj thellësisht se bashkëpunimi është sfida më e madhe e njerizimit në këtë shekull dhe çfarë po bëjmë ne këtu është se po i themi botës se nëse bashkëpunojmë në vend se të garojmë me njëri-tjetrin, do të jemi më të fuqishëm, më të lumtur dhe jeta jonë do të jetë më e mirë”.

Fundi i koncertit u shënua me “Spirit” nga Rawn Harbor me aranzhim të Barabra Wesley Baker. Krejt ndryshe nga tetë interpretimet e tjera, “Spirit” ngriti moralin me një energji që vë në konsideratë stilin “gospel” të këndimit, i cili i përkushtohet lartësimit të hyjnores nëpërmjet alegros. E duartrokitjet ngjashëm me natyrën e veprës ishin po aq dinamike, të tilla sa Kori e përsëriti këtë pjesë.