EXPRESS

Ekspozita e Jakup Ferrit me mbi 1.000 vizitorë në kohë pandemie

Gjallëria e personazheve të Jakup Ferrit e zbeh zymtësinë e realitetit që ndodh jashtë mureve të galerisë. Veprat e tij janë doza e optimizmit që e morën me vete mbi 1 mijë vizitorët e ekspozitës së hapur në vlugun e pandemisë.

Ferri ka pritur 15 vjet që t’i sjellë në Prishtinë 100 vepra, por ekspozita personale e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës nuk kaloi si një ngjarje e zakonshme, raporton KOHA.

Ekspozita e hapur në kushte pandemie ngjalli interesim të madh të vizitorëve që para se t’i rreken kësaj bote shumëngjyrëshe, u ndalën për t’i dezinfektuar duart e të vendosin maskë.

Të rinj, grup fëmijësh, e personalitete të kulturës e skenës politike e vizituan ekspozitën që rrumbullakon krijimtarinë e Ferrit.

Interesimi i madh për ta përcjellë këtë ekspozitë ishte befasi për menaxhmentin e institucionit më të lartë të artit pamor.

Ekspozita e Ferrit fillimisht ishte planifikuar të mbyllej më 30 gusht.

Ferri, i cili jeton mes Holandës e Kosovës, suksesin e ekspozitës e shijoi në prapaskenë. Ai njihet si artist që i lë veprat të flasin e që e sfidon ritualin e zakonshëm të organizimit të një ekspozite.

Në ditën e parë të tetorit, që shënon fundin e këtij rrugëtimi, Ferri e vizitoi edhe njëherë galerinë.

Ekspozita retrospektive e Jakup Ferrit përfshin vizatime, tapiceri e piktura. Ato u kanë dhënë ngjyrë mureve e dyshemesë së galerisë. Bashkë me to, artisti i ka ekspozuar edhe koleksionin e tij të qilimave, disa prej të cilëve i kishte blerë në Pazarin e Krujës.

Në katin e dytë të ndërtesës janë prezantuar video-instalacionet e Ferrit. Artisti prej kohësh ka hequr dorë nga videot, por gjurmët e tij artistike kanë mbetur.

E vizitorët e ekspozitës personale të Jakup Ferrit, do t’i ruajnë gjurmët e një kujtimi të bukur. Shumica nëpërmjet një fotografie të shkrepur para këtyre personazheve plot jetë.