EXPRESS

“Hope” me sfidat e luftën për jetë

Premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës, “Hope” nëpërmjet fuqisë së vallëzimit përçon te publiku forcën, shpresën dhe bashkimin e njerëzve kundër sëmundjes së kancerit. Premiera e parë e këtij viti është dhënë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Baleti vazhdon të jetë institucion qiraxhi

Në një skenë të errët dritat e zbehta pulsojnë duke krijuar iluzionin e një beteje të përhershme mes dritës dhe errësirës. Janë nëntë trupa. Vallëzojnë me një ritëm muzikor të lehtë, që herë pas here bëhej më i fortë. Duket si një betejë e pafund. Nga skaji i skenës, ngadalë ecën një balerinë e veshur me të bardha si një fije drite mes errësirës. Loja tregon se ajo sikur mundohet të gjejë mbështetje te të tjerët nga sëmundja që lëngon. Nga skutat e errëta të skenës, dalin balerinë të tjerë. Të tjerët duket sikur përmbahen. Skenat e shfaqjes “Hope” janë përzierje midis dhimbjes e shpresës. Në bashkëpunim me organizatën “Action for health”, baleti Kombëtar i Kosovës ka dhënë premierën e parë për këtë vit të martën mbrëma. “Hopë” është dhënë premierë pikërisht në Ditën Botërore të Kancerit si shfaqje që nxjerr në pah nëpërmjet lëvizjeve luftën për jetë. 

Ambasadori gjerman Joern Rohde ka thënë se kjo shfaqje ka qenë e jashtëzakonshme. 

“Sigurisht që doja të isha këtu, sepse ishte një shfaqje për kauzën, se sot e kemi Ditën Botërore të Kancerit dhe mendoj se është e rëndësishme ta mbështesim këtë, sepse në çdo vend kemi këtë sëmundje. Kjo është një sëmundje që merr shumë jetë të njerëzve dhe është e rëndësishme të mbështeten fondet që bëjnë kërkime për kancerin. Pra një kauzë e madhe, performancë e shkëlqyer, dhe i uroj edhe Baletit Kombëtar një të ardhme të madhe”, ka theksuar Rohde.

E drejtoresha e organizatës “Action for health”, Nezaqete Rukovci ka thënë se nëpërmjet shfaqjes kanë ardhur në pah sfidat e mëdha të atyre që vuajnë nga sëmundja e rëndë. 

“Nëpërmjet kësaj performance ne kemi dashur që ta arrijmë qëllimin tonë, mbështetjen, dashurinë, dhembshurinë për t’u ngritur mbi sfidën që e kaplon njeriun kur preket nga sëmundje të ndryshme. Dashuria, dhembshuria, empatia dhe solidariteti janë disa nga komponentët kryesorë, të cilët ndikojnë dhe e fuqizojnë njeriun”, ka deklaruar Rukovci.

Solisti i Baletit kombëtar të Kosovës, Sead Vuniqi i cili ka bërë koreografinë e shfaqjes ka thënë se në bazë të lojës në skenë dhe elementeve si shallet, pema dhe personazhet ka ndërthurur krejt konceptin e tij. 

“Simboli i balerinës në rolin kryesor, ka qenë pak më i veçantë karshi roleve të tjera, që vetë fjala “Hope” e nënkupton shpresën dhe që ajo të jetë e veshur me një lloj të bardhe, me pak nuanca të qumështit, simbolizon personin e sëmurë, por përmes së bardhës kallëzon për brendësinë e saj, se ka shumë shpresa, ka shumë vuajtje, ka shumë dhimbje, por gjithmonë duhet të gjejë një forcë dhe t’i kalojë gjithë ato duke pasur shpresë, duke pasur mbështetjen e njerëzve të tjerë dhe përkrahjen e tyre”, ka theksuar Vuniçi. 

Këtë shfaqje BKK-ja e ka dhënë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Baleti është refugjat tash e më shumë se dy vjet. 

“Besoj se të gjithë e kanë kuptuar temën e cila ndërlidhet me sëmundjen e kancerit. Dhe të gjithë që janë ballafaquar më të apo të afërm e kuptojnë sfidën emocionale dhe fizike, që ka qenë prekëse edhe për ne, sepse është dashur të hyjmë në atë botë që të mundemi edhe ne të performojmë dhe ta japim maksimumin tonë dhe ta përçojmë këtë ndjenjë te publiku dhe shpresoj se kemi arritur ta bëjmë”, ka deklaruar balerini Isa Beg Gjocaj.

“Hope” bashkon në skenë frikën, sfidat e luftën e atyre që çdo ditë e kanë betejë të jetës.