EXPRESS

“Hijet” e sotme për pasojat e errëta të luftës

Portreti i Bajram Qerkinajt me përkushtimin e palëkundur në çështjen e personave të pagjetur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë është simbolika kryesore në dokumentarin “Hijet”.  Vjen si dokumentim i bashkëjetesës së përditshme me dhimbjen dhe kujtimet e së kaluarës. “Hijet” shpalos një kapitull të veçantë të jetës së kryepersonazhit. Paraqitet si aset i trashëgimisë së luftës. “Kohavisioni” është stacioni i parë i dokumentarit që do të jepet premierë televizive më 9 qershor.

Në atmosferën e një mëngjesi të hershëm të qytetit të Mitrovicës, ku gjithçka bëhet gati për gjallërinë e një tjetër dite, syri i kamerës çon në shtëpinë e Bajram Qerkinajt. Aty zbulohen jeta, veprimtaria, angazhimi i kryepersonazhit. Vuajtjet flasin heshtur. Karakteri i tij prej luftaraku e çon drejt përpjekjeve të pafundme në shërbim të kauzës për personat e pagjetur në Kosovë.

Narrativa për Bajram Qerkinajn ndërtohet me mozaikun e rrëfimeve nga familjarë, bashkëpunëtorë e udhëheqës institucionesh.

Nga shtatori i kaluar e deri në dhjetor ka zgjatur krejt procesi i punimit të filmit dokumentar.

Regjisori Valter Lucaj ka thënë se me të janë munduar të dokumentojnë jetën e përditshme në një ditë si rrugëtim goxha i gjatë për të mbërritur qëllimin që ia ka vënë vetes.  Por edhe të risjellin ngjyrat e dhimbjes të cilat, sipas tij, ngjan se janë zbehur.

“Me dokumentar jemi munduar t’i kujtojmë njerëzit. Pavarësisht se nuk e kanë dikë në familje, e kanë dikë të njohur që e pa dikë të pagjetur. Qëllimi kryesor ka qenë t’i ofrojmë njerëzit tek publiku dhe të ndiejnë atë që kemi ndier ne derisa kemi qenë në takim me familjarë të të pagjeturve. Kur e shihni dokumentarin shihet se është i xhiruar në një atmosferë shumë të zymtë, sepse ashtu e kemi ndier ne kur kemi qenë atje”.

Qerkinaj i përfaqëson të gjitha komunitetet e Kosovës pa dallim të prekura nga lufta. Dokumentari “Hijet” është dëshmi. Përtej nacionalitetit, misioni i atyre që kanë humbur të afërmit është i përbashkët.

Skenaristja Rebeka Qena ka thënë se filmi dokumentar e dokumenton tragjedinë e popullit të Kosovës. Ka treguar se derisa kanë qëndruar në shtëpitë e njerëzve të prekur nga pasojat e luftës dhe kanë biseduar me ta, kanë kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh përherë me dhimbje.

“T’i hysh dikujt në shtëpi ku i sheh muret, kujtimet, mbërrin të njoftosh një person që nuk është më, t’i kuptosh ëndrrat e atë se sa e kanë dashur jetën. E kupton se dikush është privuar dhe se ke mundur të jesh ti ai person. Mbërrin të afrohesh dhe ta kuptosh se çfarë do të thotë të jetosh në përditshmëri këtë dhimbje. Por edhe të inspirohesh për të kuptuar se si njeriu arrin t’i tejkalojë, një prej tyre është Bajrami. Të marrësh forcë prej asaj dhimbjeje dhe të vazhdosh të mundohesh t’u ndihmosh të tjerëve është inspiruese”.

Qëllimisht fatkeqësia e Qerkinajt është vendosur në pjesën e dytë të dokumentarit. Aty prezantohet si familje tradicionalisht e vuajtur në të kaluarën. Historia vazhdon edhe sot 25 vjet pas luftës.

Dokumentari është prodhim i organizatave “Integra”, “Casa” dhe “Barabar Centre”.

Producenti i këtij projekti, Kushtrim Koliqi, ka theksuar bashkëpunimin e kahershëm me grupin KOHA. Ka thënë se “Hijet” është një prej dokumentarëve më të denjë që e trajton trashëgiminë e luftës dhe e vlerëson punën e njerëzve që me ngulm insistojnë të hedhin pak dritë në çështjen e personave të pagjetur.

“Arsyeja pse ne kemi vendosur që dokumentari fillimisht të ketë premierë televizive e pastaj të shohim opsione të tjera është pikërisht për shkak të rëndësisë që e ka, temën që trajton, personazhin e jashtëzakonshëm, me idenë që të kemi sa më shumë arritje dhe të shpërndahet tek njerëzit. Platforma që na ka dhënë KTV-ja në këtë rast është mënyra më e mirë që rrëfimi, sfidat, vuajtjet, arritjet, motivimi i tij për të punuar për temën e të pagjeturve të jetë inspirim për të gjithë shoqërinë”.

Ka thënë se pas premierës televizive do të pasojnë premierat fizike në vend dhe jo vetëm.

“Hijet” vjen si dokument për hijen e kujtesës e të kaluarës që dhemb. Hije si prezencë e të dashurve që nuk janë aty, por përherë mbesin në kujtime. Fakton dhimbjen e përditshme. Ashtu siç ngjan me Bajram Qerkinajn edhe kur po shkon drejt dekadës së nëntë të jetës.