EXPRESS

Filharmonia me ngjyra moderne për frymorë e violonçel

Vepra moderne,  romantike, solemne e avangarde sa i përket zhanrit klasik, kanë qenë pjesë e repertorit të rrëfimit muzikor të radhës të Filharmonisë së Kosovës. Orkestra Harkore me solistin Konstantin Manaev në violonçel dhe dirigjentin Dario Salvi kanë sjellë programin me vepra delikate të cilat konsiderohet se i ngrenë më tej kapacitetet profesionale të instrumentistëve të saj.

Në koncertin e së shtunës mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, jo veç programi, por edhe formacioni ka qenë i veçantë. Fillimisht si ansambël më i vogël frymor në interpretimin e “Simfonisë për ansambël frymor në G-mol, A 509” të italianit Gaetano Donizetti. Vepra me ritme harmonike në një lëvizje të vetme është shkruar për flaut, dy oboa, dy klarineta, dy korno dhe dy fagotë. Vjen në një stil të lehtë dhe argëtues.

Pjesa tjetër e instrumentistëve frymorë i janë bashkuar ansamblit për veprën “Koncert për violonçel dhe orkestër frymore” të kompozitorit austriak Friedrich Gulda. Vepra me ritme moderne e kompozuar më 1989 tingëllon simpatike. Është një lloj mjegullimi i zhanreve muzikore brenda veprës madhore me pesë kohë.

Ritmi i violonçelit të Manaevit është i dallueshëm si i vetmi harkor në formacion, bashkë me dy kontrabasë që qëndrojnë në hije me tingullin dhe e përziejnë atë me frymorë. Tingujt dominues të violonçelit sikur zbërthejnë një temë të vrazhdë.

Janë të dallueshme teknikat jashtëzakonisht të vështira me një lloj ritmi agresiv që duhet esencial në mënyrë që të zotërohet vepra.

Këtë Manaev e kapërcen lehtë në koncertin e tretë të tij në Prishtinë.

“Isha shumë i lumtur kur mora një thirrje telefonike nga Dardani dhe më tha se a mundem ta luaj këtë vepër me Orkestrën. Kur më tregoi se cila ishte vepra, thashë se është një prej më të pëlqyerave për mua. Është më moderne. Është shkruar në pesë kohë. E para tingëllon si rock, pastaj e dyta më çon mendjen tek Richard Ëagner si një kadencë bashkëkohore, ndërsa e fundit pjesë shumë e hareshme”.

Vitin e kaluar ai ka interpretuar në kuadër të festivalit “Chopin Piano Fest”  dhe po vitin e kaluar më 29 tetor me orkestrën e drejtuar nga dirigjenti Gregory Charette luajti “Koncerti për violonçel No. 1” nga Shostakovich.

Ka thënë se në Prishtinë ka qenë momenti fantastik për ta luajtur këtë vepër, njëra nga më të preferuarat e tij.

“Ka qenë shumë kënaqësi të interpretoj këtu. Prishtina, që vitin e kaluar është shtëpia ime e dytë. Vij secilën herë me shumë kënaqësi dhe shpresoj të kem rastin të vij më shpesh. Prishtina është në zemrën time. Procesi ka shkuar shumë mirë. Një ditë pata prova me ta për një orë. Instrumentistët janë shumë fleksibil, shumë sensitivë dhe e dinin menjëherë se çfarë donim të bënim unë dhe dirigjenti. Ishte proces shumë produktiv puna bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”.

Publiku e ka duartrokitur gjatë. Ai është kthyer disa herë në skenë. Për të tretën herë është ulur në stolin e tij dhe ka luajtur veprën “Nana” të kompozitorit spanjoll Manuel de Falla nën përcjelljen e kitarës.

Uvertura e baletit “Joko” të gjermanit Peter Josef von Lindpaintner ka qenë tjetër rrëfim bashkë me Suitën me këngë popullore angleze.

Tashmë dihet se në koncertet ku orkestra përgatit programin nën udhëheqjen e skocezit Dario Salvi, kujdeset të sjellë përherë traditën britanike të muzikës klasike. Për të katërtën herë e ka bërë këtë.

“Simfonia e Donizettit është muzikë sfiduese, me këtë rast kemi sfiduar edhe Orkestrën në mënyrë që të rritet përherë profesionalisht. Më pas patëm Koncertin për violonçel nga Gulda. Është mjaft sfiduese edhe kjo, pasi është atmosferë shumë më ndryshe nga ajo që jemi mësuar me muzikën klasike. Më pas edhe uverturën ‘Joko’ në stil romantik. Aranzhim shumë i vështirë dhe formë e vështirë muzikore. E përfunduam me muzikë folklorike angleze me vallëzime angleze që janë shumë atraktive për t’u luajtur”.

Filharmonia, si përherë, është goxha aktive me koncerte duke sjellë te publiku veprat madhore të literaturës së muzikës klasike. Dhe veçse ka prezantuar koncertin e radhës.

Më 15 nëntor Kori nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski me solist violonçelistin Antonio Gashi sjell një tjetër rrëfim nëpërmjet veprave korale.