EXPRESS

Grafikat bashkëkohore me misteret e pakufishme të artistëve

Edicioni i dytë i ekspozitës “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë” vjen si reflektim i përfaqësimit të skenës vendore të grafistëve. 24 artistë me grafika shprehin botën e tyre artistike. Limitohen brenda hapësirës së materialit ku hidhet kjo shprehje artistike, por fantazia artistike duket e pakufishme

Janë dhjetëra vepra të ekspozuara në muret e kafe-galerisë “KultPlus” në Prishtinë. Fletëgrafikat e njëzetekatër artistëve duken të një bote tjetër. Imagjinata e grafistëve shpërndahet në teknika e koncepte artistike. Përmblidhen në ekspozitën e dytë “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë”, me mistiken përbrenda. 

Edicioni i dytë i ngjarjes ka qenë si reflektim i përfaqësimit të skenës vendore të grafistëve. Artistët shprehin botën e tyre artistike brenda veprave me dimensione që nuk ekzagjerohen. Limitohen brenda hapësirës së materialit ku hidhet kjo shprehje artistike, por fantazia artistike duket e pakufishme.

Rrëfimi aty manifestohet prej më abstraktes e deri në realizëm. Veprat kërkojnë sy të mprehtë për t’u kuptuar e perceptimi psikologjik çon në shtigje të tjera, përtej asaj që ofron autori.

Organizator i ngjarjes e kurator i ekspozitës “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë” është profesori i grafikës në Universitetin e Prishtinës, Basri Mekolli.

Ai ka thënë se edicioni i dytë i ekspozitës së hapur të premten mbrëma, përmbledh grafistë të gjeneratave të ndryshme njësoj sikurse qasja. 

“Konceptet artistike të tyre i kanë të fushave multidimensionale duke filluar prej abstraksionit të skajshëm, pastaj abstraksionit asociativ, motiveve realiste por që i përshkruan një notë mistike dhe portretet e abstrahuara. Ndërsa teknikat për realizimin e grafikave janë kryesisht teknikat e shtypit të thellë, gjilpërës së thatë, bakërshkrimit, ka edhe shtyp të depërtueshëm. Këto janë kryesisht teknikat që janë prezantuar këtu”, ka deklaruar Mekolli.

Ka thënë se në ekspozitë ka edhe grafika reale që përshkruhen me atë që ai e quan si notë misticizmi. 

”Qasjet janë të ndryshme, varësisht prej individit, përmbledhjes, njohurive të tyre empirike, racionale, botës në të cilën ata jetojnë nga informata të ndryshme. Lënë gjurmë në ndërdijen e tyre dhe ajo manifestohet edhe në fletë grafike që ata i kanë materializuar vetë”, ka theksuar Mekolli.

Artisti Festim Matoshi ka dy vepra të ekspozuara aty. “Heshtja” e punuar me teknikën shtyp i depërtueshëm sjell atë që ngjan në një lloj katrahure degësh që shfaqin veç pjesën më të lartë të pemës, sikurse edhe vepra “Gjurmë” me të njëjtën teknikë. Por mënyra sesi i sjell, e përcakton distancën kohore midis tyre. 

Autori i veprave ka treguar se ato i ka punuar në vitin 2016 gjatë studimeve. 

“Në edicionin e dytë të organizuar marr pjesë me dy punime. Personalisht marr pjesë me teknikën e shtypit të depërtueshëm apo me serigrafi siç njihet më shumë te ne në publik. Veprat janë të shkëputura nga cikli i punimeve të studimeve master. Është teknikë e veçantë prandaj e ka peshën e vet, veprat janë të vitit 2016”, është shprehur Matoshi.

“Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinj kosovarë” do të qëndrojë e hapur për dy javë. Secila pjesë është rrëfim unik që pos artit, shpalos shpirtin krijues e kreativitetin e 24 artistëve.