EXPRESS

“Gratë, fuqia e krijimit” në kujtime, porosi e imagjinatë

Nëse para njëqind vjetësh, siç dëshmohet edhe në historiografi, gruaja zor depërtonte në art, tash skena e artit është pushtuar prej saj. E pesë artiste nga Greqia kanë “pushtuar” “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë me ekspozitën “Woman, the power of Creation” (Gratë, fuqia e krijimit) ku shpalosen kujtime, porosi e imagjinatë. Secila vepër është inspirim

Janë dizajne e vepra të tjera arti në materiale të ndryshme e të punuara në teknika të ndryshme. I bashkon qëllimi: shpalosja e kujtimeve, ideve e imagjinatës. 

Pesë artiste greke i kanë sjellë Prishtinës pak nga arti i tyre. Midis fotografive, ndërhyrjeve në to, tekstilit e instalacioneve me ushqim, veprat e Maria Kompatsiarit, Spiridoula Politit, Ioanna Terlidout, Eleni Theofilaktout e Zefi Tiftiktsoglout janë bashkuar në “Shtëpinë e Evropës”. Nën organizimin e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ekspozita sjell një tjetër perspektivë për gratë dhe kujtesën e tyre. 

“Woman, the power of Creation” (Gratë, fuqia e krijimit) në bodrumin e “Shtëpisë së Evropës” bashkon rrëfime të ndryshme. Dizajnet në rroba sikur i bëjnë këto veshje të flasin për përjetime jo veç të autoreve, por edhe të paraardhëseve të tyre gra. Intalacioni me ushqim paraqet një kontribut tjetër të grave që zakonisht nuk përmendet. Në këtë rast ushqimi vjen veç estetikisht pa mundësi për t’u konsumuar.

“Në këtë ekspozitë vjen fuqia krijuese e grave. Nuk mund të injorojmë se në të kaluarën gratë artiste kanë luftuar për njohjen e punës së tyre e tash është ndryshe, pasi gratë kanë tjetër perspektivë”, tha shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali.

Kuratorja e ekspozitës, Stavroula Mavrogeni, ka thënë se gratë e kanë okupuar artin krejtësisht.

“Janë vepra inspiruese që mundësojnë shprehjen e lirë të vetes. Kanë të bëjnë me kujtime të ndryshme, edhe me ato të heshtura. Këto kujtime sjellin perspektiva të ndryshme personale. Ne jemi kujtime dhe me ato ne mendojmë, planifikojmë e krijojmë. Kapaciteti që të kujtomë ndikon vendimet e personalitetin tonë”, tha Mavrogeni.

Artistja e njohur, njëherësh profesoreshë universitare, Zake Prelvukaj, ka thënë se të jetosh si grua në hapësirat tona dhe më gjerë nuk është e lehtë, por të jesh grua artiste është shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë

“Madje artisti gjerman Georg Baselitz shprehet se gratë ‘nuk mund të pikturojnë mirë, dhe për këtë arsye nuk mund të marrin çmime’- që për mua është absurd dhe fatmirësisht sot meshkujt nuk mendojnë ashtu”, deklaroi Prelvukaj.

Veprat e ekspozuara në institucionin evropian në Prishtinë janë veç të një gjinie. Vijnë si dëshmi e fuqisë së grave, por njëherësh edhe si thirrje për të drejta të barabarta në praktikë.