EXPRESS

Filharmonia me festën e ndihmës se NATO-s nën çatinë që s’mban ujin

Filharmonia dhe Opera kanë harmonizuar tingujt për vepër solemne e meshë në shënim të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe. E para ka qenë si simbol i lirisë e humbjeve në luftë. E dyta homazh për viktimat. Kuptimplotë ka qenë koncerti ku veprat sfiduese botërore kanë rezultuar të suksesshme në lojë nga interpretues të moshës së re.

25 vjet pas, prej kur nisi çlirimi i vendit, dëshpërues ka qenë imazhi i gjendjes ku zhvillon aktivitetin institucioni më i lartë i muzikës, Filharmonia e Kosovës. Opera, institucion i themeluar më 2021, ngelet një lloj agjencie që angazhon staf të përkohshëm për projekte. S’ka ansambël. Edhe sikur të ketë, s’ka ku të punojë.

Është dashur një reshje shiu që të dalin në pah kushtet ku Filharmonia e Kosovës mban koncerte. Për akustikë sado pak më të mirë i ishte dashur të bartej nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Atelie. Kushtet më të mira nuk janë as aty. Pikërisht para njërit prej instrumentistëve nuk ka ndalur së rrjedhuri uji nga tavani i sallës. Jo të pakta qenë improvizimet në sallë.

Ato kanë dalë në shesh edhe më shumë kur njërit prej shikuesve i rrëshqiti karrigia dhe u përplas me xhamat e mbështetur në atë pjesë.

Krejt avaria ka ndodhur para syve të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka qenë i pranishëm në koncert.

Kontrasti i përhershëm me kushtet është interpretimi i anëtarëve të Filharmonisë aty. Me Operën kanë realizuar koncertin e përbashkët. Derisa Kori i Filharmonisë kishte përfunduar koncertin në njërën prej sallave unike në Romë, në teatrin “Palladium”, në vend të tyre koristët e rinj dëshmuan të ardhmen premtuese të muzikës klasike në vend. Përkundër mungesës së një salle adekuate për koncerte, qoftë edhe ajo më modestja.

Meloditë nuk janë ndalur, ndonëse pa reshtur përplaseshin pikat e shiut me dyshemenë e Ateliesë.

Koncerti nisi me veprën “Palladio” të kompozitorit uellsian, Karl Jenkins. Vepra e kompozuar për orkestër harkore sjell fuqinë e tingullit për të përcjellë mesazhe lirie, dhembjeje e harmoni.

Me arie operistike është shfaqur sopranoja Zana Abazi-Ramadani. Ka interpretuar “Laudate Dominum” të Mozartit. Interpretimi i sopranos ka qenë i ndjeshëm, ndërsa kulmues ai i Korit.

“Mesha nr.2” e austriakut Franz Schubert ka qenë homazh për viktimat. Vepra liturgjike ka bërë më të larmishëm interpretimin me soliste sopranon Zana Abazi-Ramadani, baritonin Denik Prizreni e tenorin Ismet Vejseli.

Sopranoja Abazi-Ramadani ka thënë se meshat si kompozime klasike janë sfiduese dhe se duhet teknikë për interpretimin e tyre.

“Veprat nuk janë edhe aq të lehta të këndohen siç kanë qenë ato të Mozart dhe Schubert. Por duhet goxha mjeshtëri, teknikë e mirë, normalisht edhe zërin, por teknika është mbi të gjitha. Po nuk pate teknikë, nuk mund t’i realizosh këto vepra kaq të vështira. Nganjëherë them se më lehtë është të interpretosh një operë botërore sesa këto meshat siç i interpretuam sonte”.

Baritoni Denik Prizreni e ka vlerësuar si vepër tejet të përshtatshme për adresimin e ngjarjes.

“Është një datë historike, dita kur kanë nisur bombardimet. Mesha është e tillë, në gjithë botën u kushtohet viktimave. Është një vepër shumë e bukur dhe që kërkon shumë punë. Besoj që me punën diku njëmujore e kemi arritur rezultatin e duhur. Sot u pa rezultati, besoj se edhe publiku është ndarë i kënaqur”.

Dirigjenti Edon Ramadani, i cili e ka udhëhequr koncertin e së dielës mbrëma, ka thënë se është bërë përpjekje që programi i përzgjedhur t’i përgjigjet në mënyrë sa më të mirë ngjarjes së cilës i është kushtuar koncerti.

“Kemi konsideruar që është në përputhshmëri me këtë datë. Jemi të lumtur që jemi ftuar ta mbajmë këtë koncert për shtetin tonë. Disa nga pikat e programit janë interpretuar edhe më parë, por ka pasur edhe pika të reja dhe e kemi bërë një program të ri për këtë natë”.

Kompozitori Valton Beqiri e ka vlerësuar koncertin sfidues për nga programi i përzgjedhur.

“Ka qenë një koncert me vepra mjaft sfiduese në aspektin interpretativ e vokal, meqenëse solistët kanë pasur pak pjesë në këndim, por të vështira. Natyrisht edhe angazhimi i Korit e bën këtë pjesë edhe më të vështirë në kuptimin e balancimit të zërave mes korit dhe orkestrës. Në anën tjetër është me rëndësi se krejt ata, bashkë me dirigjentin, e kanë dhënë maksimumin e tyre, një performancë shumë të mirë”.

Filharmonia e Opera e Kosovës në çfarëdo rrethanash dhurojnë magjinë e veprave muzikore botërore. Publiku besnik i muzikës klasike është motivi. Barriera e përhershme janë kushtet.