Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka përmbyllur vitin para publikut në Kosovë, por rrugëtimi i tij për sivjet nuk ka përfunduar këtu. Koncerti i së mërkurës mbrëma ka qenë një thurje veprash shqipe e botërore të cilat nxjerrin në pah nivelin e dëshmuar tashmë të këtij institucioni. Ka lënë jehonën e këtyre veprave në Prishtinë, por ka shërbyer edhe si një prelud i koncertit në Lubjanë të Sllovenisë që është mbajtur të dielën mbrëma.
Atmosferë festive jo vetëm për fundvit, por edhe si festë për muzikën shqipe, ka qenë ndjesia e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Vepra kompozitorësh nga Kosova e Shqipëria bashkë me ato ndërkombëtare kanë jehuar me fuqinë e zërit në koncertin e fundit të këtij institucioni në Koosvë.
Tingujt e violonçelit mbushën hapësirën në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë me tis melankolie. Qe një intro deri te tingujt e pianos, për ta hapur siparin me “Music in the Circle” të kompozitorit të njohur Mendi Mengjiqi, një kompozim instrumental dhe në mënyrë maestrale u dirigjua nga Baki Jashari sikurse të gjitha veprat në koncertin e së mërkurës mbrëma. Zërat e Korit janë thurur në vepër, duke u distancuar nga njëri-tjetri. Sopranot dhe altot kanë qenë konstante dhe kanë mbajtur një ritëm të përsosur.
Vepra në vazhdim ka qenë “Cantate Domino” nga kompozitori Vytautas Miškinis, vepër korale që kremton tekstin e Psalmit 96, “Këndoni Zotit një këngë të re”, për t’i lënë vend “O Magnum Mysterium” të Hajrullah Sylës me të njëjtën frymë. Sopranoja Arta Jashari me interpretimin e saj të tekstit shpirtëror e ka shprehur në veprën e kompozitorit slloven Ambrozh Çopi, “O Salutaris Hostia”, një vepër liturgjike me qasje moderne. Një ndër veprat që gjeti hapësirë në repertorin e kësaj nate nga Kori i Filarmonisë së Kosovës ka qenë edhe ajo e kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”, me tekst të Din Mehmetit, një kompozim i pashmangshëm në shpalosjen e muzikës klasike shqiptare. Avangarde me ndërhyrje klasike është “In A”, e Rafet Rudit interpretuar nga sopranot Kaltrina Miftari e Shkurte Hykaj, Lekë Salihu e Andi Duraku në piano, perkusionistët Patris Berisha e Meriton Zajmi.
Kapërcimi në vepra botërore është bërë me “Kuulin Aänen” nga kompozitorja letoneze Laura Jēkabsone, e cila i jep hapësirë zërit me sopranot Selvije Marteti, Livije Dragusha e Shkurtë Hykaj dhe altot Dea Hamdiu, Albana Piperku e Diellza Sylejmani. Koncerti është përmbyllur shqip. Ishte dramatike me “Janinës ç’i panë sytë”, e cila është “pasaportë” e polifonisë. Tenorët Sokol Latifi, Luan Durmishi kanë sjellë magjinë e këtij thesari.
Koncerti në Prishtinë ka qenë prelud i performancës së Korit përpara publikut slloven, të dielen në sallën “Marjan Kozina” të Filarmonisë së Sllovenisë. “Çdo notë, një rrëfim”, është motoja e koncerteve të Filharmonisë e cila sivjet ka pasur disa rrëfime suksesi edhe jashtë vendit. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia e Italia kanë qenë disa prej stacioneve.
Dirigjenti Baki Jashari, i cili për 18 vjet, deri në prill të këtij ka qenë drejtor i Filharmonisë së Kosovës, ka veçuar disa momente sikurse edhe përmbylljen e vitit me koncert në Slloveni, ku ai kreu studimet në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, e më pas zhvilloi karrierën e tij muzikore deri në vitin 2000, kur u rikthye në Kosovë.
Programi i koncertit në Prishtinë që është “reprizuar” në Lubjanë, ka një tjetër peshë në prezantimin e institucionit, ani pse nuk janë vepra që dëgjohen për herë të parë.
“Programi i paraqitur nga Kori nuk ka qenë tërësisht premierë, por përmbante vepra të zgjedhura për të treguar aftësitë më të mira të Filharmonisë. Është shumë e rëndësishme të përfaqësohemi me një program të përgatitur në mënyrë perfekte. Në Slloveni, ku ka mbi 1000 kore të regjistruara, është një sfidë e madhe të lësh përshtypje”, tha ai.
Po ky program – një përzierje stilesh muzikore – është shans për të krijuar përshtypje pozitive e për të treguar traditën dhe potencialin e muzikës korale në Kosovë.
“Zëri i njeriut është një pasqyrim i fuqishëm i shpirtit, duke veçuar muzikën korale si një formë të veçantë të shprehjes artistike. Kori ynë zakonisht lë mbresa të thella kudo që shkon, siç ndodhi edhe në Londër më 2018. Ky koncert ishte një përgjegjësi e madhe shtetërore dhe artistike për ne”, tha ai.
Violonçelisti Antonio Gashi ka thënë se interpretimi me Korin i jep përherë të njëjtën ndjesi.
“Jam gjithmonë i emocionuar kur e dëgjoj Korin, sepse çdoherë paraqitet me vepra të reja dhe me freski. Është një kënaqësi e veçantë të bashkëpunojmë me Korin”, deklaroi Gashi.
Te programi ka veçuar veprën e Hajrullah Sylës. E ka bërë këtë edhe për një tjetër arsye.
“Jam i stërkënaqur që po vjen një gjeneratë e re kompozitorësh me ide të freskëta, të cilët krijojnë vepra të tilla që bashkojnë violonçelin dhe Korin në një mënyrë shumë të këndshme dhe freskuese”, tha Syla.
Zëri e muzika shqipe jehojnë edhe pasi përfundon koncerti e salla e Ateliesë së Pallatit të Rinisë nis të zbrazet. Në një tjetër sallë – me të tjera kushte – po kjo jehonë ka kumbuar të dielën në Lubjanë.