EXPRESS

Grafitet thyejnë peizazhet e zbehta me ngjyra për edukim

Artistë nga vendi dhe mbarë bota në Prishtinë i kanë zbërthyer ngjyrat në murale nën temën “Educate to Elevate”. Me festivalin ndërkombëtar të grafitit “Meeting of Styles”, muret e kryeqytetit për tetë edicione i ka veshur me art. Sivjet është rikthyer në lagjen “Arbëria” përgjatë rrugës hekurudhore. Në 2 mijë e 835 metra katrorë, gjithsej 130 artistë kanë projektuar veprat e “street-artit”.

“Meeting of Styles” ia ka freskuar ngjyrat rrugës “Tirana” në dy anët e mureve pas pesë vjetësh. Aty ka bërë bashkë stilet e grafitit.

Më 2019, 188 artistë kishin veshur muret me vepra dhe ishin realizuar njëqind murale për tri ditë, aq sa tradicionalisht zgjat ky edicion.

Kjo pjesë e kryeqytetit është kthyer në hapësirë argëtimi e loje, me shtandet e “Urban Bazzarit” të “Meeting of Styles” e skenës për muzikë. Për tri ditë është finalizuar puna e muraleve që do të qëndrojnë aty për disa vjet. Ani pse organizatorët vitin e kaluar kishin paralajmëruar se për këtë edicion synojnë një lagje të paprekur prej veprave të tilla.

Anea Kuçi, koordinatore e aktiviteteve ka thënë se një prej qëllimeve të “MOS Kosova” është t’i japë ngjyra qytetit.

“Një prej qëllimeve të ‘Meeting of Styles’ është të lihet një hapësirë e shfrytëzueshme si një lloj parku i muraleve dhe të bëhet hapësirë për qytetarët e Prishtinës. Një mënyrë për ta zbukuruar hapësirën dhe për t’i dhënë ngjyra qytetit”.

Ka bërë të ditur se shumica e artistëve pjesëmarrës janë ata që kanë marrë pjesë edhe në edicionin e kaluar të festivalit, i cili ishte vendosur në “Rrugën B”  nën temën “Critical mass”.

Sivjet Chiara Frei nga Zvicra, ka sjellë një portret shumëngjyrësh në profil të një vajze. Kjo është praktika e saj të cilën e ka shpalosur edhe në Prishtinë për herë të parë.

“Unë kryesisht punoj portrete. Punimet e mia janë të frymëzuara nga momentet e jetës dhe gjërat që i jetoj. Çdo person që sheh punën time mund ta vendos veten në atë portret. Është një vend i bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm. Edhe ky lokacion është shumë i bukur, nuk e prisja kështu. Është mundësi e mirë të takojmë miq të vjetër, artistë që kemi takuar më parë dhe miq të rinj”.

Artisti me emrin artistik “Dice London” nga Anglia ka sjellë një mural abstrakt. Ai ka qenë në edicionin e kaluar në këtë festival.

“Është një vepër negative në fakt. Ka errësirën e jetës. Unë punoj letrat e grafitit tradicional të inspiruar nga Nju Jorku.  Është festivali më i mirë që kam qenë gjithandej”.

Edhe për italianin Michele Sollitto, është hera e dytë që merr pjesë në “Meeting of Styles” në Prishtinë. Edhe ai ka qenë në edicionin e kaluar, ku ka lënë shenjën e tij në “Rrugën B”.

“Zakonisht fillova duke bërë skica për disa muaj, por nuk më pëlqen të ndiqem nga skicat. Preferoj të bëj atë që ndjej në moment. Aty mëson diçka dhe asnjëherë nuk humb. Për këtë punim kam zgjedhur ngjyra plotësuese krahasuar me sfondin. Është një kontrast i bukur”.

Pos programit qendror që është paraqitja e artit të grafiteve në mure, Festivali paralelisht ka mbajtur edhe aktivitete të tjera si mbrëmje muzikore e punëtori.

“Meeting of Styles” është rrjet ndërkombëtar me qendrën kryesore në Wiesbaden të Gjermanisë. Krejt Festivali kishte nisur me organizimin e ngjarjes atje në vitin 1997 dhe në vitin 2002, ishte përhapur në vendet e botës. Në Kosovë që në edicionin e parë mori titullin “Best First Edition”.

“Meeting of Styles” vjen në kryeqytet si vlerë artistike e artistëve nga kultura të ndryshme, por që bëhen një me artin e rrugës.