Në rrymën e ndërveprimeve ndërkombëtare, ku lidhjet diplomatike rezultojnë të jenë impenjim me rëndësi për çdo shtet, kultura është urë e cila mundëson krijimin e marrëdhënieve si ato midis Francës dhe Kosovës. E një raport si ky thellohet edhe më tej me themelimin e Institutit Francez në Kosovë, i inauguruar në kuadër të edicionit të 24-t të “Javës së Frankofonisë” në Kosovë, të martën mbrëma, në ditën e parafundit të kësaj ngjarjeje tradicionale, që sivjet ka pasur Mitrovicën si kryeqendër, por që aktivitetet i ka shtrirë edhe në Prishtinë.
Në ceremoni kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dërguari special i Francës për Ballkanin, René Troccaz, ambasadori francez, Olivier Guérot, dhe drejtori e Institutit Francez, Donato Giuliani.
Presidentja Osmani ka theksuar rolin e shkëmbimeve kulturore e gjuhësore në ndërtimin e marrëdhënieve mes shteteve.
“Instituti Francez, i cili po hapet sot, është i destinuar të luajë rol kyç në përafrimin e dy vendeve tona dhe popujve tanë duke promovuar vlera të përbashkëta, si dhe thellimin e kuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës. Siç thuhet shpesh, gjuha është çelësi i shpirtit të një kombi. Ne shqiptarët e kuptojmë këtë shumë mirë, besoj thellë në fuqinë e gjuhës pasi që duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit ne jemi në gjendje të mirëkuptohemi, ta kultivojmë empatinë dhe ta promovojmë dialogun”.
Programi i këtij instituti, i cili është prezantuar shkurtazi, pikë qendrore ka ofrimin e mundësive për të mësuar gjuhën frënge. Instituti do të vijojë me kurset e frëngjishtes, të cilat deri vonë janë ofruar nga Aleanca Franceze, institucion pararendës tashmë i shkrirë në këtë institut.
I dërguari special i Francës për Ballkanin, René Troccaz, në fjalimin e tij u shpreh i lumtur që një institucion i tillë po themelohet në Kosovë, duke iu referuar atij si një investim në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Është me të vërtetë një pikë shumë me rëndësi e bashkëpunimit tonë. Më besoni, jam i sigurt se ky është një investim shumë i mirë për të ardhmen, dhe në Francë po investohet në këto marrëdhënie. Ne në Francë e kemi një thënie se nuk ka dashuri, por ka vetëm dëshmi të dashurisë, dhe hapja e këtij instituti është një dëshmi e prekshme e investimit që po e bëjmë këtu”.
Në fund të fjalimeve të shkurtra ambasadori francez, përfaqësuesi special dhe presidentja ngrenë një dolli, për t’i hapur rrugë soditjes së hapësirave të Institutit në lagjen “Pejton”, shoqëruar me muzikë klasike e ekzekutuar nga dy violina, krahas shampanjës franceze që shërbehej në këtë ceremoni të dendur me diplomatë.
Themelimi i Institutit Francez të Kosovës është një hap domethënës që tregon vendosmërinë e Francës për të thelluar lidhjet kulturore dhe gjuhësore me Kosovën.