EXPRESS

Kalldrëmi në “Shatërvan” pret tjetër imazh

Kalldrëmi në Sheshin e Shatërvanit të Prizrenit ka humbur pamjen e dikurshme, si pasojë e intervenimeve të shoqëruara me gabime gjatë viteve të fundit. Ky degradim, sipas aktivistëve të shoqërisë civile e organeve të trashëgimisë kulturore, ka ndikim negativ jo vetëm në zhvillimin e turizmit, por edhe për vet qytetarët që frekuentojnë këtë zonë të mbrojtur me ligj. Duke e parë këtë situatë, qeveria lokale po planifikon që ta rehabilitojë dhe rregullojë kalldrëmin, por edhe të freskojë mobiliarin urban dhe fasadat e objekteve të vjetra.

Shabani nga OJQ “EC Ma Ndryshe” konsideron se gjendja aktuale e kalldrëmit në sheshin “Shatërvan” është e mjerueshme, pasi ndërhyrjet e ndryshme e kanë dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme.

“Kjo e pengon jo vetëm turizmin, por edhe qarkullimin e lirë të këmbësorëve. E dimë që kjo zonë është kryesisht për këmbësorët, por është pengesë qoftë edhe për Personat me Aftësi të Kufizuara, qoftë edhe për nënat me karroca, për pleqtë. Pra, me të vërtetë ky kalldrëm ka krijuar më shumë pengesa, andaj është shumë adekuate që ky problem të rregullohet sa më shpejtë”.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren ka konfirmuar dëmtimin e kalldrëmit si pasojë e shumë faktorëve dhe njëherësh mirëpret secilin nismë për rregullimin e tij në sheshin “Shadërvan”. Sipas tij, QRTK-ja deri më tani nuk ka pranuar ndonjë projekt nga organet komunale, por se në momentin që vjen, i njëjti do ti nënshtrohet vlerësimit sipas legjislacionit në fuqi.

“E konsiderojmë tepër të rëndësishme dhe të domosdoshme rehabilitimin e kalldrëmit në sheshin “Shatërvan”, sepse kalldrëmi në të kaluarën është dëmtuar si rezultat i shumë faktorëve, i ndërhyrjeve të paautorizuara, dhe rikthimi në gjendjen e mëparshme ka qenë i pamundur. Andaj çdo përpjekje të institucioneve lokale me mbështetjen edhe të MKRS-së e konsiderojmë si shumë të rëndësishme, sepse zemra e qytetit të Prizrenit, sheshi “Shatërvan frekuentohet nga dhjetëra mijëra qytetarë, vizitorë e turistë të huaj...”.

Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit thekson se qeveria lokale ka planifikuar rehabilitimin e kalldrëmit në Sheshin e “Shadërvanit”, por edhe rrugicat përreth, për ta rikthyer hijeshinë e dikurshme, por edhe funksionalitetin si për qytetarët e bizneset, ashtu edhe për turistët. Në këtë aspekt, sipas tij, është e mirëpritur mbështetja edhe nga komuna e Edrenesë në Turqi, me mjeshtër zanatlinj të kalldrëmit.

“Me projektin e ‘Shatërvanit’, në fazën e parë e kemi rregullimin e kalldrëmit, mirëpo në fazat tjera i kemi edhe 20 objekte në fillim me i trajtu, kështu që me siguri që ka me ndiku në ardhjen e turizmit dhe ka me i dhënë një pasqyrë krejt tjetër dhe një vëmendje që Komuna e Prizrenit është e interesuar ti ruaj monumentet”.

Idetë fillestare për rehabilitimin e infrastrukturës në zonën e parë të qendrës historike si dhe restaurimin e fasadave të një pjese të objekteve të mbrojtura, Komuna e Prizrenit i pati prezantuar para hisedarëve në muajin korrik të këtij viti. Edhe në këtë forum diskutimi, të pranishmit patën theksuar se gjendja aktuale në sheshin e "Shatërvanit" dhe në zonën historike nuk është e lakmueshme dhe se nevojiten intervenime në infrastrukturë, pastaj për largimin e kabllove e shtyllave, kontrollin e qarkullimit të mjeteve motorike, sikurse edhe menaxhimin e aktiviteteve.