Lorenc Antoni, njëri prej kompozitorëve më të shquar të historisë muzikore shqiptare, është nderuar post mortem me çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Niketë Dardani”.
Juria e kryesuar nga kompozitori e dirigjenti Baki Jashari dhe me anëtarë kompozitorët Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi ka vlerësuar se për opusin e tij dhe veprimtarinë muzikore, Lorenc Antonit me plot meritë i ndahet ky çmim. E ka pranuar mbesa e kompozitorit, Violeta Lekaj-Mehmeti. Ndarja e çmimeve në objektin e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës është bërë në Ditën Botërore të Muzikës.
Derisa e ka lexuar arsyetimin, midis të tjerash, Jashari ka thënë se çmimi pas vdekjes për Antonin vjen në shënim të 115-vjetorit të lindjes së tij.
“Duke pasur parasysh opusin e tij krijues, punën si pedagog muzikor, aktivitetin koncertal, kontributin e tij në formimin dhe zhvillimin e institucioneve profesionale muzikore, veprimtarinë publicistike dhe shkencore, konsiderojmë se kompozitorit Lorenc Antoni me meritë i takon çmimi kombëtar për veprimtari jetësore ‘Niketë Dardani’”.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se institucioni në sezonin e ri do t’i kushtojë vëmendje krijimtarisë së kompozitorit Antoni.
“Ju informojmë që sezoni i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të trajtojë me kujdes botimin e veprave të Lorenc Antonit, duke filluar me interpretimin e disa prej veprave të tij në koncertin e parë që do të nisë sezonin 2024/2025”.
Ministria e Kulturës e ka gjetur laureatin e çmimit kryesor pas dy vjetësh. Vitin e kaluar dhe më 2022 madje nuk kishte as të nominuar.
Çmimi për kategorinë e veprave orkestrale-simfonike dhe koncertale i është ndarë kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën e tij “Koncert për violinë dhe orkestër”.
Çmimi për vepër kamertale është ndarë midis kompozitorëve Lum Halabaku për veprën “Rush Hour 2” në tri kohë dhe Ersan Januzit për veprën “Shifting Horizonts” për septet.
Në dysh u nda edhe çmimi për vepër korale. Kompozitorët Mendi Mengjiqi për veprën ‘Mercury” për kor miks dhe Dea Ahma për veprën “Mors” për soprano solo, narrator dhe tri kore antifonare, janë fitues të këtij çmimi.
Në kategorinë e veprave solistike dhe duo vepra “Momente” për violinë dhe piano e kompozitorit Ardian Halimi u zgjodh më e mira.
Gjithsej 19 vepra kanë qenë në garë për katër kategori. Asnjë konkurrent nuk ka pasur në kategorinë e veprave vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka munguar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Ditën Botërore të Muzikës.
Ekspozita “Tinguj në imazhe” në shënim të kësaj dite ka shpalosur katër dekada të jetës muzikore artistike në Kosovë.
Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ka thënë se ajo kthen në periudhat më të rëndësishme të jetës muzikore në vend, nga vitet ‘60 deri në fund ‘90.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një koleksion dokumentesh, por është një pasqyrë e sfidave dhe triumfeve që kanë formuar edhe jetën e muzikës profesionale në Kosovë. Në këtë hapësirë të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, ju do të keni mundësi nga afër të shihni edhe programe nga koncertet e realizuara në atë kohë si dhe opinione dhe shkrime në shtypin ditor të asaj kohe, por edhe dëshmi të drejtpërdrejta nga ata që kanë qenë pjesëmarrës aktivë nëpër aktivitetet që organizoheshin në atë kohë”.
Ekspozita në këtë format është vetëm njoftim për nisjen e një procesi në realizimin e ekspozitës së veçantë, e cila do të rikthejë tek opinioni historinë e jetës së muzikës profesionale në Kosovë dhe do të hapet në dhjetor.