Kultura shqiptare ka humbur promovuesin më të madh, përderisa letërsia botërore një prej penave moderne.
Shkrimtari Ismail Kadare vdiq në Tiranë paraditen e së hënës. Ai ishte 88 vjeç.
E lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga botuesi i tij, Bujar Hudhri.
Kadareja qysh në rini do të niste të bëhej i njohur në rrethet ku jetoi. I lindur në Gjirokastër më 1936, Ismail Kadare në rini do të shkruante poezi.
Studioi për letërsi në Universitetin e Tiranës, e më pas edhe në institutin “Gorky” në Moskë.
Vëllimet poetike si “Frymëzime djaloshare”, “Ëndërrimet” e “Shekulli im” kishin nisur ta bënin emër në letërsi.
Kurse vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botuar më 1963 që njihet edhe si një pikë kthese në prozën moderne shqiptare.
Historia e popullit shqiptar, identiteti e mbijetesa e tij gjejnë vend mjeshtërisht në romanet e tij.
Pavarësisht se jetoi në kohë të vështira nën diktaturën komuniste, mjeshtëria e Kadaresë ka bërë që të thyente shabllonet e realizmit socialist për t’u ofruar lexuesve letërsi të botës moderne.
“Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi” “Kronikë në gur” e “Pallati i ëndrrave” janë midis veprave që e portertizojnë shkrimtarin më të përkthyer shqiptar në botë.
Romanet e tij flasin në rreth 50 gjuhë. Në vitet ’70 ai depërtoi në Francë duke iu hapur rruga në gjuhë të tjera për t’u bërë shqiptari më me ndikim në glob.
Krahas çmimeve të tjera, më 2019 fitoi “Nobelin” amerikan, siç cilësohet çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”.
Gjatë ndarjes së këtij çmimi, Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.
Ismail Kadare gjatë jetës së tij është vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Është laureat i çmimeve më të rëndësishme letrare në Evropë, përderisa shpesh ka qenë i përfolur si kandidat për nominim për çmimin “Nobel”.
Historia e tij krijuese dhe depërtimi në botë e bëjnë të veçantë figurën e Kadaresë.
“Shuarja e Kadaresë është një humbje për letërsinë pavarësisht a është shqiptare apo tjetër. Kadareja përkiste me veprën e tij në fondin e letërsisë së përbotshme. Është shkrimtari i parë shqiptar që theu të gjitha barrierat që nuk kanë qenë të vogla dhe që nga vitet ’70 e këtej vazhdimisht ka qenë në lëvizje”, deklaroi Ismajli.
Akademik Rexhep Ismajli thotë se Ballkanit i ka munguar një penë si Kadareja derisa ai doli në pah në botë në vitet ’70.
“Ballkani ka qenë shumë pak i njohur në letrat perëndimorë, ka qenë i njohur, ka dominuar modeli i Andriqit, Kazantzakis, disa poetë grekë, por nga bota shqiptare ka munguar një zë, Kadareja ka dalë shumë fuqishëm në këtë pasqyre dhe është imponuar gjithandej në letërsi sidomos tani vonë në letërsitë anglo-amerikane, spanjolle dhe si të themi ndonjëherë sintoni, ndonjëherë konkurrencë, ndonjëherë konfrontim me letërsitë latino-amerikane. Pra është një letërsi që është në frymën e kohës. Dhe neve na bën nder si kulturë gjithandej nga është e përhapur”.
Akademik Ali Aliu thotë se Kadare ka bërë që të rritet vetëbesimi shqiptar në raport me kombet e tjera. Këtë ia njeh si një prej meritave mjeshtërore.
Gjatë ditës udhëheqësit shtetërorë në Kosovë, si presidentja Osmani, kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca, e po ashtu edhe liderët e institucioneve kryesore në Shqipëri vdekjen e Kadaresë e kanë përshkruar si një humbje të pazëvendësueshme për kombin shqiptar e kulturën letrare në botë.
Për vdekjen e Kadaresë kanë shkruar edhe mediat më të rëndësishme botërore.