EXPRESS

“FerFilm” mbyll edicionin e 12-të me 143 filma të shkurtër

Festivali ndërkombëtar i filmit “FerFilm” për pesë ditë ka sjellë kinematografinë botërore në Ferizaj. Rrëfimet filmike janë shpalosur para publikut në edicionin e sivjetmë, të 12-in me radhë në historikun e këtij festivali. Me gjithsej 143 filma të shkurtër në program të shfaqur në teatrin “Adriana” e në galerinë e qytetit, Festivali është mbyllur të hënën pasdite me shpalljen e fituesve.

Juria në përbërje nga producentja Ganimete Sava dhe fotografi kroat Robert Sironi ka shpallur filmin “Marko” të kroatit Marko Shantiq si fitues në kategorinë “Best Short Film”, njëherësh çmimi kryesor i Festivalit. Filmi ka dy personazhe. Bëhet fjalë për jetesën e një çifti në pension në Dalmaci. Rrëfehet historia e vrasjes së djalit të tyre në luftën serbo-kroate. Refuzojnë të lëshojnë për turistë dhomën e të birit.

“I won’t remain alone” i regjisorit iranian Jaser Talebi në “Best Short Documentary”, në “Best Short Experimental” është shpallur fitues filmi “The Unspeaktable” i meksikanes Vita Solis dhe “Looped” i suedezit Thomas Costa Frete në “Best Animation”. Gjithashtu janë ndarë edhe dy çmime të tjera: Çmimi i Medias është ndarë për filmin “Holy Care” i Cristian Patane, ndërsa Përmendje Speciale kanë marrë filmat “The Junction” i Xhelal Halitit dhe “Illusion” i Mustafa Sancës. Të dielën në orarin e mbrëmjes kanë qenë të rezervuar tre filma. Sipas organizatorëve, ka pasur goxha interesim për pjesëmarrje në edicionin e sivjetmë. Në program sivjet janë përfshirë filma nga vende si Meksika, Indonezia, Argjentina, Peruja, Kamboxhia, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda, e të tjera.

“Stand up for myself” me regjisor Peter Chan në shtatë minuta ka sjellë një copëz rrëfimi për shoqërinë në Kamboxhia. Në ndërtimin si kampanjë vetëdijesuese ka sjellë rrëfimin për jetën e vështirë të të rinjve e situatat pa zgjidhje. Për traumat e tyre e stigmatizimin e të trajtuarit shëndetin mendor.

Skenaristja Rachna Thim ka qenë e pranishme. Pas shfaqjes së filmit, ajo ka thënë se ky është filmi i parë në të cilin ka punuar dhe se tani po punon në trajtimin e një tematike të ngjashme. Ka treguar se në vendin e saj, në Kamboxhia, njerëzit kanë trauma nga e kaluara dhe se paragjykimet për ata që trajtohen janë pjesë e paevitueshme në shoqëri.

“Njerëzit në shtetin tim kanë ende trauma prej historisë. Janë paragjykimet se nëse shkon te psikologu njerëzit të thonë se je i çmendur. Kam prezantuar traumat dhe problemet e njerëzve. Kemi dashur ta paraqesin në mënyrë pozitive”.

Tematika të llojllojshme kanë qenë pjesë e programit të festivalit “FerFilm” të mbajtur në Ferizaj prej 2 deri më 6 maj.

Një nga themeluesit e Festivalit, Sabri Pajaziti, që e udhëheq këtë ngjarje, ka thënë se sivjet lehtësimi i depërtimit të Festivalit ka qenë përfshirja e ngjarjes në platformat digjitale.

“Kemi pasur një lehtësim tej mase sivjet pasi festivali është pjesë e platformës FilmFreeWay që e ka lehtësuar aplikimin dhe mundësinë e prurjes së filmave, madje kemi pasur telashe se si të refuzojmë filma. Ka pasur numër enorm të aplikimeve, kanë qenë diku mbi 600 aplikime. Për tre muaj është dashur ta ndërpresim pasi pastaj është telash edhe përzgjedhja, duke pasur ekip të veçantë”.

Ka thënë se sfidë mbetet mbështetja për festivalin i cili, sipas Pajazitit, gjatë 12 vjetëve ka sjellë rreth 300 mysafirë ndërkombëtarë në Ferizaj. Gjithashtu ka thënë se Festivali i kontribuon edhe turizmit në këtë qytet.

“Pos karakterit të kinematografisë e ka edhe karakterin e turizmit, promovimin e trashëgimisë kulturore. Në këtë rast ajo çfarë na ka përcjellë sivjet ka qenë gjendja financiare”.

I nisur si festival më 2013, “FerFilm” njëra prej ambicieve që është bërë e ditur kaherë është që të promovojë kulturat dhe vlerat universale botërore përmes filmit.

Festivali ndërkombëtar i filmit “FerFilm” u formua nga një grup artistësh nga Ferizaj dhe më gjerë. Ky moment u konsiderua si një nismë për të promovuar kulturat dhe vlerat universale të botës nëpërmjet filmit si një metodë shumëdimensionale dhe tërheqëse. Duke e menduar potencialin e turizmit në Ferizaj, përveç ngjarjeve kinematografike, Festivali organizon vizita dhe ngjarje të tjera që shpalosin diversitetin kulturor në Kosovë.