Në ditën e njëjtë, më 24 shtator të vitit 2000, muzikantë entuziastë e ish-anëtarë të asaj që ishte Orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës ishin mbledhur për të luajtur një koncert që do të shënonte edhe ngjarjen themeluese të institucionit të ri: Filharmonisë së Kosovës. Ishin krejt pak. E tash Orkestra duket madhështore.
Jo veç për simbolikë, rendi e do që fillimisht Orkestra të “frymojë” shqip. E më shqip sesa me veprat e Lorenc Antonit s’ka ku shkon. “Valle shqiptare nr.1” ka goxha ritëm. Melosi popullor shqiptar vërehet fort. Është aso vepre që qysh në notat e para vërehet se i vjen era e tingujve të këtyre anëve. Laureati i sivjetmë i çmimit post mortem për vepër jetësore në muzikë “Niketë Dardani”, Lorenc Antoni, konsiderohet si një prej atyre që ka vënë bazat edhe të asaj që sot është Filharmonia e Kosovës. Vizioni i kompozitorit që për këtë çmim ishte propozuar nga Filharmonia e Kosovës kishte bërë që muzika klasike në këto anë të hyjë në “lojë”. Vepra e tij për vallen shqiptare bashkon melodi të trojeve shqiptare. Sensin e kësaj ane ia shtojnë goxha dajret. E “Në Prizrenin e vjetër” kompozitori që sivjet i është shënuar edhe 115- vjetori i lindjes ka sjellë melodinë ballkanike. Prizreni si vend që bashkon shumë komunitete rrumbullakon njëfarë diversiteti që reflektohet edhe në muzikë. Aty hyjnë pak edhe ritmet turke.
Kurse me “Malësorja”, Antoni që ka dhënë kontribut të madh edhe në fillet e muzikës korale në Kosovë, ka shpërfaqur muzikë të pjesëve më të larta të trojeve shqiptare. Klasikja e melosi shqiptar – që janë me pakicë në literaturë të muzikës serioze – te veprat e Lorenc Antonit kanë kuptim unik. Ecin shumë paralel, tisi shqiptar vjen në pah shumë, por gjithnjë duke ruajtur konturat e klasikes.
Më pas nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, të premten Orkestra është akorduar për njërën prej veprave më të njohura të muzikës serioze. “Simfonia nr.1 në D-dur” e gjermanit Gusav Mahler luhet shpesh nëpër botë, por jo nga çfarëdo orkestre.
Në katër kohët e saj kjo vepër që konsiderohet si e veçantë për shumë arsye ka bërë që publiku të hyjë në një tjetër botë. Atë të Mahlerit, alamet mjeshtër i kompozimit që jetoi midis shekullit 19 dhe 20. Në katër kohët e saj, vepra do shkathtësi të madhe interpretuese. Sidomos në kohët e para ku ritmi është më i ulët dalin në pah edhe shkathtësitë e krejt ansambleve brenda Orkestrës. Çalimi i frymorëve në raport me harkorët është i dukshëm. Por kur muzika merr ritëm telashet zbehen. Por jo edhe fakti që akustika e një salle private në periferi të kryeqytetit nuk i plotëson kushtet elementare për një sallë koncertale.
Filharmonia tash e 24 vjet endet duke gjetur strehë për prova e koncerte. Është fakt se në fillet e saj kishte kushte më të mira. Bile, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ishte në kushte të tjera.
Por si mozaik i përgjithshëm koncerti qe prej atyre që Filharmonia shihet si krenari e shtetit. Kjo u është thënë drejtuesve të institucionit edhe nga muzikantët që përcjellin punën e Orkestrës prej themelimit. E ish-drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, që tash është dirigjent i Orkestrës ka thënë se dikur e kishin ëndërr që të luanin Mahlerin.
Dirigjenti japonez, Yanagisawa, ka 17 vjet që punon me Filharmninë e Kosovës. Ka thënë se kur kishte nisur punën me këtë institucion diskutonin mundësinë për ta interpretuar Mahlerin.
“Simfonia e Mahlerit nuk është aspak e lehtë dhe sonte kishim 88 veta në Orkestër. Është një muzikë e komplikuar. Kur kam ardhur për herë të parë më 2007 Orkestra ishte shumë e vogël. Llogaritnim që të luajmë Mahlerin. Dhe ja kemi arritur sonte. Kjo është fantastike dhe këtë ndjenjë nuk do ta harroj kurrë”.
Orkestra ka bërë që publiku përballë të ndihet sikur është në ndonjë sallë evropiane. E midis asaj Evrope gati dyorëshe kishte edhe pak identitet shqiptar që po ashtu është evropian.