Programi i edicionit të 14-të të “Chopin Piano Fest” po vazhdon me koncerte të shumta të muzikës klasike. Në koncertin e gjashtë me radhë, nëpërmjet festivalit sërish për audiencën e Prishtinës u sollën emra të njohur ndërkombëtarisht në muzikën klasike. Pikëtakimi i njëjtë po sikur në netët pararendëse – Amfiteatri i Bibliotekës Universitare në kryeqytet – u bë sërish vendi i cili bëri bashkë artdashësit. Këtë radhë pjesë e programit qenë violonçelisti nga Gjermania, Konstantin Manaev, dhe pianisti austriak, Philipp Scheucher, të cilët për publikun e Kosovës kishin kuruar një program që ndërtohej nga periudha të ndryshme të veprimtarisë klasike muzikore.
Dyshja Manaev e Scheucher performancën e nisën me një sonatë nga Bernhard Romberg. Qysh në lëvizjen e parë, Manaev solli një interpretim plot pasion dhe thellësi në meloditë e buta dhe të ndiera që karakterizojnë kohën e parë të veprës, “Allegro non tropo”. Intimiteti me publikun u fitua menjëherë, ndërkaq Scheucher në piano mbështeste violonçelin me një interpretim që theksonte kontrastet dinamike dhe harmonitë e pasura që karakterizojnë këtë sonatë. Manaev dhe Scheucher komunikonin me njëri-tjetrin nëpërmjet frazave muzikore duke krijuar një dialog të rrjedhshëm e plot harmoni.
Kjo sinergji evidentohej gjatë mbrëmjes në çdo pjesë që ata luanin, por veçmas u ilustrua edhe me një vepër tjetër, e cila u luajt pas intermexos dhjetë minutash. “Break On Through” qe kënga e cila e vendosi para audiencës sërish dyshen, por këtë radhë me një vepër bashkëkohore. E kompozuar nga austriakja Johanna Doderer, kjo vepër qe si homazh për këngën me po të njëjtin titull nga Jim Morrison. Pas tyre, në monitor shfaqej dhe video muzikore e realizuar në vitin 2012 e po asaj performance.
Kjo pjesë bashkëkohore, e inspiruar nga stili dhe energjia e frontmenit të “The Doors”, solli një freski në këtë koncert. Ashtu edhe e kishte menduar dyshja kur kishte bërë gati repertorin.
Për pianistin Scheucher, Prishtina ka një audiencë e cila gjithmonë e mirëpret muzikën klasike.
“Menduam të sillnim një freski në një program klasik dhe Prishtina është një vend ku njerëzit janë shumë të hapur, janë shumë të shoqërueshëm, janë të etur për muzikën klasike, andaj erdhëm dhe me “Break on Throguh” nga Jim Morrison dhe Shostakovich që t’i bashkojmë këto stile dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”.
Manaev pati paraqitjen e tij të parë publike në Prishtinë në tetor të vitit të kaluar, ku performoi si solist me Orkestrën Filarmonike të Kosovës. Ndërkaq programin e këtij koncerti e kishte zgjedhur me shumë kujdes.
“Për këtë natë kam zgjedhur diçka nga kompozitorja ime e preferuar austriake, sepse dhe mua më pëlqen Jim Morrison dhe, sipas meje, është një kombinim i mirë. Në fillim e kemi klasiken me emra si Beethoven, por pastaj në pjesën e dytë kemi Doderer dhe Shostakovich, një program i konceptuar mirë dhe që shkojnë së bashku sipas meje”.
Përmbyllja e koncertit me “Sonatën për Violonçel dhe Piano në re minor, Op. 40” të Shostakovich, nga Konstantin Manaev dhe Philipp Scheucher, ishte kulmi i duhur i një mbrëmjeje të jashtëzakonshme muzikore.
Në këtë akt final Manaev dhe Scheucher sollën një interpretim plot me dramë dhe pasion.
I pranishëm në publik ishte dhe violonçelisti Antonio Gashi, i cili e vlerësoi performancën e dyshes si të arrirë, pavarësisht sfidave që i karakterizojnë performancat me dy apo më shumë instrumente.
“Ishte performancë shumë e veçantë të dy ishin mjeshtër të instrumenteve të tyre, por pa dyshim që kur dy mjeshtër bëhen bashkë duhet të bëhen dhe kompromise, programi ishte shumë i këndshëm, i pranueshëm për publikun. Ishte në fahun e vet, Konstantini kishte për shembull Shostakovicin, një vepër të cilën dukej se e do dhe e kultivon kaherë”.
“Chopin...” vazhdon me koncertin e së shtunës, këtë radhë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, duke sjellë para publikut kosovar pianistin francez, François Dumont, dhe dirigjentin zviceran, Antoine Marguier.