Ekspozita fotodokumentare “KFOR dhe Kosova +25”, me rastin e 25-vjetorit të vendosjes së KFOR-it në Kosovë, risjell disa nga momentet e para pas çlirimit të Kosovës, por këtë radhë nëpërmjet fotografive. Të ngrira në imazhe të fotoaparatit të foto-gazetarit skocez, Nick Sidle, janë kujtimet e rrëfimet e para nga vitet e menjëhershme të pasluftës në Kosovë, 2000-2001. Sidle, asokohe si bashkëpunëtor me regjimentet e Mbretërisë së Bashkuar dhe forcat e kombeve të tjera që ishin pjesë e ndërhyrjes së KFOR-it, kishte kapur momente të ndryshme nga puna e ushtarëve të këtyre trupave, por jo vetëm. Në të gjitha fotografitë e tij paraqitet realiteti nëpërmjet një këndi human. Aty vizualizohet shpresa në sytë e fëmijëve, bujaria dhe mirënjohja e shqiptarëve të Kosovës, si tentim për ta rindërtuar jetën e përditshme në një vend të sapodalë nga lufta.
Por 25 vjet pas, ky rrëfim si duket kishte përfunduar për Sidle. Pas hapjes në janar në “Tower of London” në Londër, kjo ekspozitë vjen dhe në Kosovë me simbolikën e vet. U rikthehet qytetarëve të Kosovës në Muzeun Kombëtar si bashkëpunim me organizatën “Heartstone”, e cila operon me ekspertizë në sjelljen e ekspozitave nëpërmjet rrëfimeve të vërteta të njerëzve.
Sita Kumari, drejtoreshë e “Heartstone” ka tërhequr paralele midis së sotmes dhe kapitullit që shpalos ekspozita.
“Jam shumë e nderuar që gjendem sot këtu në mesin tuaj. Është një privilegj i vërtetë për mua dhe jam e nderuar të prezantoj këtë rrëfim. 25 vjet vërtet nuk janë shumë dhe ndryshimet që shoh në Kosovë janë të jashtëzakonshme, më jep shumë kënaqësi të madhe që jam sot këtu” .
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ekspozitë risjell kujtimet e periudhës së 25 vjetëve më parë pikërisht në vigjilje të këtij përvjetori. Ka përmendur se si NATO-ja arriti ta ndalojë planin gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit për të shfarosur popullatën shqiptare në Kosovë. Por për të kjo ekspozitë ka një domethënie edhe personale.
“Dy vitet e gjysmë e para të lirisë unë kam qenë rob lufte, nga i burgosur politik me 10 qershor bëhem rob lufte. Dhe është kjo pjesë e cila më mungon, janë ato dy vjet e gjysmë të parat që nuk i di sepse kam qenë i mbyllur dhe i izoluar. Dhe të gjitha këto ekspozita ose shfaqje e paraqitje të cilat na kthejnë 25 vjet prapa nuk janë të tilla që më rikujtojnë mua, sesa më mësojnë për atë që më mungon”.
Ai përkujtoi se në atë kohë, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, e cila autorizonte dislokimin e forcave ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, dhe qindra mijëra refugjatë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre u kthyen në Kosovën e djegur plot me varre dhe të vrarë.
“Kjo ekspozitë na kthen pas, në muajt e parë të lirisë dhe sjell në pah një periudhë të rëndësishme historike për të gjithë ne. Na sjell kontrastin midis çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hershme të njerëzimit. Krahas mbajtjes gjallë të kujtimeve, është edhe informuese dhe frymëzuese për brezat e rinj”.
“KFOR dhe Kosova +25” vjen si një ekspozitë e cila i shërben memories kolektive, tenton të ndërtojë pjesë të narrativit të pasluftës. Aty nuk ka data e emra të përveçëm. Aty zënë vend momentet e rëndomta të përditshmërisë të cilat pasqyrojnë realitetin e njerëzve, vjen si një rishikim i të kaluarës. Fotografitë janë artefakte që dëshmojnë edhe guximin e sakrificës e Sidle për të dokumentuar këtë pjesë të vyeshme të historisë së Kosovës.
Lord George Robertson - ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë periudhës së fotodokumentarit – kishte mundësuar që pikërisht ekspozita e njëjtë 25 vjet më parë të prezantohej dhe në parlamentin e Brukselit e në selinë Qendrore të NATO-s, ndërkaq 25 vjet më vonë në Kosovë ai rikujtoi përpjekjet e vazhdueshme për lirinë e Kosovës.
“Unë jam këtu për të prezantuar vetëm majën e një ajsbergu gjigand të njerëzve të cilët ishin të angazhuar që të ruajnë Kosovën. 25 vjet me parë, metaforikisht ne kishim të bënim me male të tëra për të kaluar për ta shpëtuar Kosovën. Dhe unë sot përfaqësoj shumë njerëz nga 19 vende të NATO-s, personel dhe diplomatë të ndryshëm që u angazhuan që Millosheviqi të rrëzohej. Kosova ka qene një moment definues për shumë prej nesh. Kemi shumë tregime nga ato kohë, dhe ka nga to që janë shumë humane. Kujtoj nga ajo kohë me shumë qartësi momentet kur shikoja njerëzit nëpër male, e kjo ekspozitë reflekton natyrën humane se çfarë ka ndodhur menjëherë pas luftës. Këto janë rrëfime që duhet të tregohen dhe të servohen për gjeneratat e reja”.
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në shenjë falënderimi për punën dhe përpjekjet e vazhdueshme të Robertson i ndau dhuratë kokën atropomorfe, kopje e njërit prej 1244 artefakteve të Kosovës, të plaçkitura nga Serbia.
I pranishëm në hapje të ekspozitës ishte edhe ambasadori i Mbretërisë se Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, për të kjo ekspozitë simbolizon dhe raportet e mira midis dy vendeve dhe lidhjen e fortë që kanë Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Kam pasur nderin ta shoh këtë ekspozitë në Londër, atëkohë mbi të gjitha, ajo që më ka lënë përshtypje shumë është humaniteti i gjithë situatës, i atyre që dhanë jetët e tyre gjatë luftës ne Kosovë dhe ata që kanë vajtuar dhe vazhdojnë të vuajnë edhe sot si shkak i luftës. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është shumë e veçantë është e një lidhje e përjetshme dhe unë e ndiej këtë lidhje në përditshmërinë e punës sime. Edhe në Londër në ekspozitë kam pasur nderin të shoh shumë nga ushtarët që kanë shërbyer atëkohë në Kosovë dhe kam kuptuar se sa e rëndësishme është edhe për ta”.
Pas prezantimit në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ekspozita do të vazhdojë të shfaqet në 'National Memorial Arboretum’s Commemoration of Kosovo' në Mbretërinë e Bashkuar më 23 qershor dhe më pa,s do të bëjë turne nëpër Mbretërinë e Bashkuar me një prezantim të planifikuar në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar në nëntor.