EXPRESS

“Djali” i heshtur alarmon për peshën e gabimeve

Mesazhet janë jetike në teatër. Ato janë të shumëfishta në shfaqjen “Djali” me tekst të dramaturgut francez, Florian Zeller. Nën regji të Erson Zymberit, produksion i Ernest Zymberit, ajo sjell rrëfimin që përherë gjeneron emocione të trishta që bëhen intensive secilën herë. E bën publik intimitetin e kompleksitetin e marrëdhënieve në familje. Alarmon për peshën e gabimeve. Pendimi është thjesht dëshpërim i pafundmë, sikurse pasojat.

Dyert e Teatrit të Gjilanit janë hapur të premten mbrëma për një shfaqje me produksion të pavarur. Publiku në tri anët e skenës ka krijuar hapësirën intime të shfaqjes në formë kamertale. Intim është raporti i tyre familjar që i vjen publikut si mesazh i shumëfishtë për pasojat e vendimeve të tyre. “Djali” është rrëfim universal që zë vend në secilën skenë ku vendoset. Njëjtë ngjan edhe me qytetin në lindje të Kosovës.

Intriguese që në nisje është edhe vetë skenografia si një udhëkryq ku personazhet i ndan në midis një tavolinë e pazakonshme. Aty takohen zymtësia, hidhërimet, pritja, çmenduria e lajmet e trishta.

Personazhet janë shumë pranë njëri-tjetrit, por nën hijen e mendjes së tyre. Duket se me kohë gjërat rregullohen e gjithçka vihet në binarë, por papritmas publiku befasohet. Ngjan e kundërta. Dëshmohet se çfarë është thyer, nuk kthehet më siç ka qenë. Lë shenja.

Aktori Yzeir Meha, që e ka luajtur kryepersonazhin Nicolasin, është shprehur se roli është i vështirë psikologjikisht për shkak të temperamentit të personazhit e gjendjes së tij.

“Për ta luajtur rolin nuk ka qenë e lehtë ndoshta fizikisht nuk ka qenë e vështirë, por gjendja e tij ka qenë goxha komplekse, goxha fragjile. Është dashur që gjatë tërë shfaqjes të mbahet ajo gjendje dhe të kalosh nëpër situata të ndryshme me gjendjen e tij”.

Traumat si rrjedhojë e zhvillimeve në familjeve e çojnë Nicolasin në vetëvasje. 

E trishtë ka qenë skena kur publikun e çon tri vjet më vonë, kur Pierre me të dashurën e tij Sofian, rol që e Tringa Hasani, po bëjnë gati tavolinën ndërsa papritmas Nicolas afrohet tek i ati. Krejt ngjarjen e vështron nëna Anna, rol që e luan aktorja Safete Mustafa-Baftiu. I tregon se po bën karrierë në Berlin dhe se veç sa e ka botuar librin e tij të parë. Ia jep kopjen e parë si dhuratë për ta lexuar para gjithë të tjerëve. Pierre, që luhet nga aktori Kushtrim Qerimi, mburret aq shumë sa mezi mban veten pa qarë. Por Nicolas largohet në hije. Ka qenë thjesht një iluzion, një sekuencë e ankthit të jetës së tij që nuk ka fund.

Aktori Kushtrim Qerimi që ka luajtur Pierrein ka thënë se autori Zeller e ka përfillur porosinë e Aristotelit për dramaturgët.

“Porosia e Aristotelit për dramaturgët që personazhet duhet t’i shkruani si gjysmë të pafajshme apo gjysmë të fajshme. Mendoj se ky e përfill shumë dhe kjo më pëlqen, edhe te personazhi të cilin unë sot e interpretova, edhe te personazhet tjera gjithmonë është pak problem apo shumë problem të gjendet arsyeshmëria e tij se pse vepron ashtu. Edhe te personazhi që e interpretoj unë ka qenë e vështirë t’i vësh faj apo jo, sepse kemi të bëjmë me një baba të cilit nuk i ka ecur mirë me gruan e parë dhe divorci i tij ka shkaktuar një traumë te djali i tij. Ai për vete e ka gjetur jetën, por ka lënë pasoja te dikush tjetër”.

Regjisori i shfaqjes, Erson Zymberi, ka vlerësuar se është shfaqje që lehtë mund të komunikojë me njerëzit. Ka thënë se “Djali” është shfaqje që i përgjigjet atij që ai e quan teatër i heshtur.

“Është një teatër që mua më kishte marrë malli ta shoh. Në krahasim me një shfaqje që unë e kam punuar shumë më herët në Teatrin Kombëtar të Kosovës – ‘Gishti’ – mendoj se kjo është shfaqja ime e dytë që i përgjigjet një lloj teatri të heshtur, me shumë të pathëna, me një teatër ku qetësia dhe heshtja e personazheve flasin shumë më shumë se efektet që teatrot tona i vendosin qëllimshëm për të krijuar një atmosferë të caktuar. Unë jam munduar që krejt këto t’i eliminojë dhe të lërë një teatër të varfër me plot kuptimin e fjalës, një teatër që flet për personazhe që kanë halle dhe probleme”.

Ka shpjeguar se si secili detaj, në lojën e aktorëve po se po, por edhe në skenografi, ka qenë rrëfim më vete. 

“Ne si regjisorë e konceptojmë veprën se si ta vëmë në skenë. Edhe koncepti skenografik si udhëkryq ku personazhet takohen në një tavolinë me karrige që janë jo prej atyre që e bashkojnë një familje në një ambient të ngrohtë, por janë karrige të zyrave. Janë marrëdhënie të ftohta, ashtu siç është edhe llamba, që në vend se të jetë një e tillë që ofron ngrohtësi, ajo sjell ftohtësi, zbrazëti dhe distancë midis burrit, gruas dhe djalit. Të gjitha këto elemente apo shenja teatrore janë përkthyer për të qenë sa më i kuptueshëm dhe më i ftohtë teksti në raport me vetë marrëdhëniet që i kanë personazhet midis vete”.

Ka bërë të ditur se në muajin dhjetor shfaqja do të ketë dy repriza në Teatrin e Gjilanit. Reprizën e parë e ka pasur të shtunën mbrëma. 

Ta shohësh shfaqjen “Djali” është një lloj sfide të mos prekesh nga rrëfimi i saj. Nuk ka kurrfarë lidhjeje nëse përjetimet në shfaqje përkojnë me jetën e një individi a jo. Ajo prek thellë dhe publikun e bën një me përjetimet e aktorëve. 

Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi ka përgëzuar regjisorin Zymberi për leximin e tij të dramës. 

“Zakonisht e kam telashe të jap komente menjëherë pas shfaqjes sepse ende nuk kanë kapërcyer emocionet që t’i jep shfaqja, kështu që nuk e di sa mund të jem racionale në atë se çfarë dua të them. Megjithatë, dua ta përgëzoj ekipin, kastën e aktorëve, regjisorin Erson Zymberi që kishte bërë një lexim të mrekullueshëm. Natyrisht ai është tashmë regjisor i dëshmuar dhe nuk çuditem me këtë punë fantastike që e ka bërë”.

Shfaqja “Djali” është mesazh, më pas ndjenjë e përfundimisht alarm. Human duket thjesht shkrimi i dramës, e më pas edhe inskenimi i saj. Është provë se sa larg shkojnë pasojat e gabimeve të njerëzve.