Renditja e koristëve përreth publikut në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë ka qenë imazhi i parë i koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës të martën mbrëma. Nën dirigjimin e Sasho Tatarchevskit vepra e Arvo Part ka hapur koncertin nëpërmjet të cilit është shënuar edhe fillimi i sezonit koncertal për këtë formacion koral.
Mbrëmja ka vazhduar me vepra të tjera të repertorit botëror, përderisa “O magnum mysterium” e Hajrullah Sylës është interpretuar me përcjellje në violonçel nga Antonio Gashi. Kjo vepër e interpretuar disa herë në Prishtinë, kësaj radhe ka ardhur me ngjyra të tjera.
“Të them të drejtën secila herë që është interpretuar nga dirigjentë të ndryshëm qoftë edhe nga vetë unë kur e kam interpretuar, ka dallime dhe secila në formën e vet është shumë interesant. Unë për vete e pëlqeva shumë interpretimin sonte dhe jam shumë i kënaqur me këtë interpretim. Besoj që arriti që të transmetohet ideja te publiku”, tha Syla.
Veprat si ato të Benjamin Britten e Vlastimir Mikolovski po ashtu kanë qenë pjesë e programit, duke bërë që koristët të ofrojnë për publikun një program sa të vështirë, aq edhe tërheqës.
E vepra “Çorapet e burrit” e Lorenc Antonit ka kthyer ngjyrat shqipe në koncert.
“Jam shumë i kënaqur që kam punuar korin dhe jam kënaqur me ta. Janë profesionistë. Disa i kisha takuar e disa i kisha dëgjuar në koncerte e me ansamble të ndryshme. I kam dëgjuar edhe në Korin e Filharmonisë dhe kanë zëra të fortë. Me ata mund të realizohet program shumë serioz. Kam zgjedhur program divers por po ashtu jo të lehtë për t’u kënduar. Kam menduar se mund ta bëjmë dhe e kemi bërë këtë duke m’u bërë qejfi mua dhe shpresoj edhe audiencës këtu. Dhe vërtet shpresoj që të kemi shanse të punojmë së bashku prapë”, tha dirigjenti Sasho Tatarchevski.
Koncerti i së martës i ka paraprirë atij të nëntorit ku kori do të paraqitet edhe me më shumë instrumentistë.