EXPRESS

“Jorganët...” si art që trajton pyetje ekzistencialiste

Ka qenë shkurti i këtij viti kur Galeria e Ministrisë së Kulturës do të hapte ekspozitën e pionieres së mediumit artistik të tekstilit në Kosovë. “Shtegtimet” e artistes Valbona Zherka kishte qenë ekspozitë e bujshme në kryeqytet, u risollën disa nga kryeveprat e saj në tapiceri e pikturë, për herë të parë pas dekadave. Në të njëjtin kompozicion, me pikturë e tekstil, në të njëjtën galeri, këtë radhë vijnë “Covers”(Jorganët) e artistes nga Gjakova që vepron në Itali, Barbara Prenka. Por ndryshe nga krijimet e Zherkës që shtrihen deri në vitet ‘70, Prenka trajton tekstilin me freskinë e ditëve të sotme. Ajo luan me teknologjinë e digjitalen, por i bën homazh dhe traditës duke respektuar punën tradicionale të konstruktimit të një jorgani artizanal. Janë shtatë jorganë të cilët në shikim të parë, ani pse ruajnë identitetin e të qenit një objekt utilitar, paraqesin edhe teknika të sofistikuara estetike të cilat përtej varjes në mur në një galeri arti, i shndërrojnë ato në vepra arti. Jorgani si pikënisje e këtij cikli vjen nga ajo i pasuruar me qasje ekskluzivisht simbolike e me teknika që i japin identitet të shumëfishtë, që presin të zbërthehen nga perspektiva të ndryshme.

Ekspozitën e parë në Kosovë, Prenka e kishte tetorin e vitit të kaluar në kuadër të projektit të Fondit për të Drejtën Humanitare. E titulluar “Dita e Re” nëpërmjet kësaj ekspozite ajo kishte sjellë një rikrijim të fotove familjare me teknikën e punimit të qilimave tradicionalë si homazh i kujtimeve të paraluftës në Kosovë. Te tradicionalja ajo duket se gjen inspirimin vazhdimisht, i bën nder duke e riaktualizuar në artin e saj.

“Mediumi me të cilin unë punoj është tradicional në mënyrën se si punoj, sepse kemi te bëjmë me qepje dhe materialin. Por punimi më vete është njëfarë lloj pikture, edhe puna ime lind nga tradicionalja, por e kam zhvilluar në një mënyrë moderne. Më intereson ky vizioni i punëdores abstrakte, i asaj që është më hibride dhe është pak dhe distante, kur afrohesh ka pjesë të tradicionales por dhe intime kur ti zbulon tutje”, ka thënë ajo.

E lindur në Gjakovë më 1990, Barabara Prenka e rritur në Itali, vazhdon të jetojë dhe të veprojë në mes të Venecias, Bolzanos dhe Berlinit. Diplomoi në klasën e profesor Carlo di Racos në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia. Identiteti i saj artistik është i formuar nga praktika me pikturë, tekstil dhe qëndisje.

Për kuratorin e ekspozitës, artistin dhe profesorin Zef Paci, bashkëpunimi me Barabara Prenkën rezultoi i frytshëm nisur nga propozimet e vetë artistes. Për të, puna e artistes është shumëdimenisonale në mesazhet që ajo transmeton.

“Është një ekspozitë e cila në thjeshtësinë e saj sjell në vëmendje një sërë problematikash. Çështje që lidhen me identitetin, teknologjinë e veprën e artit. Sepse është një vajzë që vjen nga një formim në pikturë dhe fillon me i prodhu këta jorganë që ka pa që paraardhëset e saja i kanë bërë. E ban duke marrë të njëjtin objekt por në fakt teknologjia ka ndërru, nuk janë më copat e dikurshme, mënyrat e prodhimit janë të ndryshme, moda, mendësia ka ndërruar. Atëherë t’i kupton se identiteti është diçka që pëson ndryshime. Dhe atëherë kur ky objekt që ngjan në një objekt utilitar e artizanal kalon në një objekt industrial, por autorja e përdor për me i zgju këto pyetje duke prodhuar objekt që nuk është utilitar, por dëfton rëndësinë e teknologjisë në prodhim”.

Koordinatorja e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, ka thënë se bashkëpunimi me artisten Prenka është zhvilluar bazuar në parimet e vetë Galerisë, e cila angazhohet me synimin për të ofruar hapësirë për artistë të profileve të ndryshme.

“Gjatë fazës së përgatitjes ne kemi komunikuar shumë me produksionin, me kuratorin dhe kemi ardhur deri te kjo ide finale që po e shihni sot. Ne i kushtojmë rëndësi programit që të jetë gjithëpërfshirës, të jetë i ndryshëm për publikun” .

Atmosfera ndryshon në këndin verior të Galerisë ku muret janë të ngjyrosura me të gjelbër e aty varen disa piktura të artistes, e kjo oazë ndahet nga hapësira qendrore me perde vjollcë e me tingujt eterikë që luhen e që ftojnë në reflektim teksa observohen veprat e artistes, këtë radhë të kornizuara e më konvencionale në dukje.