Kishte qenë gjetje unike dhe e paparë në skenën artistike në Kosovën e pasluftës. Nuk kishte të bënte aspak me një ekspozitë të rëndomtë. Mbi të gjitha ishte një angazhim kolektiv artistësh që inkurajonte çdo vizitor e qytetar të analizonte të kaluarën, të tashmen e atë se çfarë i priste.
“I kemi 12 orë – kinse art” ishte një ngjarje e cila ngjante në një instilacion gjigant artistik, i organizuar për 12 orë pa ndërprerje, në vitin 2004 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. E udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atë kohë aktivist, artistja e profesoresha Zake Prelvukaj, “Kosovo Action Network” dhe “Urban FM”, “I kemi...” kishte synuar të jepte përgjigjet e tri pyetjeve, por pa e ditur se 20 vjet pas, po të njëjtat do të ishin, po aq aktuale sa dy dekada më parë. “Prej nga kemi ardhur?”, “Ku jemi?” dhe “Ku jemi duke shkuar?”, është “trinia” e pyetjeve.
Përgjigjen në pyetjen e tretë, atë për të ardhmen, projekti i 2004-s e zbuloi të premten mbrëma me ekspozitën “I kemi edhe 12 orë të tjera”, dy dekada prapa me një rivizitim të ngjarjes e me një koncept kuratorial të ri nga kuratorja Catherine Nichols.
Në hyrje të “Galerisë 17” – ngjashëm siç kishte ndodhur në 2004-tën në hyrjen e arkadës tregtare të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve – vizitorët i step një semafor i ngritur afër derës së Galerisë. ‘”Stop and Go’ kishte qenë vepra e artistit Bujar Bacaj, e cila sërish luan me ndërgjegjen e vizitorit, por kësaj radhe sjell në horizont pyetje krejt të reja. Në pamundësi që të sillte semaforët origjinalë sikur në ekspozitën e dy dekadave më parë, artisti Bacaj këtë herë ka rindërtuar veprën e tij duke përdorur drita të marra nga Berlini për shkak të mungesës së sinjaleve të trafikut të përdorura në Prishtinë.
Përveç rolit si udhëheqëse në organizimin e “I kemi...”, artistja Zake Prelvukaj, tash në “I kemi edhe...” sjell prekjen e saj me art të angazhuar që e kishte bërë dikur dhe në ekspozitën origjinale. Janë dy fotografi, secila paraqet gishtin e mesëm të artistes ku në njërin mbishkruhet fjala “Demokraci” e në tjetrën “Art Modern”.
Vetë artistja në një retrospektivë evidenton dallimet e skenës së artit në pasluftën e Kosovës në raport me të tanishmen. Kujton se sa i mundimshëm kishte qenë realizimi i kësaj ngjarjeje artistike në 2004-tën.
“Unë mendoj që artistët e asaj gjenerate, sidomos të rinjtë në atë gjeneratë, kanë qenë shumë të fortë dhe të suksesshëm. Jemi kuptuar mes vete dhe kemi ardhur deri te një përfundim që arti nuk duhet të jetë vetëm në galeri, por arti duhet me qenë aty ku janë njerëzit. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, kemi parë që kemi shkruar një histori e cila ndoshta ka qenë e padukshme, dhe tash shumë njerëz po e hulumtojnë atë”.
Kujtesa e ngjarjes së 2004-s u sigurua nga intervistat e realizuar nga drejtuesja artistike e “Shtatëmbëdhjetë”, Fitore Isufi – Shukriu e njohur si Koja dhe kuratorja e ekspozitës “I kemi edhe...” Catherine Nichols. Por deri te realizimi i kësaj ekspozite u ishin dashur pothuajse një vit kohë dhe synimi është që të mos mbetet me kaq.
“Ne kemi nisur me shumë pak material, një video dhe disa fotografi, por pastaj kemi filluar të intervistojmë artistë, aktivistë dhe pjesëmarrës dhe kështu filluam të zbulonim gjëra të reja shumë shpejt dhe imazhi final filloi të qartësohej. Ka gjenerata të ndryshme të cilat janë përfshirë këtu dhe kjo ekspozitë është vetëm fillim i këtij hulumtimi. Shpresojmë që ta zhvillojmë këtë punë edhe me një publikim, por ekspozita do të ndihmojë që njerëzit që ishin pjesë e asaj 20 vjet më parë të kujtojnë të dhëna dhe tregime që do të na ndihmonin ta plotësojmë hulumtimin. Kështu do të dokumentohet dhe për gjeneratat e ardhshme”.
Paqartësitë dhe mungesën e informacionit për të kaluarën, faktin se ajo shpesh mjegullohet nga neglizhenca e ilustron më së miri intervenimi kuratorial i artistes Flaka Haliti. Me ‘E mbani mend këtë vepër?”, Haliti fton vizitorët në ekspozitë te një pirg letrash të bardha A3 dhe një laps, që të rindërtojnë me detaje të ndryshme veprën e saj të 2004-tës në mungesë të objektit fizik që nuk ekziston më.
Në një rishikim të tretë, “dyshi” i “I kemi...” bën sërish atë që kishte bërë dy dekada më herët: provokon, hedh dritë, aktualizon, zgjon diskutime të reja. Krejt i shërbejnë diskursit të sotëm lokal e global. Por njëherësh kujton se sa radikal e bashkëkohor kishte qenë arti në Kosovën e pasluftës.