EXPRESS

“Jugosllavia u shemb në Trepçë” nëpër horizontet e kthesës për Kosovën

U nismua fillimisht për ta thyer mitin për Jugosllavinë te publiku italian por “Jugosllavia u shemb në Trepçë” i Ana di Lellios zbërthen momentet e kthesës së historisë së Kosovës e të ish-Jugosllavisë. Zbërthehet fuqia e minatorëve në rrethanat e vitit 1989 nëpërmjet grevës që ndezi lëvizjet për pavarësimin e shqiptarëve

Në shkurtin e vitit 1989, mbi një mijë e 300 minatorë të Trepçës do të refuzonin të largoheshin nga kompleksi minerar. Kjo do të ndodhte për tetë ditë e tetë net. Greva qe protestë ndaj ndryshimit të Kushtetutës së vitit 1974 ku garantohej autonomia e vendit dhe ndër të tjera e drejta e punëtorëve për vetadministrim. Greva dështoi, por konsiderohet se ndezi lëvizjet për pavarësim. 

Këtë kapitull të historisë së Kosovës, sociologia italiane Anna Di Lellio, e zbërthen që nga ideja fillestare. Ilustrohen momentet e kthesës së historisë së Kosovës e të ish-Jugosllavisë.

“Jugosllavia u shemb në Trepçë” fillimisht u botua në italisht si nevojë e njohjes së Kosovës nga publiku italian që pak ka njohuri për këtë ngjarje historike. Libri tani flet edhe shqip, përkthyer nga profesoresha Majlinda Bregasi. 

Autorja Anna Di Lellio ka thënë se vendi i saj ende e njeh Jugosllavinë e dikurshme si parajsë socialiste. 

“E kam shkruar këtë libër së pari në gjuhën italiane, vitin e kaluar, për shkak se Italia nuk e njeh mirë historinë e Kosovës dhe të Jugosllavisë. Ende e kanë mitin e asaj Jugosllavisë si një vend parajsë socialiste e mrekullueshme. Në fakt Jugosllavia ka qenë më e mirë se disa vende të Bllokut Lindor, por jo për të gjithë që kanë jetuar aty. Libri është përkthyer këtë vit dhe jam shumë krenare dhe e kënaqur që tani mund ta lexoni në shqip”, ka deklaruar Di Lellio.

Sociologia italiane Anna Di Lellio ka qenë në një diskutim për librin në qendrën “Barabar” me Korab Krasniqin, udhëheqësin e “ForumZFD” në Kosovë, që e ka botuar librin bashkë me “Oral History”. 
Krasniqi ka thënë se minatorët filluan procesin paralel me përpjekjet e Serbisë për të finalizuar amendamentet kushtetuese. 

“E hënë, 20 shkurt 1989, një mijë e 300 minatorë filluan grevën e tyre 600 deri 800 metra nën sipërfaqen tokësore në minierën e Stantërgut. Greva u bë një akt i definimit të rezistencës së klasës punëtore përkundër presionit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe problemeve politike me të cilat përballej Jugosllavia që më pas ndodhnin edhe arrestime dhe presione politike dhe mbi popullatën shqiptare”, është shprehur Krasniqi.

Autorja e librit, Anna Di Lellio, ka theksuar se greva e minatorëve ishte nismë sociale dhe politike. 
“Millosheviqi dhe jugosllavët e përshkruan këtë si grevë e kundërrevolucionarëve e që ishte kundër lidershipit. Gjithçka që kam shkruar këtu, nuk e tregon se ashtu ishte, pra nuk ishte grevë nacionaliste. Ishte një grevë për të pasur të drejtën e shqiptarëve në Kosovë, që ato të drejta të njihen dhe të kenë trajtim cilësor e të mbrojnë autonominë e Kosovës”, ka deklaruar Di Lellio.

Të pranishëm kanë qenë edhe minatorët e tanimë Trepçës, të cilët kanë ndarë mirënjohje për autoren e librit Anna Di Lellio, si dhe për Korab Krasniqin. 

“Jugosllavia u shemb në Trepçë” u botua nga “Oral History Kosovo” dhe “Forum Civil Peace Service” në Kosovë, me mbështetjen e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.