EXPRESS

“Kanga jonë...” me meloditë e vargjet e lirisë

Fillimqershori i 1999-s ishte koha kur Kosova po prekte paqen. Forcat ushtarake e policore të Serbisë do të fillonin të tërhiqeshin sipas Marrëveshjes së Kumanovës së arritur më 9 qershor të atij viti. Dy ditë më pas, do të shënohej Dita e Çlirimit të Prishtinës. Në kuadër të aktiviteteve të ngjarjeve për nder të datës së shënuar, në kryeqytetin e Kosovës ka jehuar kënga për lirinë 25 vjet pas. Është kujtuar sakrifica e heronjve të kombit nëpërmjet koncertit “Kanga jonë – për ty Prishtinë”.

Një çerekshekull pas, në Prishtinën e lirë, në koncert i është kënduar lirisë. Këngët ikonike të traditës shqiptare, ato që kanë rrjedhur nga dhimbja e pasojave të luftës, e deri në ato që kultivohen sot, i janë servuar një publiku prej mijëra njerëzish të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Fryma e koncertit mbërthen nga larg. Qenë të shumtë ata që rreth gjysmë ore para koncertit që kanë mbushur sheshin, si varg deri në destinacion. Imazhi i njëjtë është edhe para hyrjes për në hapësirën e rrethuar në të gjitha anët. Ndonëse ulëset kanë qenë krejtësisht të mbushura, po aq publik ka pasur jashtë rrethojave e në shkallët e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në skenën gjigante me shumë drita e ngjyra, fillimisht ka interpretuar Gent Hoxha, i cili ka interpretuar “Bareshën” ikonike bashkë me orkestrën “Libertas”. Introja ka qenë loja me fyell e përfundimi me tingujt e çiftelisë. Para publikut ka sjellë instrumentalin e asaj që mund të konsiderohet “himn” i këngës shqipe. Entuziazmi i publikut e ka ilustruar këtë.

Koncerti i ideuar dhe organizuar nga Dardan Selimaj dhe Jehona Sopi, producentë të “Kanga jonë...”, ka vazhduar me këngëtaren Vesa Luma e cila ka kënduar “Mallëngjimin” e Rashid Krasniqit. I ka kënduar vendit me meloditë e vargjet melankolike. Ka prezantuar edhe baladën “Dhe për mu do t’ketë një zemër” nga repertori i saj.

Këngëtarja Luma, e cila ka interpretuar për publikun në Prishtinë pas një kohe të gjatë, ka thënë se koncerti ka qenë përgjegjësi e dëshirë e bërë realitet për të.

“U lumturova shumë së pari për ftesën, pasi kemi pak organizime të tilla sidomos me një kast të tillë artistësh. Jo rastësisht e kam zgjedhur këngën për vendin dhe një këngë timen të cilën në fakt doja të ishte baladë kësaj here pasi koncertet e mia janë kryesisht të hareshme. Për Ditën e Çlirimit është një kënaqësi edhe më e veçantë”.

Alma Bektashi në përcjelljen e orkestrës së udhëhequr nga maestro Edon Ramadani ka interpretuar këngën “Pranvera në Prishtinë”. Paraprakisht ka interpretuar këngën thellësisht të ndjeshme që u kushtohej fëmijëve që kishin përjetuar pasojat e luftës. E ka konsideruar emocion të veçantë interpretimin para një audience aq të shumtë të numër.

“Janë dy këngë që i dua shumë. E para është këngë e imja e kompozuar nga Adi Hila dhe me tekst të Jorgo Papinqi. U kushtohet fëmijëve. Më konsumon emocionalisht sinqerisht sepse teksti është shumë i ndjeshëm. Përshkruan gjithë kalvarin e luftës që ka ndodhur në Kosovë”.

Këngëtarja Albërie Hadërgjonaj ka sjellë ritmet e këngës “Kur bien fyelli e çiftelia” të Vaçe Zelës dhe këngën e saj “Mirësia dhe e vërteta”.

Koncerti “Kanga jonë...” për Çlirimin e Prishtinës ka qenë sebep për rikthimin në skenë të kantautorit Vullnet Sefaja që dikur ishte lider i grupit “Marigona”. Në Prishtinë ka sjellë vendlindjen e tij me këngën “Mitrovica”. Kontrasti i kësaj kënge kanë qenë meloditë ritmike e vargjet atraktive të “S’ka hajgare”.

“Ndjenjë shumë e veçantë. Unë Mitrovicën e këndoj, sepse e dua shumë. Do të doja të bashkohet edhe Mitrovica të ketë një koncert shumë të madh. Ka qenë ndjenjë shumë e mirë, edhe pse nuk kam interpretuar për një kohë të gjatë. Shpresoj se publiku ka kaluar mirë, nëse ata kanë kaluar mirë, ne kemi kaluar edhe më mirë”.

Një tjetër këngë ikonike është sjellë nëpërmjet vokalit të këngëtares Jehona Sopi - “Rrjedhë në këngë e ligjërime” e Vaçe Zeles. Nga skena ajo ka bërë të ditur se për këtë koncert janë frymëzuar nga koncerti i saj vitin e kaluar.

“Bashkë me Dardanin u frymëzuam në koncertin ‘jehonë’ dhe që në fillim ishte i menduar të bëhej për 25 vjetorin e Çlirimit”, ka thënë Sopi nga skena. Koncerti “Jehonë – Jepi krahë vetes” ishte mbajtur më 9 qershor nën shoqërimin e orkestrës simfonike të udhëhequr nga Edon Ramadani.

Petrit Çarkagjiu e ka elektrizuar skenën me ritmet e rock-ut. “Zgjohu” dhe “Tomlin e nonës” kanë sjellë edhe ritmin e këngës popullore të cilën Çarkagjiu e kishte gërshetuar në këngët e tij.

Sopranoja Adelina Paloja ka interpretuar “Unë, biri yt Kosovë” me vagjet e poetit Ali Podrimja dhe me muzikë të kompozuar nga Feim Ibrahimi. Ka sjellë një tjetër version të këndimit si pasurim i rrymave që janë përfshirë në program.

Paloja ka thënë se për të është dashur kujdes deri në detajin e fundit në përgatitjet për koncertin. Veprën të cilën e ka interpretuar e ka konsideruar himn që i duhet solemnitetit të një ngjarjeje si koncerti për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

“Një organizim fantastik i ideuar nga Dardan Selimaj, bashkë me Jehona Sopin që kush do të thoshte se do të na bënte bashkë në këtë skenë me artistët që ndër vite kanë qenë pranë publikut. Janë ata që ndër vite kanë qenë pranë publikut, në të gjitha rrymat muzikore e kanë mbajtur gjallë shpirtin e Prishtinës dhe Kosovën në përgjithësi nga të gjitha stilet muzikore. Në sintezë njëri me tjetrin na koncepton në këtë program”.

Krejt në fund të koncertit ka interpretuar këngëtari Yll Limani. Ka sjellë këngën “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës dhe këngën e tij “Injoro”.

“Ka qenë kënaqësi që sonte ta ndaj skenën me disa prej artistëve me muzikën e të cilëve jam rritur”, ka thënë Limani nga skena.

Koncerti “Kanga jonë – për ty Prishtinë” është bërë e ditur se është veç një nga ngjarjet që organizohen për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Kështu ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Sot është veç fillimi. Kemi një muaj me aktivitete, ju ftojmë çdo natë këtu për ta festuar lirinë, pavarësinë, të ardhmen e qytetit e të shtetit tonë. Faleminderit për dashurinë tuaj”, ka thënë ai para të pranishmëve.

Një sërë aktivitetesh këtë muaj e shënojnë 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës edhe aktivitetet e organizuara nga Ministria e Kulturës të cilat nisin më 8 qershor dhe mbyllen më datë 21.