Mënyra se si shfaqen protagonistët në ekspozitën “Fuqia e dëshirës” të Jetmir Idrizit, duket si përmbysje totale e krejt shtypjes, paragjykimeve e sulmeve. Por realiteti jashtë fotografive është i zymtë. Nëpërmjet imazheve bardhezi ai sjell një copë nga Brazili, por rrëfimi që fshehin prapa imazhet është një kapitull universal për të drejtat e komunitetit LGBT+.
Dhjetëra vepra bardhezi sjellin jo vetëm Brazilin e largët, por një kauzë globale. Një komunitet të vetëm që qëndron stoik përballë pushtetit, shoqërisë, botës. Aktivitetet që shfaqin fotografitë e artistit Jetmir Idrizi në ekspozitën “Fuqia e dëshirës”, janë vetë rezistenca e personave LGBT+.
Në Galerinë Kombëtare, kuruar nga francezja Camille Cousin, imazhet shfaqin se si festa e protesta bashkohen në një mision.
Janë skena të shkrepura dhjetë e më shumë vjet më parë në São Paulo e në Rio de Janeiro nga Jetmir Idrizi. Nga rrugët me karnavale, festa, parada dhe jo vetëm, te klubet e natës ku shpërthen liria, artisti i kap momentet në format bardhezi duke e lënë në qendër subjektin. Pikërisht një qasje si kjo ka rëndësi në secilën fotografi që ndodhet në kornizë a jashtë saj. Objektet janë të turbullta, veçmas në fotografitë artistike.
Mënyra se si shfaqen protagonistët në këto fotografi duket si përmbysje totale e krejt shtypjes, paragjykimeve e sulmeve. Por realiteti jashtë fotografive është i zymtë.
“Nëse i shohim këto fotografi duket se në Brazil të drejtat e tyre janë shumë më të mëdha dhe na duket se kanë shumë më shumë liri se te ne, por fatkeqësisht Brazili vazhdon të jetë një prej vendeve që më së shumti i vret personat transgjinorë. Kështu për mua ka qenë shumë me rëndësi ta bëj këtë projekt dhe të dokumentoj këtë kauzë në Brazil”, tha Idrizi.
Fotografitë, siç bëhet e ditur, janë të realizuara gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil. Fotografi Idrizi është shprehur se pushteti ka rol kyç në aspektin e të drejtave të njeriut.
“Projektin e kam filluar pak më herët para se të bjerë partia e presidentes Dilma Rousseff, e cila ka qenë goxha pro të drejtave të njeriut. Ka hyrë Bolsonaro dhe gjatë atyre viteve të tij, të drejtat e personave të komunitetit janë shkelur jashtëzakonisht shumë. Unë jam kthyer për të jetuar në Brazil në vitin 2013 deri vitin e kaluar, ku si qeveri ka qenë në krye Lula (da Silva), president i jashtëzakonshëm që lufton për të drejtat e njeriut, madje diçka që kurrë nuk mund të imagjinohej në vitet 2015-2017, tash në qeverinë e re të Brazilit janë edhe dy femra transgjinore që janë pjesë e Parlamentit të Brazilit, gjë që nuk ndodh në botë”.
Kuratorja e ekspozitës “Fuqia e dëshirës”, Camille Cousin, ka thënë se veprat janë koleksionuar duke u ndarë në dhoma të ndryshme të katit të sipërm të Galerisë.
“Vendosëm të punojmë me këto vepra që janë punuar në Brazil midis dy periudhave të ndryshme. Ideja ishte të krijonim dhoma të ndryshme. Kur hyni, në fillim janë jeta e natës, klubet, vallëzime. Në dhomën ku jemi është jeta e rrugës, siç janë demonstratat, sikurse edhe jeta e rrugës gjatë natës. Gjithashtu është një dhomë me ‘drag-divat’, gjithashtu edhe një vepër që Jetmiri e ka punuar gjatë viteve të fundit, një skenë në dhomë balloje në São Paolo, kështu që ka shumë vepra”, tha Cousin.
Ekspozita “Fuqia e dëshirës” në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të qëndrojë e hapur deri më 11 maj.
Ajo qëndron si hapësirë e rezistencës për të qëndruar të pandryshueshëm dhe për të dashur pa u ndikuar.