Etnomuzikologu Krenar Doli dhe profesori i historisë, Bestar Vula, e kanë sjellë figurën poliedrike të Qamil Muhaxherit prej krijuesi, interpretuesi dhe jo vetëm. Në “Mensën Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ngjarja ka përkuar me 102-vjetorin e lindjes dhe 34-vjetorin e vdekjes së këngëtarit e kultivuesit të muzikës popullore qytetare
Jeta, veprimtaria e krijimtaria e një prej këngëtarëve më emblematikë të shekullit të kaluar në të gjitha hapësirat shqiptare dhe më gjerë, janë përmbledhur në monografinë “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”. Etnomuzikologu Krenar Doli dhe profesori i historisë, Bestar Vula, e kanë sjellë figurën poliedrike të Qamil Muhaxherit prej krijuesi, interpretuesi dhe jo vetëm. Në “Mensën Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ngjarja ka përkuar me 102-vjetorin e lindjes dhe 34-vjetorin e vdekjes së këngëtarit e kultivuesit të muzikës popullore qytetare.
Libri nis me historikun e vendlindjes së Qamilit të Vogël – Gjakovës – e më pas vijon me atë që në terma të etnomuzikologjisë njihet si aheng, por që ka të bëjë me shtresën e rëndësishme të repertorit të këngës qytetare shqiptare. Aty është historiku i këtij ahengu.
Në kapitullin e dytë është jeta dhe vepra e Qamilit të Vogël. Aty përmendet krijimtaria e pasur me këngë të ndryshme si këngët e dashurisë, vajtimit, ato me karakter historik e ato me tematika sociale.
Të gjitha këto elaborohen në këtë kapitull që përfshin edhe imazhet e albumeve voluminoze që përmbledhin krijimtarinë e tij. Kapitulli i tretë sjell vështrimet e figurave të shquara mbi veprën dhe krijimtarinë e Qamilit të Vogël. Në kapitullin e katërt, autorët Doli e Vula kanë përmbledhur ngjarjet që ndër vite janë organizuar si përkujtim e nderim i veprës së Qamilit të Vogël.
“Jemi munduar, së bashku me Bestarin që krijimtarinë e tij të bujshme ta trajtojmë në disa aspekte, qoftë si krijues, si tekstshkrues, si interpret, qoftë si mbledhës, por edhe si autor i 11 libërthave prej vitit 1957 deri 1978 ku aty shtegton nëpër të gjitha viset shqiptare dhe mbledh folklorin e këngë të tematikave të ndryshme”, ka deklaruar Doli.
Ai ka thënë se nuk ka botime të tilla me këndvështrim analitik muzikologjik.
“Libra për Qamilin e Vogël nuk është se nuk janë shkruar, por janë shkruar për pikëpamjen e tij jetësore dhe për shumë dimensione, por në këtë këndvështrim analitik muzikologjik, nuk është marrë askush. Uroj që kjo punë e jonë të jetë një shtysë edhe për studiuesit e tjerë që do të merren dhe do ta kenë një bazament të qëndrueshëm për kontributin e tij të pamohueshëm në traditën muzikore shqiptare”, ka shtuar Doli.
Etnomuzikologu Bekim Ramadani ka thënë se libri “Gjurmë...” trajton aspekte etnologjike, psikologjike dhe etnomuzikologjike.
“Krenari dhe Bestari kanë arritur të shpërfaqin dhe të hulumtojnë këto këngë edhe nga ndërtimi i tyre muzikor, nga aspekti etnomuzikologjik. Shpërfaqin gjithë elementet e bukura që karakterizojnë këngët e bukura shqipe me vibratot, ornamentet, mënyrën e këndimit e të tjera, por duke folur gjithashtu edhe për aspektin monotik dhe për aspektet e tjera të karakterit heterofonik”, ka deklaruar Ramadani.
Duke folur për krijimtarinë e Qamilit të Vogël, ka thënë se ai me përulësi përkujtonte edhe mjeshtrit e hershëm nëpërmjet këngës, specifikisht përmend Ymer Rizën që ishte mësues i tij.
E recensenti i monografisë, Albin Sadiku, ka thënë se ajo është me interes për shkencën, muzikologjinë dhe etnomuzikologjinë. Ka përmendur edhe metodat mbi të cilat është ndërtuar kjo monografi.
“Ata kanë shfrytëzuar metodat e të menduarit logjik që janë: analiza, sinteza, induksioni, deduksioni, ebstragimi, krahasimi për të arritur deri te përfundimi teoriko-shkencor dhe kësaj pune ia kanë dalë me sukses të plotë. Meqë ky hulumtim ka të bëjë me një temë të karakterit etnomuzikologjik”, ka deklaruara Sadiku.
Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër, Qamili i Vogël i rrëmbeu të gjitha shtresat shoqërore jo vetëm te populli shqiptar, por edhe më gjerë. Ai jo vetëm që këndonte bukur, por edhe më bukur shkruante. Do të bëhej shpejt jo vetëm njëri prej zërave më të njohur të qytetit të Gjakovës, po do të jehonte edhe më tej. Kontakti i tij i parë me një prej këngëtarëve të parë të këngës popullore, Ymer Rizën, e kishte shtyrë drejt rrugëtimit muzikor prej të cilit nuk u shkëput deri në ditët e fundit të jetës. Gjatë jetës së tij, Qamil Muhaxhiri kishte krijuar dhjetëra këngë të ndryshme dhe kishte mbledhur qindra këngë, të cilat i kishte botuar në 11 libra xhepi. Kishte bashkëpunuar me krijues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kishte formuar shoqëri të ndryshme artistike muzikore. Qëllimi ishte përhapja e këngës së bukur shqipe.
Në ngjarjen ku është promovuar monografia, janë interpretuar edhe këngët e tij si “Fol se m ke në dorë” e “Pasha sytë e mi” nga grupi i muzikantëve të rinj “Rilindja”. Vajza e Qamilit të Vogël, Shqipe Muhaxheri, ka thënë se ndien krenari që kënga e babait të saj vazhdon të kultivohet, veçmas nga gjenerata e re.
“A ka më krenari për mua si familjare kur i dëgjoj këta breza të rinj që ripërtërijnë këngët e vjetra, kur shoh që shkruajnë, nxjerrin nga harresa. Kjo është krenaria. Me siguri babai pushon në paqe, por ne jemi krenarë që, pas sa e sa vjetësh, e shpresoj që do të kalojë edhe një kohë e gjatë, që këto këngë do të këndohen dhe do të mbesin dokument për muzikën e mirëfilltë shqipe”, ka theksuar Muhaxheri.
Krijimtaria që ka lënë pas trashëgimi e bën figurën e Qamilit të Vogël të pavdekshme në historinë muzikore të vendit.