Një pjesë e historisë së vendit është nëpër vargjet e këngëve e melodive të muzikës. Aty është përjetësuar. Për disa prej emrave që edhe sot janë pasuri e këngës argëtuese, kohët e errëta për popullin shqiptar kanë qenë burim e frymëzim në krijimet e tyre.
Të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti”, në qiell të hapur, kanë jehuar vargjet e këngës për atdhedashurinë, dhe jo vetëm. Kënga popullore ka qenë festë, ajo patriotike kujtesë për kontributin e të rënëve për liri.
Gjatë ngjarjeve paraprake për nder të jubileut të Ditës së Çlirimit të Kosovës, i pashmangshëm ka qenë roli i Shqipërisë në ndihmën e popullit të Kosovës në kohë kritike për vendin. Këngëtarja Juliana Pasha ka qenë shenja nga skena e atjeshme. Ka kënduar këngë popullore e aso patriotike. “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Këngë moj” kanë qenë disa prej repertorit të saj.
Ditën e Çlirimit, 25 vjet më parë, e ka kujtuar si festë në Shqipëri me refugjatët nga Kosova.
“Kam qenë në shtëpinë e profesorit tim të kantos në atë kohë. Bashkë me të jetonte një familje nga Kosova bashkë me fëmijët e tyre. Saherë shkonim, fëmijtë e tyre bënin gjithashtu mësime me neve. Ditën e Çlirimit e di që kemi qenë bashkë, kemi festuar bashkë. Më pas ata janë nisur për në Kosovë”.
Dren Abazi me bend kanë sjellë “Natën”, “Ti dhe unë”, “Mbreti i natës” e “Zjarr e akull” nga diskografia e tij. “Lamtumirë” nga Rashid Krasniqi ka qenë reprezentimi i thesarit të këngës shqipe në ditën e shënuar në Kosovë.
Kantautori Abazi ka thënë se ndien përherë përgjegjësi më të veçantë kur interpreton në kryeqytet. Për Ditën e Çlirimit ka thënë se u kujton të gjithëve kohë të dhimbshme.
“Të gjithëve na kujtojnë kohëra të dhimbshme, që duhet t’i lëmë prapa, por asnjëherë të mos i harrojmë. Sot 25 vjet pas normalisht se shumë gjëra kanë ecur para, por unë si qytetar i këtij vendi kam dëshirë të shoh çdoherë më mirë dhe asnjëherë nuk kënaqem. Pasi dëshira për ta parë më mirë është çdoherë më e madhe”.
Skenën e ka pushtuar pop-këngëtarja Adelina Ismaili që vlerësohet si zë i rezistencës. Ka interpretuar hitet “Kanagjeqi” e “Sajzeza” bashkë me Art Lokaj.
Ky i fundit ka interpretuar edhe bashkë me Malda Susurin me bend, ndërsa perlat e këngës shqipe janë sjellë edhe nëpërmjet grupit “Don’t listen to your neighbors” e muzika elektronike me Adrian Berisha.
Koncertin e ka mbyllur rock bendi “Jericho”, i cili në ato kohë ishte formuar si produkt i rrethanave politike e sociale. Këngëve të po asaj kohe u ka dhënë zë Petrit Çarkagjiu, duke sjellë në kujtesë imazhet e errëta të popullit.